Linhart: Austria do ta mbështesë Kosovën për heqjen e regjimit të vizave

Bruksel, 16 nëntor 2021 – Në margjina të takimit të ministrave të jashtëm të vendeve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), në Bruksel, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, ka pasur takime të ndara me homologët e saj nga Austria dhe Bullgaria.

Siç njoftohet nga kabineti i zonjës Gërvalla, gjatë takimit me ministrin Federal të Austrisë për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare, Michael Linhart, është diskutuar për bashkëpunimin mes dy vendeve dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

Në njoftim thuhet se temë diskutimi ka qenë edhe përmbushja e agjendës evropiane e Kosovës dhe, në këtë pike, ministrja Gërvalla e ka marrë rikonfirmimin e ministrit Linhart se Austria do ta mbështesë Kosovën në të gjitha proceset, me theks të veçantë në përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ministrja Gërvalla nga ana e saj e ka falënderuar ministrin Linhart për përkrahjen e parezervë dhe ka theksuar nëvojën që kjo frymë mbështetëse të përcillet edhe tek shtetet skeptike që po ndikojnë në zvarritjen e procesit të liberalizimin e vizave.

Shefat e diplomacive të Kosovës dhe Austrisë kanë biseduar edhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe për bashkëpunimin rajonal.

Ndërkaq, në takimin e ministres Gërvalla me ministrin e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Svetlan Stoev, është biseduar për marrëdhëniet  midis dy shteteve, për zhvillimet rajonale dhe për sfidat që po I shoqërojnë vendet e rajonit.

Dy homologët e kavë vlerësuar si çështje kruciale forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit.

Ata kanë diskutuar edhe për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst, ministrja Gërvalla e ka njoftuar kryediplomatin bullgar për përkushtimin e institucioneve të Kosovës për përmbushjen e agjendës evropiane.

(r.m.)

Comment

*