Ligjvënësit amerikanë kërkojnë që Olimpiada Dimërore 2022 të mos mbahet në Pekin

Uashington, 24 korrik 2021 – Një grup i ligjvënësve amerikanë i ka bërë thirrje Komitetit Ndërkombëtar Olimpik që të shtyjë Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2022 dhe të ndërrojë vendin e organizimit, nëse Kina nuk u jep fund “abuzimeve me të drejta të njeriut” ndaj ujgurëve dhe grupeve tjera muslimane që janë minoritete.

Në letrën dërguar udhëheqësit të Komitetit Olimpik, Thomas Bach, ligjvënësit amerikanë kanë thënë se asnjë olimpiadë nuk duhet të mbahet në një shtet qeveria e të cilit “kryen gjenocid dhe krime kundër njerëzimit”.

Ligjvënësit kanë thënë po ashtu se mbajtja e Olimpiadës Dimërore në Pekin do të reflektonte keq në organizim dhe shtyrja nga shkurti i vitit 2022, ashtu sikurse edhe lokacioni, do të jenë në të mirë të atletëve.

“Për neve është e padrejtë që Komiteti Olimpik Ndërkombëtar t’i shtyjë atletët të sakrifikojnë ndërgjegjen e tyre për të arritur qëllimet e tyre në gara ose anasjelltas”, kanë thënë ligjvënësit amerikanë.

Letra është nënshkruar nga ligjvënësit: Jeff Merkley, Jim McGovern, Marco Rubio dhe Chris Smith.

Ata kanë thënë se Komiteti Olipmpik Ndërkombëtar mund të shtyjë Lojërat Olimpike për një periudhë kohore, duke përmendur shtyrjen e Lojërave Olimpike Verore 2020, të cilat po mbahen në Japoni. Ato janë shtyrë nga viti i kaluar, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Më herët, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka thënë se nuk është “superfuqi qeveritare” që mund t’i zgjidhë çështjet politike në Kinë.

Kina është kritikuar nga bota demokratike për ndalim për punë të detyrueshme të më shumë se 1 milion ujgurëve dhe minoriteteve tjera muslimane, si edhe për abuzime tjera me të drejta të njeriut në provincën Ksinjiang. Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se këto veprime përbëjnë gjenocid dhe krim kundër njerëzimit.

Kina i hedh hedh poshtë akuzat, duke thënë se kampet për të cilat akuzohet janë “qendra edukuese” që kanë qëllim “pastrimin e njerëzve nga terrorizmi”.

(r.m.)

Comment

*