Anton Çefa: Liria – kjo nevojë shpirtërore sublime

Anton Çefa

Anton Çefa

“Unë e dua lirinë për të shprehur plotësisht personalitetin tim.”
Gandhi

Liria është atribut i patjetërsueshhëm që lind me njeriun dhe është pajë e qenësishme shpirtërore e tij, i takon atij dhe nuk ka të drejtë kush t’ia mohojë, t’ia grabisë, t’ia dhunojë.

Liria, në kuptimin e saj më të përgjithshëm, jetësohet jo vetëm si liri e individit, po edhe si liri e një grupi shoqëror, një shteti dhe një kombi.
Kuptimësinë e lirisë vetjake, kultura jonë e pati përkufizuar që heret, në kohën e Rilindjes Kombëtare. Konica na e pati sqaruar: “Liria është të mundet njeriu të besojë ç’i do zembëra, të thotë ç’i do zembëra, të shkrojë ç’i do zembëra, të bëjë ç’i do zembëra, veç ato që janë kundra lirisë tjetër njeriu.” Me këtë stil të shkruari kaq të hijshëm, ai ka vënë qartë në dukje lirinë e besimit, të fjalës, të shtypit dhe të veprimit si dhe kahun etik të vënies në jetë të tyre.
Që të jetë e plotë, liria individuale kërkon realizimin e lirisë së ndërgjegjes, të mendimit, të fjalës, të shtypit, të besimit, të mbledhjes, të manifestimit publik. Jashtë konceptimit të hapësirës kuptimore të kësaj lirie nuk mund të realizohet qenësia e plotë e njeriut. Këtë e ka shprehur më së miri Gandhi kur ka thënë: “Unë e dua lirinë për të shprehur plotësisht personalitetin tim.” Dhe Rousseau: “Të heqësh dorë nga liria është të heqësh dorë nga të qenët njeri.”
Termat liritë dhe të drejtat individuale të njeriut, ose thjesht, të drejtat e njeriut, përdoren në rrafsh sinonimik, por duhet bërë dallimi i tyre me të drejtat civile (e drejta e pronës, e votës, etj.), të cilat nuk janë të patjetërsueshme, por sigurohen nga qeveritë. Është fjala këtu për qeveritë që kanë të drejtën morale të qeverisin. Mjerisht ndodh që si liritë si të drejtat civile pengohen nga qeveritë; siç ndodhi në vendin tonë gjatë periudhës së diktaturës, kur, edhe pse ishin të garantuara në Kushtetutë, nuk respektoheshin. Jemi të gjithë dëshmitarë që për një fjalë goje dënoheshe me disa vite burg.
Realizimi i drejtë i lirisë ka si kusht përgjegjësinë morale të njeriut për fjalën që flet a shkruan, mendimin që shpreh, veprimet që bën, etj. Përgjegjësia kërkon që çdo liri të peshohet në kandarin e së mirës. George Bernard Shaw ka thënë: “Liria është përgjegjësi. Kjo është arsyeja që shumë njerëz i frikësohen asaj.” Në filozofi, liria është trajtuar edhe si “ratio essendi” (arsye e qenies) e jetës morale; çka do të thotë nuk mund të konceptohet liria jashtë vlerave të etikës.
Problemi i lirisë së individit ka qenë dhe është një problem që ka shqetësuar e shqetëson mendimin intelektual filozofik, politik, social, artistik në vijimësi të kohërave.
Në Greqi qysh me pitagorianët, pasuesit e Pitagorës, në shek. VI para Krishtit, tema e lirisë, kryesisht tema e njeriut të aftë pët t’u mbështetur në forcat e veta, do të bëhet një prej temave të përhershme të mendimit helen.
