Live konferenca mediale Rama-Vuçiq-Zaev për “Ballkanin e Hapur”

Në konferencën mediale pas Ballkanit të Hapur në Tiranë flasin Kryeministrat e Shqipërisë, Edi Rama, verimaqedonasi Zoran Zaev dhe presidenti i serbëve Aleksandër Vuçiq

https://www.facebook.com/watch/live/?ref=notif&v=398839555353506&notif_id=1640075576639099&notif_t=live_video_explicit

Konferencë e përbashkët për shtyp në kuadër të Ballkanit të Hapur

 

Në mbyllje të Agjendës së takimeve mbi Ballkanin e Hapur, liderët pjesëmarrës dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:

 

Kryeministri Edi Rama: Në radhë të parë, dua t’iu uroj mirëseardhjen gazetarëve nga Maqedonia e Veriut dhe Serbia dhe t’i falënderoj të gjithë së bashku, edhe gazetarët tanë, për kohën që i kushtuan kësaj dite intensive dhe për durimin në pritje të kësaj konference shtypi.

Më vjen shumë mirë të informoj sot publikun se kemi nënshkruar një sërë marrëveshjesh, që janë finalizimi i një pune të përbashkët intensive dhe që si jo gjithmonë për vetë natyrën e marrëveshjeve, këto marrëveshje të firmosura sot janë një realitet i prekshëm nesër dhe jo nesër në të ardhmen, por nesër me hyrjen e vitit të ri 2022.

-Marrëveshja për tregun e lirë të punës, e cila sanksionon mundësinë dhe të drejtën e të gjithë qytetarëve të të treja vendeve për të pasur akses të menjëhershëm dhe të barabartë për lejet e punës dhe të qëndrimit.

-Marrëveshja për sistemin e integruar elektronik të shërbimeve, e cila i hap rrugën krijimit të një sistemi të përbashkët elektronik, për t’ju dhënë mundësi të gjithë qytetarëve që duan të marrin shërbime të caktuara, duke filluar që nga aplikimet për t’u regjistruar si të pranishëm në vendin tjetër apo për lejen e punës, e me radhë, që ta bëjnë këtë pa lëvizur nga shtëpia apo vendndodhja e tyre përmes smartphone dhe kompjuterit më të afërt.

-Marrëveshjet ne bllok, për t’i hapur më në fund rrugën të gjithë atyre që prej vitesh ndërveprojnë mes këtyre vendeve si prodhues, si eksportues, si importues produktesh dhe që kanë një histori të vështirë pritjesh, radhësh, verifikimesh, riverifikimesh, e me radhë, duke bërë të mundur që nga janari i vitit të ardhshëm të kalojnë lirisht në kufijtë dhe doganat respektive, pa patur nevojë që të sigurojnë tre herë të njëjtat dokumente, kur vjen puna për gjithë ato dokumenta që lidhen me eksport-importin e produkteve bujqësore apo blegtorale.

E rëndësishme ta nënvijëzoj, marrëveshja bën të mundur që për herë të parë të çelet eksporti i produkteve blegtorale, ku përfshihet dhe ai i kafshëve të gjalla, në bazë të reciprocitetit dhe besimit mes autoriteteve kompetente homologe, që në këtë rast, për tregtuesin funksionojnë si një.

Është një lajm i shumëpritur nga të gjithë ata që janë në fushën e prodhimeve blegtorale dhe të prodhimit të mishit sepse nuk mund ta bëjnë këtë asnjë nga vendet tona me Bashkimin Europian, ende, dhe ndërkohë të gjithë këta prodhues në vendet tona janë të super interesuar për tregje të reja.

Të gjitha këto janë marrëveshje, të cilat janë as më shumë e as më pak, por marrëveshjet e tregut të përbashkët mes vendeve anëtare të Bashkimit Europian, bazuar në të njëjtat parime dhe nevoja të fermerëve dhe të tregut të përbashkët rajonal, i cili përdoret si alibi kundër “Ballkanit të Hapur”, por që mund të arrihet dhe jetësohet vetëm nëpërmjet “Ballkanit të Hapur”.

 

E theksoj që marrëveshjet e firmosura sot janë prova e prekshme e një fakti shumë të thjeshtë; “Ballkani i Hapur” është një nismë që shtyn përpara çka është diskutuar, stërdiskutuar në “Procesin e Berlinit”, çka është dakordësuar dhe stërdakordësuar në zinxhirin e Samiteve të atij procesi dhe asnjëherë nuk është realizuar.

“Ballkani i Hapur” është një njësi zbatimi e “Procesit të Berlinit” dhe njësi realizimi e “Tregut të Përbashkët Rajonal”. Kjo është arsyeja pse ne i jemi bashkuar kësaj nisme. Kjo është arsyeja pse, qysh në ditën e parë, ne e kemi shpallur këtë nismë si një nismë gjithëpërfshirëse.

Kjo është arsyeja pse, në të gjitha rastet, ne nuk ngurrojmë të tre palët e tjera të rajonit të na bashkohen për të mirën e secilës palë, për të mirën e qytetarëve të secilit prej 6 vendeve pjesëmarrëse në përpjekjen për ta çuar përpara ekonominë dhe shoqërinë e Ballkanit Perëndimor.

Sot, po ashtu, besoj ishte e qartë, e thënë drejtpërdrejtë nga Komisioneri Europian për Zgjerimin, se Komisioni Europian e mbështet plotësisht “Ballkanin e Hapur” dhe fton të tre vendet e tjera të bashkohen.

