Listat e kandidatëve, Sequi: Presim përfaqësimin prej 30% të femrave

TIRANË- Teksa pritet që partitë politike të shpallin sot listat për deputetë, kreu i prezencës së Bashkimit Evropian në Tiranë kërkoi të respektohet kriteri prej 30 përqind për përfaqësimin e grave nëlistat zgjedhore.
Në aktivitetin me temë “Zhvillimi i demokracisë përmes barazisë gjinore”, duke e cilësuar përfshirjen e grave në politikë, si një pikë të rëndësishme të axhendës europiane, Sequi tha se nuk ka arsye që partitë të justifikojnë mospërfshirjen e grave në politikë.
“Në tetor, Bashkimi Europian paraqet raportin për Shqipërinë. Në raport përveç ecurisë së zgjedhjeve do të donim të kishim edhe arritjen e kriterit për përfaqësimin prej 30 për qind të femrave në politikë. Sot dorëzohen listat zgjedhore dhe presim që të plotësohet kriteri 30 % për femrat”, theksoi Sequi.
Ambasadori i BE-së veçoi gjithashtu se partitë politike nuk duhet të ngurojnë ti japin grave shansin për t`u përfshirë, konkretisht ashtu siç ndodh dhe në jetën e përditshme.
“Kjo nuk është vetëm një mundësi por një përgjegjësi. BE është i ndjeshëm ndaj pjesëmarrjes së gruas në politikë. Futja dhe tejkalimi i kuotës prej 30% ka qenë një nga kushtet e vendosura nga BE”, tha ai.
Ndërkohë Ambasadorja e OKB-së në vendin tonë, Zineb Touimi Benjelloun, theksoi se, barazia gjinore është një e drejtë themelore e njeriut. Duke u bazuar në një sondazh të zhvilluar, ajo u shpreh se “75 % e shqiptarëve duan më shumë gra në politikë. Kjo shifër rritet çdo vit. Sipas të pyeturve, gratë në politikë nuk mungojnë për shkak të aftësive, por sepse fusha e politikës është e dominuar prej meshkujve”. Njëkohësisht Benjelloun veçoi se rreth 82% e të pyeturve mendojnë se gratë janë të kualifikuara për t’u bërë pjesë aktive e jetës politike në vend.