Iluministët, Volter-i, Helvetius, Diderot, etj., në shek. XVII-XVIII, duke u ngritur në luftë kundër privilegjeve të aristokracisë feudale, u përpoqën për të vendosur “mbretërinë e arsyes”, të bazuar në barazinë natyrore të njerëzve, në pronën private dhe në lirinë e jetës personale të individit. Filozofi gjerman i gjysmës së parë të shek. XIX. Schelling, e ka trajtuar lirinë si formën më të lartë të qenies njerëzore. Në bazë të rrymmës filozofike të personalizmit, që lulëzoi në Amerikë nga fundi i shek. XIX dhe fillimi i shek. XX, pohohej individi si realitet primar dhe si vlerë e lartë shpirtërore, si element i parë shpirtëror i qenies. Filozofia politike europiane e shek. XIX-XX , në mënyrë të veçantë ekzistencialistët si Kierkegaard, Heidegger, Jaspers, po sidomos Sartre (1905-1980) bënë përpjekje për hapjen e rrugëve për të siguruar liritë individuale të njeriut. Për Heidegger-in, liria e njeriut është esenca e së vërtetës. Sartri, filozofi i madh francez, krijuesi i doktrinës filozofiko-letrare të ekzistencializmit, armiku i përbetuar i ideologjive totalitariste dhe dhunave diktatoriale, e ngriti aq lart flamurin e lirisë së individit sa të kërkojë përgjegjësinë deri në rebelim të individit në realizimin e lirisë personale. Ai predikonte që individët janë të lirë dhe përgjegjës për vendimet dhe veprimet që kryejnë. Ata duhet të vendosin standardet dhe rregullat e jetës dhe veprimtarisë së tyre, dhe çdo njëri duhet të marrë përgjegjësinë për t’i venë në jetë ato; një porosi aq e nevojshme, e domosdoshme, për kohën nëpër të cilën po përshkohet populli ynë sot.
Në fushën e realizimeve të politikës është Amerika, e cila që me shkëputjen nga kolonializmi anglez dhe me shpalljen e pavarësisë, ka deklaruar dhe garantuar lirinë e individit, të drejtat e tij. Në Deklaratën e Pavarësisë së Sheteve të Bashkuara të Amerikës (1776), të hartuar prej filozofit të demokracisë, shkrimtarit brilant, politikanit e diplomatit të shquar, Thomas Jefferson, thuhet: “ . . . Njerëzit janë krijuar të barabartë, dhe janë të pajisur nga Krijuesi i tyre me disa të drejta të pamohueshme, ndërmjet të të cilave janë: jeta, liria dhe krijimi i lumturisë.” Një Deklaratë e tillë kushtetuese, që erdhi duke u plotësuar edhe mbas shpalljes së saj, për të parën herë në historinë e njerëzimit, bënte të ligjshme barazinë në mes të njerëzve dhe siguronte të drejtat e tyre.
Vite më vonë, Franca, duke ecur në gjurmët e Amerikës, miratoi Deklaratën e të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarit (29 gusht 1789), që hodhi poshtë sundimin e monarkisë absolute në favor të të drejtave natyrale të njeriut, që përfshinin barazinë, sovranitetin e popullit dhe të drejtat individuale të lirisë, pronës, etj.
Në vijimësi, SHBA kanë ardhur duke përsosur trajtimin teorik dhe vënien në jetë të lirive dhe të drejtave të njeriut. Ndërsa në Europë u rivenndos sundimi i absolutizmit mbretëror, që u mbrojt edhe me kongrese, siç është ai i Vienës i vitit 1814.
Më vonë, lufta për lirinë individuale dhe të drejtat e njeriut u bënë problem i forumeve kontinentale europiane dhe atyre ndërkombëtare. Përmendim Kartën e OKB-s, (1945), Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut (1948), Marrëveshjen e Helsinkit (1975), Konventën e Kopenhagës dhe Kartën e Parisit (1990). Në Deklaratën Universale të të Drejtabë të Njeriut thuhet: “Të gjithë njerëzit kanë lindur të lirë e të barabartë në dinjtet dhe të drejat. Ata janë të pajisur me arsye e ndërgjegje dhe duhet të veprojnë ndaj njëri-tjetrit në frymën e vëllazërimit.” Në klauzolat e Marrëveshjes së Helsinkit, po ashtu, shtrohen detyrime për vënien në jetë të të drejtave të njeriut.
Europa e sotme, Europa e Bashkuar, duke u përpjekur të futë në gjirin e saj ato pak shtete që kanë mbetur jashtë saj, po konturohet si një bashkim shtetesh në frymën humane të realizimit të plotë të lirisë dhe të të drejtave të njeriut.