Nëse e vutë re, Komisioneri nënvijëzoi me keqardhje, dështimin e tregut të përbashkët, si një proces, i cili u ndërtua bazuar tek konsensusi.

Arsyeja pse ne e kemi ndërmarrë këtë nismë është pikërisht për të krijuar mundësinë për të gjithë pjesëmarrësit e komunitetit të Ballkanit Perëndimor që ta zgjedhin vetë shpejtësinë me të cilën duan të ecin.

Ne duam të ecim sa më shpejt të jetë e mundur dhe jemi të vetëdijshëm, nga eksperienca e akumuluar gjatë gjithë “Procesit të Berlinit”, se kjo ecje sa më shpejt të jetë e mundur, mund të realizohet vetëm nëse e marrim vetë në dorë fatin tonë, këtu në rajonin tonë.

Duke e mbyllur këtë hyrje dhe duke nënvijëzuar se tanimë nisma po merr formë kuptimplotë, me impakt në jetën dhe punën  e qytetarëve, e për këtë, mbështetja për nismën, qoftë nga administrata amerikane, qoftë nga Komisioni, qoftë nga një sërë vendesh nga Bashkimi Europian, vjen dhe do vazhdojë të rritet si pasojë e faktit që nisma është shumë e qartë; ta bëjmë rajonin tonë një hapësirë ku funksionojnë për qytetarët të katërta liritë e Bashkimit Europian; liria e lëvizjes së njerëzve, të mallrave, të kapitaleve dhe shërbimeve.

Kemi vendosur që në fund të muajit shkurt të vitit të ardhshëm të ritakohemi në Maqedoninë e Veriut, për të vazhduar të çojmë përpara këtë proces dhe kemi vendosur që pas heqjes së barrierave jo tarifore, të cilat i përmenda, për eksportuesit dhe importuesit brenda për brenda hapësirës së këtyre tre vendeve, të adresojmë drejtpërdrejtë heqjen e barrierave tarifore sepse qëllimi ynë është që Ballkani të mos ketë kufij për askënd që do të lëvizë i lirë, që do të lëvizë lirisht mallrat, që do të lëvizë lirisht kapitalet dhe për lëvizjen e lirë të shërbimeve.

Kjo ishte paraqitja e përmbledhur e një pune shumë intensive dhe po ia kaloj menjëherë fjalën presidentit të Republikës së Serbisë, Alexander Vuçiç dhe pas tij, kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Presidenti i Republikës së Serbisë Aleksandër Vuçiç: I dashur Kryeministër i Shqipërisë zoti Rama, I dashur kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Të dashur miq! Dëshiroj që së pari të falënderoj mikun tonë Edi Ramën për mikpritjen këtu në Shqipëri, si në Elbasan, ashtu dhe në Tiranë. Dëshiroj të them që jam vërtetë shumë i lumtur për ato marrëveshje që ne kemi arritur të nënshkruamë sot, pasi ky është kurorëzimi i një pune për dy vite e gjysmë.

Ne i kemi diskutuar këto gjëra, por nuk kishim arritur që të përfundonim disa nga procedurat burokratike, por në sajë të këmbënguljes së të gjithëve ne, të ekipeve tona po ashtu, ne kemi arritur që gjërat të ecnin në mënyrë që qytetarët e vendeve tona, të shikojnë përfitime nga këto arritje dhe që si në Maqedoninë e Veriut, ashtu dhe në Shqipëri, por sigurisht dhe në Serbi.

Dëshiroj të them që kur erdha në Shqipëri, ju kundërvunë Kryeministrit Rama për iniciativën e Ballkanit të Hapur, për ata që thonë që unë dua një Serbi të madhe apo për ata që thonë që Ballkani i Hapur si nismë ka të bëjë me Shqipërinë e madhe. Kjo nismë nuk ka të bëjë as me njërën e as me tjetrën e as me ndonjë Maqedoni të madhe dhe le të mos humbasim në këto diskutime që kanë të bëjnë me të shkuarën sepse duke folur për këto gjëra, ne nuk do të arrijmë dot të bëjmë diçka për të ardhmen, përkundrazi ne duhet të përqendrohemi tek e ardhmja, të diskutojmë për të, ku jemi tashmë dhe si të arrijmë atje. Këto gjëra që ne kemi bërë për fermerët, për prodhuesit tanë e për faktin se si mund të jetojnë më mirë në të ardhmen qytetare të vendeve tona. Pra, ne duam të shikojmë më shumë turistë nga Tirana, nga Shkupi, sigurisht jo vetëm nga këto qytete, por nga të dyja shtetet, që të vijnë në Novisad por edhe se si ju mund të arrini të keni turistë nga e gjithë Serbia që të vijnë në bregdetin aq të bukur që ka Shqipëria, apo në liqenet e mrekullueshme të Maqedonisë së Veriut apo në qytetet tuaja.

