Lirohen nga paraburgimi tre serbët e Kosovës të arrestuar në Serbi

Prishtinë, 25 maj 2023 – Autoritetet e Serbisë i kanë liruar nga paraburgimi të enjten tre serbë të Kosovës, të cilët janë ndaluar me motivacion se “kanë punuar kundër rendit kushtetues të Serbisë” dhe “kanë synuar ndryshimin e dhunshëm të rendit kushtetues të Serbisë”.

Ivan Niniq, avokati i njërit prej të ndaluarve, Dragan Nikoliqit nga Leposaviqi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se, klienti i tij është liruar, për shkak të mungesës së provave, ndonëse një javë më parë i është vazhduar paraburgimi për 30 ditë.

Leposaviqi është komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe.

“Pesë dëshmitarët e parë erdhën, refuzuan të dëshmojnë, duke thënë se kishin frikë për sigurinë e tyre, pastaj u thirrën edhe katër dëshmitarë, një dëshmitar erdhi dhe tre jo. Prokurori ka konstatuar se nuk ka asnjë mënyrë për të siguruar praninë e tyre, duke qenë se ata janë në territorin e Kosovës dhe Serbia nuk ka mekanizma që t’i detyrojë të vijnë”, ka thënë Niniq, duke theksuar se këta dëshmitarë janë identifikuar nga Policia e Serbisë.

Dragan Nikoliq, ish-polic i Kosovës, ka dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, si pjesë e dorëheqjeve kolektive të serbëve në veri, nga institucionet e Kosovës.

Dragan Nikoliq dhe tre serbët tjerë nga Kosova janë arrestuar në muajin prill, teksa kanë qenë duke e kaluar pikën kufitare me Serbinë.

Avokati i Nikoliqit, Niniq, ka thënë se personi i katërt nuk është liruar, për shkak të “përfundimit të disa veprimeve dëshmuese”.

Ai e ka përsëritur dyshimin e tij se ky proces është “i inskenuar politikisht”, dhe se prokuroria nuk ka asnjë provë konkrete.

Niniq i ka thënë më parë Radios Evropa e Lirë se të gjithë dëshmitarët e kanë një të përbashkët: “Ata i marrin rrogat nga buxhetet komunale në veri të Kosovës”, pra janë nën “kontrollin e Listës Serbe”, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, e cila e ka mbështetjen e Beogradit.

Autoritetet serbe nuk i kanë raportuar në media këto arrestime, por avokatët e të arrestuarve e kanë njoftuar opinionin për to.

(REL)