Konjufca: Lista Serbe po e shantazhon Kuvendin e Kosovës

Prishtinë, 16 nëntor 2021 – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka akuzuar Listën Serbe se është duke e shantazhuar Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, duke mos marrë pjesë në mbledhjet e saj.

“Ma merr mendja që Lista Serbe është duke e bojkotuar qëllimshëm dhe në mënyrë të vazhdueshme Kryesinë e Kuvendit të Kosovës. Kjo është e papranueshme për ne. Ne nuk pranojmë kurrfarë shantazhi, aq më keq që Lista Serbe është duke e bërë shantazhin në mënyrë publike, pa e fshehur, bile me një strategji të shfaqjes së këtij bojkoti”, ka thënë Konjufca, pas mbledhjes së dështuar të Kryesisë së Kuvendit.

Mbledhja e sotme e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës nuk është mbajtur për shkak të mungesës së kuorumit për marrjen e vendimeve.

Konjufca ka treguar se Sllavko Simiq është larguar qëllimisht nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, për të pamundësuar mbajtjen e saj, dhe se ai ka vepruar kështu edhe në mbledhjen e kaluar të Kryesisë.

“Zotëri Simiq po vjen këtu, po shfaqet, nuk është se po mungon nga fillimi, por po vjen, po e sheh që jemi katër, që është numri i mjaftueshëm për mbajtjen e mbledhjeve, dhe po largohet që të mbesim tre e të mos mund të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. Kështu ka ndodhur edhe herën e kaluar. Ne ishim katër.  Sapo filluam, Sllavko Simiqi, kur e pa që jemi në pragun e kuorumit për të marrë vendime, foli në telefon me dikë dhe u largua. Këtë e ka bërë edhe sot”, ka thënë Konjufca.

“Përmes kësaj Lista Serbe po do të tregojë një lloj kushtëzimi për institucionet e Kosovës, por ky kushtëzim nuk pranohet”, ka shtuar ai.

Konjufca ka thënë se një gjë e tillë nuk do të tolerohet dhe ka theksuar se bojkoti i Listës Serbe do të minimizohet me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në vend të Bedri Hamzës, i cili është zgjedhur kryetar i komunës së Mitrovicës Jugore.

“Mendoj me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja do të konsolidohet edhe më mirë Kryesia dhe nuk do të vërehet bojkoti nga ana e Listës Serbe”, është shprehur ai.

(r.m.)

Comment

*