Në fund të fundit, kjo punë që ne po bëjmë ka të bëjë me rezultate të prekshme për qytetarët tanë, të mirat që ne u sjellim atyre e duke ardhur sot në Tiranë, unë e them këtë, jo vetëm si individ, por dhe në emër të qytetarëve serbë, dëshiroj të shpreh respektin tim për të gjithë qytetarët e Shqipërisë, të Maqedonisë së Veriut, për familjarët tuaj e dua t’ju mirëpresim në Serbi. Serbinë dua që ta shihni si një shtëpi tuajën të dytë sepse edhe ne dëshirojmë të ndihemi të tillë kur të vijmë në Shqipëri apo në Maqedoninë e Veriut, në Tiranë apo në Shkup, prandaj është e rëndësishme që ne të vazhdojmë punën intensive për të gjitha ato çështje për të cilat foli aq qartë Edi. Pra heqjen e barrierave jo tarifore, më pas atyre tarifore, në mënyrë që të mos ketë më kufi për kompanitë tona, në mënyrë që ne të kemi mundësi të tërheqim edhe më shumë investues të huaj. Për shembull, mbrëmë ne diskutuam disa çështje të rëndësishme me biznesmenë shqiptarë, serbë, maqedonas dhe e pamë se sa të kënaqur ishin ata për të gjitha këto arritje që ne kemi pasur gjate kësaj nisme e kjo është shumë e rëndësishme për ne.

Në fund më lejoni që të falënderoj edhe Zoran Zaev sepse ai vërtetë ka bërë së tepërmi dhe edhe kjo iniciativë ekziston dhe në sajë të tij.

Ne kemi rënë dakord që në çdo konferencë për shtyp, ne të ritheksojmë ftesën që duam t’i bëjmë homologëve tanë në Prishtinë, në Podgoricë, në Sarajevë e për ne është shumë e rëndësishme që të kuptojmë dhe një herë që ne në fund të fundit, po i bëjmë të gjitha këto gjëra për ne, për qytetarët tanë, sepse nuk është se duam të bëjmë thirrje politike apo po i bëjmë këto ftesa politike, por ajo që dëshirojmë të bëjmë, pavarësisht pikëve politike që mund të marrë secili prej nesh, ne dëshirojmë që këto tre kryeqytete të bëhen pjesë tonat në këtë nismë, që të kemi disa gjëra të prekshme. Pra si mund të kemi më shumë turistë nga vendet tona, në vendet tona. Të kemi po ashtu dhe një fond të posaçëm për industrinë e filmit, – ishte një propozim ky i zotit Rama, – edhe të basketbollit e të tjera.

Ne kemi filluar po ashtu dhe diskutime se si mund të ulim për shembull edhe tarifat në autostradat tona për ato vende që janë pjesë e nismës Ballkani i Hapur, po ashtu se si mund të kemi ulje në restorante të ndryshme, në hotele të ndryshme.

Më lejoni të bëj një pyetje, a nuk është ky përfitimi më i drejtpërdrejte i mundshëm për të gjithë ata që po marrin pjesë në këtë nismë? Dhe prandaj ndonjëherë mërzitem me veten time e kam fjalën, sepse ne vazhdojmë të bëjmë thirrje homologëve tanë, sikur nuk do të mund të ekzistonim dot pa ta. Dëshiroj të falenderoj Edi Ramën dhe Zoran Zaev që kanë qenë kaq këmbëngulës në të gjithë këtë gjë dhe e di që e gjithë kjo gjë do të ndryshojë Ballkanin Perëndimor. Ne nuk kemi turp për këtë emër që mbajmë, të këtij rajoni në të cilin jetojmë, apo të kësaj nisme se do t’i sjellim gjithnjë e më shumë të mira qytetarëve tanë, të cilët i kanë parë tashmë disa nga këto arritje.

Ju përshembull e keni dëgjuar këtë debat, për shembull u përmend kushëriri i tij që punonte në një kompani në Shkup e më pas u ftua që të vinte në Beograd. Pra çdo muaj ne na duhet të lëshojmë licenca apo leje që të bëjmë të mundur qëndrimin e tij, por nuk do të ketë më gjëra të tilla, për arsye të këtyre marrëveshjeve, pra lejet e punës në Tiranë, në Beograd, këto do të përdoren dhe në Shkup, pra u dhamë fund këtyre procedurave burokratike, por në të njëjtën kohë na duhet që edhe njerëzit të bëhen më shumë me njëri-tjetrin e me çdo kontakt që ne do të bëjmë të mundur, qoftë në institucione,  qoftë në qeveri apo dekanët, rektorët e fakulteteve të bujqësisë për shembull. Le të përpiqemi që të bëjmë gjëra që njerëzit ta kuptojnë që janë në të mirën e tyre e në të mirën e përbashkët tonën e nëse ne duam që të punojmë në Evropën e bashkuar së bashku, pse jo që tani? Vërtetë që dua të falënderoj dhe një herë mikpritësin tonë, zotin Edi Rama.  

Zoran faleminderit shumë për gjithçka që ke bërë për të gjitha përpjekjet. E di që zyrtarisht do të japësh dorëheqjen nesër, por dua të falënderoj për gjithçka që ke bërë për miqësinë ndërmjet  Serbisë e Maqedonisë së veriut, por dhe miqësinë ndërmjet tre vendeve tona dhe dëshiroj tani t’i uroj dhe mirëseardhjen zotit Kovachevski e të falënderoj nga zemra të gjithë ata që kanë bërë aq shumë punë për të arritur këtu sot e besoj që në maj apo në qershor do të kemi Samitin në Beograd e sëbashku do të organizojmë dhe një panair verërash për të treguar se cilat janë verërat tona më të mira. Do ftojmë jo vetëm partnerë nga rajoni ynë i Ballkanit Perëndimor, por po ashtu edhe nga Europa, por dhe nga lindja që të kemi panairin më të mirë të mundshëm në Europë. Sa do herë të jetë e mundur që ne të punojmë sëbashku, do ta bëjmë këtë gjë e kur të shkojmë në Bruksel, ne do të tregojmë se si do të kemi arritur t’i zgjidhim disa gjëra, qoftë për shembull rrugët e gjelbra sëbashku ose dhe në Kroaci për të parë pikërisht se sa të mira do tu sjellim importuesve dhe eksportuesve.

