Lirohet nga paraburgimi njëri nga tre të arrestuarit për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Prishtinë, 11 janar 2022 – Njëri nga tre personat e arrestuar për vrasjen e trefishtë që ndodhi në Gllogjan të Deçanit është liruar nga paraburgimi me propozim të Prokurorisë së Shtetit.

M.M i është zëvendësuar masa e paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak. Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, avokati i tij Taulant Broqi.

“Klienti im është liruar me propozim të prokurorit për shkak se në ditën kritike kur ka ndodhur rasti ai ka qenë në vendin e tij të punës në Gjakovë, për këtë arsye është liruar edhe në arrest shtëpiak”, ka thënë Broqi.

Në ditën e arrestimit, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj, tregoi se arrestimet janë kryer pas disa bastisje në disa lokacione të caktuara në lidhje me këtë ngjarje.

Të arrestuarve u është konfiskuar një pistoletë dhe një pushkë kallashnikov.

Mbrëmjen e 26 nëntorit, tre persona – në mesin e tyre dy nxënës – mbetën të vrarë nga të shtënat në drejtim të një autobusi në afërsi të fshatit Gllogjan të Komunës së Deçanit.

(Telegrafi)