* * *

Si një popull i lashtë, trashëgimtarë ilirësh, populli ynë ka një traditë zakonore, që është pasqyrë e tejndritshme e trajtimit dhe vlerësimit të lirisë dhe të të drejtave të njeriut. Për të mos u zgjatur, po jap vetëm esencën e kësaj tradite, pa e ilustruar me nenet kanunore. Liria e individit, për kanunësinë tonë kanunore, është e natyrës së njeriut, pajë e tij shpirtërore, atribut që i takon çdo individi; një atribut universal, pa kurrfarë dallimi të shtresës shoqërore, të pronës e të pasurisë, të fisnikërisë, të paraqitjes fizike, etj. Këndej buron barazia e individit para ligjit, dhe prej kësaj barazie buron respekti për dinjitetin e njeriut. E gjithë ligjësia dokesore jona mbështetet në këtë barazi dhe respekt të individit. Studiuesi dhe përkthyesi në anglisht i Kanunit, shkencëtari i nderuar Leonard Fox, ka shkruar: “Kanuni është shprehja dhe pasqyrimi i karakterit shqiptar, i cili mishëron një moralitet të pakompromis, të bazuar tek drejtësia, nderi, dhe respekti për vetëveten dhe për të tjerët”.
Nuk ndodh kështu me ligjet pozitive të hershme dhe me normat e së drejtës zakonore të popujve të tjerë. Në ligjet e Hamurabit bëhen dallime në përcaktimin e dënimeve, duke u nisur nga shtresa shoqërore, së cilës i përket fajtori. Kështu, për të njëjtin faj, një person që i takonte shtresës së lartë dënohej shumë më lehtë se një i shtresës së ulët. Kështu është edhe në Kanunin e Stefan Dushanit, që është një kombinim i së drejtës bizantine me të drejtën zakonore sllave.
Dihet që kanuni ynë u njihte barazinë e të drejtave vetëm burrave, çka për kohën nuk është për t’u çuditur. “Forca e Kanunit, ka shkruar Ardian Ndreca, qëndron në këtë barazi antropologjike të gjithë individëve të gjinisë mashkullore. Në qoftë se kjo barazi do të kishte përfshi edhe individët e seksit femnor, atëherë me të drejtë do të mund të kishim folë për nji vision metafizik të substancës njerëzore.”
Demokracitë e hershme kanë pasur mangësi nga më të ndryshmet. Demokracia e Greqisë së lashtë qe demokraci skllavo-pronare; ajo nuk u siguronte të drejta dhe liri skllevërve dhe të huajve. Edhe në Amerikë, lufta për çlirimin e skllevërve kërkoi një kohë mjaft të gjatë. E njëjta gjë ka ndodhur me trajtimin shoqëror të gruas, që e fitoi të drejtën e votës vetëm në vitet ’60 të shekullit të kaluar.

* * *

Përsa i takon lirisë kombëtare, e themi me plotgojë që e gjithë historia e popullit tonë, duke u nisur që nga të parët tanë ilirë, është histori e luftës për liri. Si një popull i lashtë me vlera të larta shpirtërore, e ka vlerësuar lirinë kombëtare si gjënë më të shtrenjtë dhe është përpjekur pa reshtur për ta njëmendësuar, ka luftuar dhe është flijuar për të. Këtë e dëshmon historia. Malet tona kanë jetuar gjithmonë të lira. “Tipari kryesor i karakterit të shqiptarit është dashuria për liri. Ky popull i ka qëndruar të gjitha pushtimeve e nuk i është nënshtruar asnjë pushtuesi, që nga kohët më të lashta e deri më sot.” (Gaumont).
Në një mori fjalësh të urta të popullit tonë është pasqyruar vlerësimi tejet i lartë i lirisë së atdheut. Nuk është e rastit që në Drenicë, një nga vatrat gjithmonë të ndezura të luftës për liri, jeton fjala e urtë: “Liria asht e shejtë”. Ja disa proverba për lirinë e atdheut, që jetojnë në gojën e shqiptarit të të gjitha trojeve tona: “Liria vjen kur s’i druhesh vdekjes”, “Liria nuk blehet, por fitohet”, “Liria nuk falet, por fitohet”.
“Liria individuale dhe ajo kombëtare, ka thënë Niçe, matet prej rezistencës që duhet kapërcyer”, çka është dëshmuar gjithnjë në historinë tonë të të gjitha kohërave. “Vlera e një populli matet nëpër forcën e rezistencës së tregueme gjatë etapave historike të pafavorshme. Nji popull asht aq i madh sa të jetë e madhe rezistenca e tij. Nji popull nuk zhduket si komb nga historia, shtypjet, okupacionet e kulturat anësore, po qe se ai ka me çka të rezistojë, madje po pati vitalitet e thesar kulturor e sidomos shpirtnor që të asimilojë t’ ardhunit . . .”, ka shkruar At Konrad Gjolaj.
Dëshira për liri ka qenë gjithnjë një tipar i rrënjosur në shpirtin e shqiptarit. Çabej ka shkruar: “Si familja ashtu edhe heroizmi dhe një dëshirë e flaktë për liri janë shtysa të forta në karakterin dhe në qëndrimin shpirtëror të shqiptarëve dhe të stërgjyshërve të tyre ilirë.” Është fakt historik që ilirët u pushtuan më vonë se grekët, megjithëse u sulmuan para tyre. Dhe edhe mbas pushtimit ilirët e vazhduan luftën për të rifituar lirinë. Numërohen më se dyqind kryengritje që bënë ata për këtë qëllim.
Është për t’u vënë në dukje – dhe kjo duhet përsëritur shpesh që ta dëgjojë Europa, – që populli ynë, duke vlërsuar lirinë si gjë të shtrenjtë, duke luftuar e punuar për të, ka respektuar lirinë e të tjerëve, gjë që nuk e kanë bërë komshinjtë tanë. Ai nuk i është shmangur asnjë herë prakut të atdhetarizmit për të kaluar në shovimizëm; as me fjalë e as me vepra.