Faleminderit shumë të gjithëve dhe njëherë dhe faleminderit për mikpritjen tuaj të shkëlqyer!

Kryeministri I Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev:  Të nderuar, president i Republikës së Serbisë, i nderuar kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama, të respektuar përfaqësues së medias, të nderuar qytetarë! Dua të falenderoj Edin dhe popullin shqiptar dhe qeverinë shqiptare për mikpritjen! Të gjithë në ndihemi në shtëpi këtu, pavarësisht nëse jemi në Tiranë, në Shkup apo Beograd.

Sot është dita e fundit e imja në detyrë si kryeministër i Maqedonisë së Veriut dhe nderi dhe kënaqësia është e jashtëzakonshme që unë të marr pjesë drejtpërdrejtë dhe të kontribuoj për zbatimin e misionit fisnik të Ballkanit të hapur, si nismë.

Qysh prej fillimit të nismës, unë dhe kolegët e mi, miqtë dhe vëllezërit e mi,  Aleksandër Vuçiçi dhe Edi Rama kemi nxjerrë në pah faktin se Ballkani i Hapur është një proces auentik i përbashkët që ka nisur nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, por po kështu i krijuar në përfitim të të gjithë rajonit dhe i hapur për të gjitha vendet e rajonit.

Të gjitha vendet që kanë mbetur në rajon, kanë një ftesë të hapur, të qartë dhe të pa ekuivok për t’u bërë pjesë. Ne inkurajojmë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që të kontribuojnë së bashku në këtë fushë të përbashkët për t’u lidhur me njëri-tjetrin, për t’u zhvilluar ekonomikisht, mbi të gjitha pa barriera, pa kufizmie, për të qenë të lirë, për të përshtatur gjithë këtë zhvillim për nevojat e njerzve tanë.

Ne kërkojmë, bëjmë thirrje që të ketë kontribute që nisma e Ballkanit të Hapur të jetë nisma e Ballkanit Perëndimor që të japi të mira, përfitime për të gjithë qytetarët tanë, për jetën e përditshme të tyre përmes një tregu të përbashkët. Sot, përballë qytetarëve të vendeve tona, përballë qytetarëve të rajonit tonë ne paraqesim hapa konkrete. Ne kemi nënshkruar marrëveshjen për ndërlidhjen e skemave të identifikimit elektonik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, si edhe marrëveshjen për kushtet e qasjes së lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor.

Me këto marrëveshje, ne u kemi dhënë mundësi qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, të Shqipërisë dhe Serbisë të kenë qasje në shërbimet elektronike dhe portalet kombëtare të tri vendeve përmes krijimit të identifikimit elektronik, në kuadër të Ballkanit të Hapur me të cilin nisim zbatimin e një qasje të lehtë e të lirë në tregun e punës në të tre vendet.

Kurdo që këto marrëveshje të ratifikohen nga parlamentet e tri vendeve, këta qytetarë do të kenë mundësinë që të lëvizin dhe të punojnë lirisht në të tre vendet. Duke bërë këtë, ne lidhim së bashku burimet tona njerëzore, bëjmë tregun tonë më të madh dhe i lidhim ekonomitë me njëra-tjetrën, duke u bërë më konkurrues, më të fortë dhe më të gatshëm për zhvillim të mëtejshëm.

Ne lidhemi me qëllimin e qartë që njerëzit tanë të ndiejnë përfitime të drejtpërdrejta ekonomike nga të gjitha ato lehtësime që ne mundësojmë këtu. Kontributet dhe përfitimet do të ndihen nga mijëra familje në rajonin tonë për një kohë shumë të shkurtër. Natyrisht, kjo shënon dhe hapa të mëtejshëm të jashtëzakonshëm për evropianizimin e vendeve tona dhe zbatimin e këtyre praktikave në vendet tona sepse ne jemi Evropë. Kur presidenti Vuçiç dhe kryeministri Rama, së bashku me mua, skicuam vizionin e Ballkanit të Hapur ramë dakord që të mos lejojmë mbizotërimin e euroskepticizmit në vendet tona për shkak të dështimit të politikave evropiane. Vlerat dhe idealet evropiane do të jenë gjithmonë më të mëdha, gjithmonë e më tërheqëse se sa administrata evropiane. Në këtë drejtim, Ballkani i Hapur është një kontribut i jashtëzakonshëm i vlerave dhe idealeve të mëdha BE-së. Është një kontribut  për rajonin që na sjell vetëm në një vend, më pranë Be-së vetë. Kur BE-ja dështon, ne kemi detyrimin në mënyrë konstante të ndërmarrim nisma që europianizojnë rajonin dhe që sjellin një jetë më të mirë dhe më evropiane për qytetarët tanë. Brukseli mund të vendosë të ngadalësojë procesin, por europianizimi dhe standardet europiane në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi, nuk duhet të ndalen. Marrëveshjet për qasjen e lirë në tregun e punës mbështetur në parimin e BE-së janë hapa konkrete të zbatimit të praktikave që zbaton vetë BE-ja. Ne po zbatojmë një praktikë të zakontë, tashmë në BE, mbështetur në marrëveshjet që ata kanë midis vendeve anëtare. Për kaq kohë, ne kemi theksuar se Ballkani i Hapur, nuk është zëvendësues I BE-së, por është një lehtësues i idesë evropiane në Ballkan. Ballkani është Europë dhe asgjë më pak se kaq. Natyrisht që të tria vendet mbeten të angazhuara ndaj agjendës së tyre dhe për të përmbushur detyrimet e tyre për t’ju qasur BE-së.

