Lirohet nga detyra Ekipi Menaxhues për hartimin e draftit të statutit të Asociacionit

Prishtinë, 3 maj 2023 – Ministri i Administrimit të Pushtetit lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se ka liruar nga detyra Ekipin Menaxhues për hartimin e draftit të statutit të Asociacionit të komunave më shumicë serbe në Kosovë.

Krasniqi ka bërë të ditur se Ekipi Menaxhues mbetet pa status, pas prezantimit të draftit të statutit që u bë në takimin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë,Aleksandar Vuçiq, të martën në Bruksel. Prandaj sot ka marrë vendim për lirimin nga degtyra të këtij ekipi.

“Pas prezantimit të djeshëm në Bruksel të draftstatusit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas përgjegjësive që i ishin dhënë Ekipit Menaxhues në marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, ky ekip tash edhe vet është pa status. Andaj, sot, me datë 03 maj 2023, kam marr vendim për lirimin nga detyra të anëtarëve të këtij ekipi menaxhues, në përbërje të Danijela Vujiqiq, Jelena Bolovic, Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka thënë se ky vendim i tij bazohet në Marrëveshjet e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Vendimi i parë për themelimin e Ekipit Menaxhues për hartimin e draftit të Statutit të asociacionit ishte marrë në qershor të vitit 2013, nga  Qeveria e Hashim Thaçit. Vendimi i dytë ishte marrë në qershor të vitit 2016, nga Qeveria e Isa Mustafës, kurse vendimi i tretë ishte marrë në shtator të vitit 2020, nga Qeveria e Avdullah Hotit.

Nga përbërja fillestare e ekipit deri sot kishin mbetur vetëm dy anëtarë: Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq. Dy të tjerët janë ndërruar vazhdimisht, ndërsa anëtarja më e re e ekipit, Danijela Vujiçiq, ishte emëruar me vendimin e vitit 2020. Ajo ishte emëruar njëkohësisht edhe koordinatore e Ekipit Menaxhues.

Procesi i hartimit të draftit të statutit të Asociacionit është zhvilluar pothuajse në diskrecion. Vetëm nga mediet serbe është mësuar se në draft do të parashikoheshin kompetenca ekzekutive të Asociacionit në fushën e zhvillimit ekonomik, në shëndetësi, në arsim dhe në planifikimin hapësinor.

Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë për formimin e Asociacionit të komunave meshumicë serbe në Kosovë ishte nënshkruar në vitin 2013, ndërsa për parimet e tij palët ishin pajtuar në vitin 2015.

Tani Kosova përballet me trysninë e faktorit ndërkombëtar për formimin e Asociacionit.

Ndonëse nuk përmendet në mënyrë specifike, formimi i tij është përfshirë edhe në Marrëveshjen bazë me të cilën palët janë pajtuar në muajin shkurt.

(r.m.)