Lionel Messi largohet nga Barcelona

Barcelonë, 5 gusht 2021 – Lajmi i ditës, mbase edhe i vitit, nga bota e futbollit vjen nga Barcelona: Lionel Mesi nuk do ta vazhdojë karrierën në Barcelonë.

Lajmi është zyrtarizuar nga vetë klubi katalonas, i cili ka bërë të ditur se argjentinasi ka zgjedhur të mos e vazhdojë karrierën e tij në Katalonjë. Në njoftimin e klubit thuhet se ishte arritur marrëveshja për një kontratë të re, por këtë e bënë të pamundur pengesat financiare.

Klubi e ka fajësuar rregullativën e ligës spanjolle që nuk e ka lejuar klubin të nënshkruajë kontratë të re me lojtarin.

“Megjithëse kishim arritur një marrëveshje mes Barcelonës dhe Leo Mesi dhe me dëshirën e qartë të të dy palëve për të nënshkruar një kontratë të re sot, nuk mund të formalizohet për arsye ekonomike dhe pengesa strukturore (Rregulloret e La Liga në Spanjë).

Duke u përballur me këtë situatë, Leo Mesi nuk do të vazhdojë të jetë i lidhur me Klubin e Futbollit Barcelona. Të dy palët ndjejnë keqardhje që dëshirat e lojtarit dhe të klubit nuk mund të plotësoheshin në mënyrë përfundimtare.

Barça dëshiron të falënderojë me zemër lojtarin për kontributin e tij në zhvillimin e këtij klubi dhe i uron më të mirën në jetën e tij personale dhe profesionale”, thuhet në komunikatën e Klubit Futbollistik “Barcelona”.

Lionel Mesi largohet nga Barcelona pas 17 sezonave. Shkoi si fëmijë në Barcelonë dhe largohet si mbret nga Barcelona.

Mesi është ndër më të merituarit për 35 trofetë që i fitoi Barcelona, gjatë periudhës së tij, e cila, s’ka dyshim, do të quhet “periudha e Messit”.

Lionel Messi i arriti majat e suksesit me klubin katalonas. Ai u shpall 6 herë lojtar i vitit, sa askush tjetër në historinë e futbollit.

Shumë njohës të sportit të futbollit e vlerësojnë si futbollistin më të mirë të të gjitha kohërave.

Por, ai ka ende shumë për t’i dhënë futbollit. Ai do të jetë dhuratë për tifozët e ndonjë klubi tjetër të madh të futbollit.

Së shpejti pritet të merret vesh se cili do të jetë klubi i ri i Messit.

(r.m.)