Ballkani i Hapur është një hallkë e fortë, që ka marrë një mbështetje të qartë e të fortë nga bizneset, nga dhomat e tregtisë së vendeve tona, të cilat kanë rënë dakord që Ballkani I Hapur është platforma për të cilën ka nevojë rajoni. Jam falënderues karshi Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e tyre dhe për mbështetjen shumë të fortë të një sërë vendeve të Be-së dhe natyrisht këtë inkurajim të qartë që vjen nga përfaqësues të BE-së. Kjo mbështetje, konfirmon që ne po zbatojmë një proces të një hapësire të përbashkët ekonomike të Ballkanit Perëndimor me rezultate për përfitime për qytetarët tanë.

Më lejoni që ta përmbyll këtë fjalim të fundit në këtë detyrë, duke falënderuar Presidentin Vuçiç, Kryeministrin Rama, për besimin e përbashkët në këtë nismë e nevojat e Ballkanit të Hapur.

Ballkani i Hapur është një proces i pakthimtë. Nuk ka asnjë arsye për t’u larguar nga ky rrugëtim, i cili ekskluzivisht kërkon të nxisë bashkëpunimin e njerëzve në rajon. Nuk ka asnjë nevojë që të mos fshijmë barrierat që pengojnë lirinë e qarkullimit të njerëzve, kapitalit, mallrave e shërbimeve.

Idetë për të cilat kemi folur, mbeten të tilla dhe duhet të jenë pjesë e fazave shumë të rëndësishme të bashkëpunimit në të ardhmen. Do të përmend turizmin, le të fusim komunikimin midis agjencive turistike dhe ministrave të tri vendeve në mënyrë që ata të përcaktojnë një ofertë të përbashkët për tregjet botërore në mënyrë që Ballkani i Hapur të jetë një destinacion tërheqës sepse kemi shumë çfarë t’ju ofrojmë turistëve modernë. E kemi vërtetuar se ky rajon ka disa nga verërat më të mira që gjenden. Gjithashtu prodhuesit e verërave, si pjesë e rrjetit të Ballkanit të Hapur, janë ndërlidhur shumë me njëri-tjetrin, kështu që na duhet që ta ndjekim këtë ide që ta bëjmë këtë rajon edhe destinacion të turizmit të verës. Të zhvillojmë më shumë panaire të verërave dhe gjithashtu qysh prej pranverës së ardhshme, siç e tha dhe presidenti Vuçiç do të organizojmë një panair rajonal të verërave në Beograd për të mbështetur prodhuesit bujqësorë, si dhe ata të prodhimit të verës për të hedhur një hap absolut përpara për ta afirmuar këtë produkt.

Gjithashtu, folëm e njohëm potencialin e bashkëpunimit të vendeve në industrinë filmike. Hapi tjetër në këtë drejtim do të ishte përcaktimi i buxheteve në të tria vendet për ngritjen e një fondi të përbashkët apo komisioni ku mund të ketë bashkëprodhime nga të tria vendet.

Në fund, sigurisht është e rëndësishme që të sigurojmë bashkëpunimin midis të rinjve tanë për të bërë gjithçka që mundemi, për të intensifikuar kontaktet, për të shkëmbyer e për të pasur nisma të përbashkëta midis qeverive të vendeve tona përmes organizimeve të evenimenteve për të rinjtë. Si për shembull: pushime verore të përbashkëta, evenimente kulturore e sportive, qendra shkencore për të cilat na duhen buxhete nistore prej të tria vendeve, të cilat jemi të gatshme t’i japim.

Popujt tanë, ai i Maqedonisë së Veriut, ai i Serbisë dhe Shqipërisë, si dhe popujt e të gjitha vendeve të rajonit kanë përballë të njëjtin shteg, të njëjtin vizion dhe ndajmë të njëjtat vlera që janë vlerat evropiane.

Ne ecim përpara drejt së njëjtës rrugë, që është rruga për t’u bashkuar me BE-në.

I dashur Edi, i dashur Aleksandër,  Ballkani i Hapur, jo vetëm po na sjell bashkë si udhëheqës së të tria vendeve pjesëtare, por për mua ka një vlerë të jashtëzakonshme sepse është miqësia e jashtëzakonshme me ju të dy.

Zhvillimi i Ballkanit të Hapur është diçka që edhe sot e pamë që merr të njëjtin angazhim nga kryeministri i ardhshëm, zotin Kovachevski. Natyrisht kjo do të çojë në përshpejtimin e zbatimit dhe përftimit të të gjitha të mirave nga ky proces për qytetarët e vendeve tona dhe përgjithësisht në Ballkan.

Faleminderit!

 

* * *

-Përshëndetje. Kam një pyetje për secilin prej jush apo për ata që duan të përgjigjen. Cilat janë afatet për të gjitha marrëveshjet që ju nënshkruat sot, kur flasim për tregun e punës dhe pjesën tjetër.

