Lista Serbe e përdor Asociacionin për shantazh ndaj Qeverisë së Kosovës

Prishtinë, 19 tetor 2021 – Pas fitores në nëntë komunat me shumicë serbe dhe shkuarjes në balotazh në një komunë, Lista Serbe ka dërguar mesazhe se mund të tërhiqet nga institucionet e Kosovës.

Se mund të ndodhë një gjë e tillë, këtë e ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në rast se nuk do të ketë fillim të procesit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Njohësit e zhvillimeve politike, Donika Emini, thotë se kërcënime dhe shantazhe nga Lista Serbe ndaj institucioneve politike të Kosovës, e sidomos qeverisë ka pasur edhe më parë dhe ato në shumicën e rasteve kanë qenë kërcënime të zbrazëta. Por, megjithatë, siç thotë ajo, Qeveria e Kosovës duhet të jetë e vëmendshme në këtë pikë.

Miodrag Marinkoviq, drejtor i Qendrës për Veprime Shoqërore Afirmative nga Mitrovica e Veriut, thotë se është vështirë të përcaktohet nëse kërcënimi i Listës Serbe është i vërtetë apo është vetëm edhe një formë e presionit ndaj Qeverisë së Kosovës.

Në një konferencë për media, pas shpalljes së rezultateve preliminare të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, Goran Rakiq e ka deklaruar fitoren e partisë së tij në të gjitha komunat, edhe pse komuna e Kllokotit do ta vazhdojë garën në balotazh për kryetar të komunës.

“Po luftojmë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në qoftë se nuk do të ketë Asociacion, nuk do të ketë as institucione të Kosovës”, ka thënë Rakiq, duke shtuar se kjo do të ndodhë në rast bisedimet për Asociacionin nuk do të nisin deri në muajin e ardhshëm.

Por, drejtori i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, më 18 tetor ka deklaruar se në rast se nuk do të nisë formimi i Asociacionit, “Lista Serbe dhe populli serb do të dalin nga të gjitha institucionet e Prishtinës në veri të Kosovës”.

Emini: Vuçiq synon krizën politike në Kosovë

Njohësja e zhvillimeve politike, Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e platformës CiviKos, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë thekson që deklarata e kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, nuk është kërcënimi i parë i këtij lloji që vjen nga ky subjekt politik. Sipas saj, manovra e tyre politike është shantazh i vazhdueshëm ndaj institucioneve politike në Kosovë, kryesisht qeverisë. Por, sipas Eminit, përderisa në qeverisjet e kaluara Lista Serbe e ka pasur rehatinë që të dërgojë porosi kërcënuese, madje edhe kërcënime që kanë qenë të zbrazëta, ato kanë krijuar një lloj paniku për shkak se qeverisjet e kaluara kanë qenë të varura nga mungesa e numrave në kuvend dhe pjesëmarrja në qeverisje e Listës Serbe.

Siç thotë Emini, tashmë një rast i tillë nuk është me qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka shumicën në Kuvendin e Kosovës, si dhe qeverisë e vetme. Për më shumë, sipas saj Lista Serbe nuk është ajo që vendos nëse Kosova do të ekzistojë si shtet ose nëse institucionet e saj do të ekzistojnë.

“Nëse ai (Rakiq) e ka pasur fjalën në mënyrë specifike për institucionet e Kosovës në komunat me shumicë serbe, atëherë kjo duhet të merret seriozisht, për faktin që (presidenti i Serbisë, Alleksandar) Vuçiq është në një pozitë të pafavorshme politike pas dy incidenteve në veriun e Kosovës. Normalisht që ai do të bëjë të pamundurën që të krijojë kriza politike në Kosovë apo të çojë mesazhe në Bruksel që marrëveshjet që janë arritur deri më tash në Bruksel, janë marrëveshje që nuk po zbatohen dhe kështu ta hedhë fajin te Prishtina”, thotë Emini.

Ajo shton se që nga formimi i qeverisë në krye të së cilës është Albin Kurti, si dhe kthimit në dialog të Brukselit, presidenti serb Alleksandar Vuçiq ka tentuar që ta ketë Asociacionin e komunave me shumicë serbe si temë diskutimi, gjë të cilët Qeveria e Kosovës e ka refuzuar.

Kërcënimi i Listës Serbe, blof apo i vërtetë?

Emini thekson se kërcënimet e kreut të Listës Serbe, Rakiq, mund të jenë një blof, por sipas saj, Qeveria e Kosovës duhet ta ketë parasysh situatën e krijuar në veri të Kosovës pas dy intervenimeve të policisë atje, për vendosjen e masave të reciprocitetit për targat, si dhe për luftën kundër kontrabandës. Në intervenimin e fundit, sipas saj, janë shënuar edhe sulme ndaj policisë, por edhe ndaj gazetarëve nga individë të caktuar në veri të vendit dhe siç thotë Emini, kjo tregon se situata në veri është duke u përshkallëzuar.

Siç thotë Emini, në rast se deklarata e Rakiqit nuk është blof dhe serbët braktisin institucionet e Kosovës, atëherë kjo mund t’i dëmtojë institucionet e vendit, por edhe raportet e institucioneve me qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë.

“I gjithë ky progres që është arritur deri më tash dhe ku Kosova ka investuar shumë, do të kthehet në pikën zero dhe kjo do ta dëmtojë pastaj edhe pozicionin tonë (të Kosovë) në Bruksel. Normalisht që kjo do të krijojë edhe probleme të tjera, ku në mënyrë potenciale komunat mundet ta shpallin njëanshëm Asociacionin e komunave me shumicë serbe, gjë që më pas, besoj që do të krijojë probleme, të cilat mund të sjellin edhe incidente ndëretnike në Kosovë”, shprehet Emini.