* * *

Përvoja e hidhur e gjysmës së dytë të shekullit që kaloi, tirania e dispotizmi i diktaturës, çmenduria e ideologjisë komuniste, shterpësia e jetës, zvetënimi, ankthi, frika, që zgjatën afër një gjysmë shekulli, i dhanë një rrezatim diellor, një aereolë të shenjtëruar kuptimit, dëshirës, gjakimit, ëndrrës, shpresës për lirinë. Por kur ajo na erdhi, ne e humbëm drejtpeshimin si individ e si popull, nuk e kuptuam mirë, nuk e vlerësuam drejt, nuk qemë në gjendje ta përdorim si duhet dhe, si pasojë, nuk qemë të aftë ta ndërtojmë atë në shpirtin dhe në shoqërinë tonë. Humbja e drejtpeshimit të një populli është një gjë e tmerrshme.
Aq e dëshiruar e aq e mirëpritur, liria na erdhi disi si e çoroditur; sepse ne na kishte çoroditur trysnia e fortë, e gjatë dhe e errët e diktaturës; prandaj ajo na u duk si e huaj, si një gjë që na përkiste, por që nuk po e bënim dot tonën. Na u krijua një gjendje kaotike, e turbullt, në të cilën jo vetëm nuk po dinim të orientoheshim, por nuk po njihnim as njëri-tjetrin. Kjo vinte, ndoshta, ngase ne qemë larguar aq shumë prej vlerave tona etnike vlerat perëndimore nuk i njihnim, dhe në atë turbullirë mendore e shpirtërore, individuale e shoqërore, nuk po dinim se ç’ duhej bërë me të.
Kur Shqipëria, në rrokopujën e krijuar në vitet e para pas Shpalljes së Pavarësisë, e pati humbur drejtpeshimin, pati përjetuar pikërisht këtë gjendje shpirtërore të çoroditur, këtë konfuzion shpirtëror e shoqëror, Konica pati shkruar: “Shqipërinë ua dhanë Shqipëtarëve dhe nuk dinë çka të bëjnë me të.” Mund ta perifrazojmë plotësisht këtë shprehje të Konicës, sepse kështu na ndodhi me lirinë, në vitet e para të dekadës së fundit të shekullit që kaluam. E fituam, sepse e meritonim, e fituam ngase u përpoqëm, apo sepse çmendurisë së kuqe i kishte ardhur fundi; më drejt: të tria së bashku, sido që ta marrim, ne e keqpërdorëm atë, e çuam veten tonë, vendin tonë drejt një rrokullisjeje marramendëse. Ky qe fati që diktatura i pati përgatitur popullit tonë dhe që vazhdonte t’ia gatuante me duart e saj, me njerëzit e saj.
Është e paharrueshme se si na erdhi liria mbas shembjes së diktaturës. Para së gjithash, me pasigurinë, me një varfëri të skajshme, që u thellua edhe më tepër nga shkatërrimi i ekonomisë socialiste. Banda të organizuara nga komunistët, që donin të ruanin pushtetin me çdo kusht, kryesisht nga frika se do të humbnin privilegjet dhe sidomos nga frika se do të paguanin për krimet e tyre të llojllojshme deri tek ato të përgjakshmet e të stërpërgjakshmet, morën në dorë pishtarin e zjarrit dhe sopatën e prerjes.