Kryeministri Edi Rama: Do jenë menjëherë pas nënshkrimit. Pas nënshkrimit gjërat do vihen në lëvizje dhe njerëzit që po ndërveprojnë tashmë në rajon midis tre vendeve do kenë një mënyrë krejt ndryshe për t’i çuar produktet e tyre nga njëri vend tjetrin dhe në kalimin në pikat kufitare. Janë të menjëhershme rezultatet.

Presidenti i Republikës së Serbisë Aleksander Vuçiç: Unë do shtoj vetëm një fjali që ka një dallim midis interpretimit të CEFTA- s. Natyrisht ka një interpretim që ne po e nisim me gjithçka, do zbatohet gjithçka. Jemi  pranë përfundimit të nënshkrimeve elektronike dhe në momentin që mbaron me pranimin e këtyre nënshkrimeve elektronike nuk do ketë asnjë problem, qoftë me lejet e punë sapo me gjërat e tjera. CEFTA-s i duhen edhe 6 muaj shtesë, kështu që ata duhet ta përfshijnë e ta regjistrojnë në sistemin e tyre. Përfaqësuesit e Ceftas na e komunikuan këtë gjë sot. Për të gjithë qytetarët, për të gjithë njerëzit në vendet tona do nisë zbatimi i menjëhershëm. Natyrisht, mund të ketë disa probleme teknike, por do të zgjidhen gjatë rrugës sepse këto janë gjëra shumë të mëdha, janë ndryshime të jashtëzakonshme dhe unë besoj se do jemi të suksesshëm për këto.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev: Marrëveshja e bujqësisë e nis zbatimin sot ndërsa ajo e tregut të punës do nisë në javët dhe muajt në vijim, duke qenë se po vazhdon procesi për identifikimin, pra për numrat e identitetit. Do ketë zbatim të menjëhershëm. 

-Kjo është një pyetje për të tre ju. Natyrisht do preferoja maqedonisht, por meqenëse shumica e kolegëve po pyesin anglisht do vazhdoj kështu. Ka një rrugëtim të integrimit në BE të të treja vendeve dhe ne e dimë që Serbia tashmë ka hapur 4 kapituj, Mali i Zi ka miratuar metodologjinë e re sidoqoftë, Maqedonia dhe Shqipëria ende presim për shkak të dështimit të BE, që të çelë negociatat me dy vendet. A mendoni që shpejtësitë e ndryshme të euro-integrimit do ketë ndikim apo efekt në këtë nismë konstruktive.

Presidenti i Republikës së Serbisë Aleksandar Vuçiç: Doni që t’iu përgjigjem në anglisht apo në serbisht?

Gazetari: Në shqip. Përgjigju në shqip.

Presidenti i Republikës së Serbisë Aleksandar Vuçiç: Për fat të keq, nuk e flas dot shqipen. Do më duhet ta mësoj. Më duhet të them se të flasësh për këtë shpejtësi, Serbia është 100% mbështetëse për proceset e integrimit Europian të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe kemi qenë gjithmonë shumë mbështetës. Qysh prej Samitit të Sofjes, besoj, Zoran, Edi, ne nisëm të flisnim me një zë dhe kjo ishte paksa surprizë për mikpritësit tanë euopianë. Ne kemi rënë gjithmonë dakord për gjithçka për të cilën ju flisni, thuajse 100%.

Çështja është që, nëse na pyesni ne, duke qenë se jemi i vetmi vend që kemi çelur disa kapituj, 4 të tillë, në Konferencën  Ndërqeveritare që u zhvillua në Bruksel, kjo nuk na ndikon. Jemi kaq të angazhuar dhe të përkushtuar ndaj këtij procesi, ndaj procesit të “Ballkanit të Hapur” saqë nuk ka rëndësi. Ne do bëjmë më të mirën për të qenë gjithmonë në anë të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, përkrah tyre, për çeljes e procesit të negociatave, për integrimin Europian për të dyja këto vende.

Është një proces që ne e bëjmë për veten tonë, nuk është një gabim i udhëheqjes  së Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut. Kjo ka të bëjë me të tjerë njerëz, ka të bëjë me vende të tjera. Kjo ka të bëjë me njerëz të Bashkimit Europian dhe qytetarët në vendet tuaja duhet ta dinë këtë sepse i keni përmbushur të gjitha kushtet. Keni përmbushur gjithçka dhe nuk keni marrë atë që iu është premtuar.

Mund të them, po, ne jemi në një pozitë më të mirë, jemi më fat sepse, të paktën, i kanë përmbushur premtimet në raport me Serbinë, por nuk e kanë bërë këtë gjë në raport me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Bashkimi i këtyre vendeve, sot flitet për shkëputjen nga njëri- tjetri të këtyre dy vendeve; është tjetër histori boshe që vjen nga burokratë që nuk kuptojnë thelbin.

Çështja e “Ballkanit të Hapur”; ky është një vizion real, çka u tha edhe nga Zorani dhe Edi, është vizioni i një Ballkani ndryshe, është vizioni i Ballkanit tonë, për të cilin nuk duhet të na vijë turp, por për të cilin duhet të jemi krenarë, për të cilin duhet të jemi dinjitozë dhe për të cilin ne do bashkëpunojmë dhe besoj se do krijojmë një hapësirë më të mirë për të gjithë njerëzit tanë dhe standarde më të mira jetese për të gjithë ata dhe ne do mbetemi krah për krah, së bashku me miqtë tanë, në të ardhmen gjithashtu, me miqtë tanë nga Tirana dhe Shkupi.