Ajo shton se në rast se realizohet kërcënimi i Rakiqit, përveç katër komunave veri, do të dezintegrohen edhe komunat me shumicë serbe në pjesën qendrore të Kosovës.

E gjithë kjo situatë, sipas saj, është mesazh që Kosova duhet të përgatitet mirë për dialogun me Serbinë dhe që në rast se Kosova nuk e pranon formimin e Asociacionit, atëherë duhet ta ketë një propozim që e zëvendëson atë marrëveshje ose të jetë e gatshme për ta negociuar sërish ose për ta hedhur poshtë atë.

Marinkoviq: Lista Serbe ka mekanizma për të çrregulluar veprimtarinë institucionale

Miodrag Marinkoviq, drejtor i Qendrës për Veprime Shoqërore Afirmative nga Mitrovica e Veriut, konsideron që në këtë moment është shumë e vështirë të arrihet në përfundim nëse Lista Serbe me të vërtetë planifikon të largohet nga institucionet e Kosovës deri në fund të nëntorit, në qoftë se nuk fillojnë bisedimet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe apo e gjithë kjo është një lloj presioni ndaj Qeverisë së Albin Kurtit.

Siç thotë Marinkoviq, Lista Serbe, Beogradi zyrtar dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, po përpiqen që përmes metodave të ndryshme të detyrojnë kryeministrin e Kosovës që të përfshihet në dialog me kapacitet të plotë, gjegjësisht që të pranojë një zgjidhje kompromisi për Kosovën.

“Në këtë kuptim, Beogradi ka më shumë mekanizma për të vepruar sesa Bashkimi Evropian, sepse e kontrollon Listën Serbe në terren, ndërkaq Lista Serbe ka disa mekanizma me të cilat mund të çrregullojë veprimtarinë institucionale në Kosovë. Njëra prej tyre është tërheqja nga institucionet dhe kjo është e rëndësishme, sepse në Kosovë, vendimet e rëndësishme merren me konsensus”, thotë Marinkoviq.

Por, ai thekson se vendimi eventual i Listës Serbe për t’u tërhequr nga institucionet, në këtë kohë nuk do të ketë efekt të madh, sepse Albin Kurti ka një qeveri të qëndrueshme dhe sipas tij, në skenën politike është e dukshme që “nuk ka lëvizje të planifikuara që do të kërkonin pjesëmarrjen e përfaqësuesve serbë”.

Marinkoviq shton që Beogradi, përmes Listës Serbe, në të vërtetë po e përdor çështjen e Asociacionit për të bërë presion mbi Prishtinën, përkundër se është i vetëdijshëm që formimi i tij nuk është i mundur në aktualisht.

Siç thotë ai, “me veprimet e tilla, Serbia po e shtynë Kosovën që ajo të jetë pala, e cila do ta refuzojë zbatimin e Marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, në mënyrë që dialogu ta humbë legjitimitetin, ndërkaq që presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq sërish të përfitojë mundësinë që të ngritë çështjen e shkëmbimit territorial.

Vazhdimësia e kërcënimeve “të zbrazëta”

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Zyrës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të marrë një reagim lidhur me deklaratat e Goran Rakiqit. Por, zyrtarët e kësaj zyre kanë refuzuar të flasin lidhur me këtë çështje.

Nga Lista Serbe, askush nuk iu përgjigj thirrjeve dhe mesazheve të Radios Evropa e Lirë.

Përfaqësuesit e Listës Serbe u patën tërhequr formalisht nga puna e Qeverisë së Kosovës në nëntor të viti 2018, për shkak se ajo vendosi taksës prej 100 për qind për mallrat nga Serbia.

Që atëherë, Lista Serbe në disa raste kishte paralajmëruar se do të largohet nga institucionet e Kosovës, gjë që nuk ndodhi.

Në shkurt të vitit 2019, presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, kishte thënë se serbët e Kosovës i kërkuan të tërhiqen nga institucionet e Kosovës, por ai u kërkoi atyre “të prisnin 45 ditë”.

Në fund të majit të po atij viti, paralajmërimet për tërheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës u bënë sërish. Drejtori i atëhershëm i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, deklaroi se në takimin e serbëve nga Kosova me presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq, u arritën disa konkluzione dhe që njëra prej tyre i referohej braktisjes së institucioneve të Kosovës.

“Të gjithë përfaqësuesit politikë të popullit serb në territorin e Kosovës, në çdo vend dhe në çdo kohë, duhet të jenë të gatshëm të luftojnë me të gjitha forcat për interesat e popullit të tyre, dhe nëse e imponojnë rrethanat politike, atëherë ata t’i braktisin funksionet e tyre”, thuhet në dokument.

Pastaj, në dhjetor të vitit 2019, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, kishte deklaruar se do të braktiseshin institucionet e Kosovës në qoftë se do të merrej një vendim i plotfuqishëm kundër deputetit Ivan Todosijeviq, për shkak të mohimit të krimeve në Reçak. Vendimi përfundimtar, i cili konfirmon dënimin e Todosijeviqit me dy vjet burg, u mor në gushtin e vitit 2021.

Më pas u bë edhe një paralajmërim. Drejtori i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, pas mbledhjes me përfaqësuesit e Listës Serbe në Beograd, më 13 tetor të vitit të kaluar, theksoi që në qoftë se nuk formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, Serbia do ta shqyrtojë daljen e serbëve nga institucionet e Kosovës.

Pas kësaj deklarate të Petkoviqit, po ashtu Goran Rakiq deklaroi që përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë do ta shqyrtonin daljen nga institucionet. Asokohe, Rakiq ishte në pozitën e zëvendëskryeministrit në qeverinë e Avdullah Hotit.

(REL)

Comment

*