Pamë me sytë tonë se si digjeshin fabrika, se si priteshin vreshta e ullishta; na dhimbti zemra e na dhemb edhe sot kur e kujtojmë, duke parë se si prisheshin trenat e autobusët, pamë vetëm rrënim. Një rrënim i pashembullt!. Kështu, ata donin ta trembnin popullin: “Doni liri, demokraci? – Ja kjo është liria, demokracia: pasiguri, vrasje, djegie, vjedhje.” Po ky shkatërrim u përsërit përdhunshëm në vitin e nëmur 1997, kur komunistët dhe pjella e tyre u ngritën lugat për të dëshmuar: “Ne jemi, i takojmë kësaj toke, nuk ka gjë që na heq.”
Të pafuqishëm për ta ndryshuar gjendjen, në një kohë kur politika e shtërpësisë së idealeve, politika meskine e individëve dhe grupeve që kanë si qëllim vetëm përfitimin vetjak nuk e kishte vënë fare ujin në zjarr për të shëruar trashëgiminë e kuqe; jo pak shqiptarë menduan ta gjejnë lirinë jashtë atdheut dhe atëherë ndodhi ajo që pati filluar më parë me shkeljen e kufijve, vazhdoi me ambasadat, anijet, etj. dhe që vazhdon edhe sot në mënyrat më të ndryshme. Shqiptari filloi të mendojë se lirinë, sigurinë dhe mirëqenien mund t’i gjejë në vend të huaj.
Po kjo liri vetjake, liria në vend të huaj, ka një shije fare të largët, krejt të zbehtë ndaj lirisë që kërkuam dhe pritëm në ato vite dhune, sepse kjo nuk është liria, demokracia e popullit tënd, liria e atdheut tënd. Nuk ka asnjë vlerë njerëzore më të lartë, më fisnike se liria vetjake e pajtuar me lirinë e atdheut dhe të popullit tënd; një gjendje e tillë ku populli ndërton jetën e vet, gjykon të kaluarën dhe krijon të ardhmen mbi bazën e vullnetit të tij të lirë, të ushqyer nga ideali i shenjtë atdhetar dhe ndjenja e madhe e dashurisë për atdheun; ajo që magjeps çdo shpirt fisnik.
Sot jemi një popull që e ka humbur besimin te politika. Vitet e tërhequra zvarrë të tranzicionit nuk arritën të ndërtojnë një demokraci të ndershme që u siguron të drejtat individuale qytetarëve; ato qenë thjesht vite të forcimit të pushtetit politik dhe ekonomik të ish-komunistëve.
Legjislacioni i sotëm në vendin tonë ka mangësi. Ligji për pronën, që u miratua që në fillimet e viteve ’90, nuk është i drejtë. Por edhe kur bëhen ligje të mira, ato mbeten në letër. Korruptimi, paaftësia, po edhe mosdashja e administratës qeveritare, e institucioneve të drejtësisë, dhe politikës, në përgjithësi, nëpërkëmbin haptas, mohojnë dhe sabotojnë të drejtat e qytetarit para ligjit.
Sot është një imperativ i shoqërisë shqiptare dhe, në vend të parë, i shtresës intelektuale që të vihet në ballë të punës pa rezervë për sigurimin e plotë të lirisë dhe të të drejtave të individit, dhe të ndërgjegjësojë popullin për një gjë të tillë. Ndërgjegjësimi i popullit për t’u bërë faktor vendimtar në luftën për realizimin e lirisë dhe të të drejtave të individit është detyrë numër një e inteligjencës. Përpjekjet që po bëhen në këtë drejtim janë të pamjaftueshme dhe deri më sot nuk kanë qenë në gjendje të ndikojnë mbi politikën që drejtohet prej pjellave të diktaturës.