Kryeministri Edi Rama: Më lejoni t’iu them këtë, duke qenë se kjo është shumë e drejtpërdrejtë. Kur bëhet fjalë për të ardhmen e afërt të vendeve tona përkundrejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, por le ta nis njëherë me “Ballkanin e Hapur”, sepse ka një prirje nga ata njerëz, të cilët nuk duan që ta ndjekin këtë nismë apo që nuk duan që kjo nismë të ketë sukses kur thonë se “Kjo është alternativë ndaj integrimit Europian” apo kur thonë se “Kjo është të kthehesh në të shkuarën e të rikrijosh Jugosllavinë”, e meqë ra fjala, këtë dua ta them në shqip,  duke qenë së është shumë e rëndësishme për shqiptarët, por do ta vazhdoj pastaj në anglisht. Duke qenë se nuk e njoh dhe gjuhën që ju flisni, nuk kam qenë asnjëherë në Jugosllavi dhe “Ballkani i Hapur” nuk ka të bëjë fare me Jugosllavinë. Ndoshta Aleksandar do të mësojë shqip, por përpara se unë të mësoj serbisht, do mësoj gjermanisht, për shembull.

Do thoja që ne kemi vendosur sot të ftojmë në 6 muajt në vijim, sepse na duhet të përgatitemi mirë, ndërkohë që Samitin e ardhshëm do duhet të trajtojmë barrierat tarifore, në Samitin vijues duam të kemi Italinë, Greqinë dhe Hungarinë , sa për ta nisur, së bashku me ne në Samitin e “Ballkanit të Hapur” sepse kemi kuptuar që nuk mjafton për njerëzit tanë, për prodhuesit tanë, për tregtarët, importues, eksportuesit tanë që të kenë tregti të lirë plotësisht si ata në BE, por ata kanë nevojë edhe të kenë më pak pengesa kur mbërrijnë në BE.

Pra, do nisim të komunikojmë dhe kontaktojmë me vendet e BE dhe të përpiqemi që ta sjellim dhe ta bëjmë procesin bashkë, në kuadër të “Ballkanit të Hapur”, për tregun e përbashkët të rajonit me procesin e hyrjes në tregut e përbashkët Europian. Kjo është mënyra se si ndihmon “Ballkani i Hapur”.

Kush dreqin do të na besonte nëse do t’i thonim që “Duam të sigurojmë rrugë më të lira apo lehtësira për të hyrë në perandorinë tuaj të BE”, nëse nuk jemi në gjendje të tregojmë me vepra se ne mundemi të jemi në nivelin e ambicies dhe standardit të sjelljes së BE?

Pra, “Ballkani i Hapur”, jo vetëm ndihmon vendet individualisht në aspektin ekonomik, duke rritur PBB e tyre, përmes një ekonomie më të madhe, por gjithashtu edhe në mënyrën se si mund të mbërrijmë tek BE.

Është një gjë të thuash kriteret e BE, standardet e BE, vlerat e BE, ndërveprimi me BE dhe një gjë tjetër të thuash “A do ta nisin, më në fund, apo do ta zhvillojnë, më në fund, këtë Konferencë Ndërqeveritare. Kushedi. Po të përmendim ndonjë, Finlanda mund të dalë dhe të thotë që “Kemi një problem me Shqipërinë sepse ata pretendojnë që janë vikingë”. Kështu që, na duhet ta zgjidhim. Ose ku e di unë, një vend tjetër, Portugalia që mund të thotë që “Na duhet të zgjidhim faktin nëse Vasco de Gama ishte shqiptar apo portugez”! Nuk e di.

Gjëra kësisoj mund të bëhen të ndërlikuara. Ajo që duhet të bëjmë ne është të ecim, të ecim dhe të ndërtojmë në vendin tona një kuadër, një kontekst të BE, të jetesës, komunikimit, lëvizjes dhe duke bërë këtë, jo vetëm rrisim ekonomitë tona, por gjithashtu e bëjmë paqen të pakthyeshme në këtë rajon sepse shkojnë krah për krah.

Shkojnë saktësisht krah për krah dhe historia e ka dëshmuar këtë. Kjo ishte qasja ime. Tashmë, Zorani, si udhëheqësi ballkanas më nxitës drejt BE, mund të thotë diçka. Nuk e di se çfarë do ndodhë nesër, por jam i përgatitur edhe për të pasnesërmen, por sinqerisht nuk dua t’ia di.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev: “Ballkani i Hapur”, po e them dhe njëherë, nuk është zëvendësues i Bashkimit Europian. Është një reagim i natyrshëm i të gjitha vendeve tona karshi paaftësisë dhe dështimit nga ana e Bashkimit Europian për të përmbushur sfidat.

“Ballkani i Hapur” është Europë, është evropianizimi i rajonit dhe ashtu siç Edi dhe Aleksandar e përmendi, ne mund të bëjmë shumë më tepër me forcat tona, me të gjitha përgjegjësitë tona për karshi qytetarëve tanë.

Unë besoj shumë se një rajon më i bashkuar do jetë një rajon më i fortë, përkundrejt Europës Perëndimore, Veriore, Lindore dhe kjo do çojë në efekte të shumëfishuara për qytetarët tanë. 

-Pyetje e përbashkët për të tre liderat. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme, asnjë nga vendet e tjera të BP nuk është bërë pjesë e nismës tuaj. A do të vazhdoni deri në fund këtë nisëm edhe nëse mbeteni tre vende? Ndërkohë një pyetje tjetër veçanërisht për zotin Vuçiç. Nëse Kosova do të bëhet pjesë e Ballkanit të Hapur, ju a do e lejoni atë që të bëhet pjesë në tryezën e bisedimeve me emrin dhe flamurin e saj? Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Për sa i përket pyetjes së parë. Ne u bëjmë thirrje të tjerëve të bashkohen dhe a do heqim ne dorë nga Ballkani i Hapur nëse ata nuk bashkohen? Përgjigja ime është shumë e thjeshtë. Sot, me këto vendime që kemi marrë, faktikisht janë mijëra e dhjetëra mijëra njerëz që përfitojnë drejtpërdrejtë. Vetëm nga Shqipëria janë midis 600 dhe 700 subjekte, të cilat pavarësisht nga Ballkani i Hapur, pavarësisht nga Europa e bashkuar, pavarësisht nga Kombet e bashkuara apo nga NATO, shkojnë e vijnë në këto territore, eksportojnë në Serbi, eksportojnë në Maqedoninë e Veriut e janë shumë më tepër se sa 600-700, ato që pastaj importojnë nga këto vende. Këtyre njerëzve, ne u kemi dhënë mundësi që të mos presin më me orë të tëra nëpër kufij, të mos kenë nevojë për tre palë dokumente e të përballen me tre palë burokraci, të mos u ndodhë që ndërkohë që kalojnë doganën në një vend, shkojnë tek dogana tjetër  e t’u thonë “tani nuk punojmë ne se ne kemi orar” ndryshe nga dogana tjetër, e kështu me radhë. Tani më falni, si mendoni ju, ne këtyre njerëzve duhet t’u kthejmë prapë mbrapsht barrierat meqë tre vende të tjera nuk duan të heqin barrierat për njerëzit e tyre, për subjektet që punojnë në vendet e tyre? Patjetër që jo! Ky është Ballkani i Hapur. Ballkani i Hapur nuk është konspiracion, është një proces çlirimi i forcave të punës nga gjithë pengesat burokratike dhe zinxhirët e legjislacioneve të ndryshme, është një unifikim sipas shëmbëlltyrës së Bashkimit Europian. Ju thoni, nëse këto tre të tjera nuk do i përgjigjen thirrjeve tona, ne do heqim dorë e ne nuk do të vazhdojmë që këtë hapësirë të përbashkët ta bëjmë shëmbëlltyrë të BE, jo për të konkurruar bashkimin Europian, as për të qenë alternativë e Bashkimit Europian, por në ndërkohë që Bashkim Europian ka ritmin e vetë në raport me ne, domethënë ne do presim që të gjitha llojet e të papriturave, vetove, zgjedhjeve nëpër vendet e BE, dinamikave të brendshme të zgjidhen njëherë e mirë, për kushedi se sa vjet apo dekada, që BE-ja të na marrë ne brenda e pastaj ne të bëhemi njerëz të lirë, njësoj siç janë ata në Bashkimin Europian. Po pse? Se nuk duan tre vende të bashkohen? Çfarë problemi ka këtu? CEFTA, u përmend këtu, do edhe 6 muaj të tjera, të bëjë, me shpresë, atë që ne e kemi mbyllur. Pse? Sepse CEFTA-s i duhet konsensus. Ajo që ndryshon me Ballkanin e Hapur është që nuk ka nevojë për konsensus. Kush do të vrapojë, vrapon. Kush do të eci, ecën. Kush do të rrijë në vend, rri në vend. Kush do të kërcejë në vend kërcen në vend. Kush do të hidhet mbrapsht, hidhet mbrapsht. Të gjithë janë të lirë atë që duan, është shumë e thjeshtë, kështu që Ballkani i hapur nuk ndalet, e para.

E dyta, Ballkani i Hapur është interes strategjik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, përtej interesit të përbashkët rajonal dhe është interes i çdo vendi patjetër.

E treta, do vijnë në Ballkanin e hapur po të them, e po ju them prapë, vetëm se do humbasin kohë, e kush do humbasim ë shumë kohë, do humbasë edhe më shumë nga ajo që, ndërkohë vendet që janë këtu do fitojnë. Të gjitha vendet do fitojnë pjesën e tyre, me aq sa janë të zotë, me aq sa kanë mundësi, me aq sa do dinë të ndër veprojnë, kaq e thjeshtë është kështu që thirrja jonë e thirrja ime për të tjerët që të vijën, nuk është një thirrje që “aman hajdeni ju se po nuk erdhët ju ne do ta lëmë këtë punë”. Se ne këtë punë nuk e kemi nisur për të tjerët, e kemi nisur për Shqipërinë, siç e ka nisur secili këtu për vendin e vet. Kështu që unë them që ata janë të mirëpritur, ata mund të vijnë, mund të ulen, mund të diskutojnë, mund të përfitojnë nga këto nisma, por as nuk do ta ndalin Ballkanin e Hapur, as nuk do ta ndryshojnë dot trajektoren që tanimë nuk kthehet mbrapa. Kaq e thjeshtë është kjo.

Presidenti i Republikës së Serbisë Aleksandar Vuçiç: Besoj se ne jemi përgjigjur për këtë, në raste të ndryshme. Zgjedhjet do të zhvillohen në Serbi për tre muaj e do të jetë e lehtë për mua që t’ju përgjigjem sot drejtpërdrejtë, ashpër, në mënyrë që të fitoj ca pikë nacionaliste brenda vendit tim, megjithatë do t’ju habis me zgjedhjen time sepse përgjigja ime do të jetë tejet e qetë, racionale e unë do të përpiqem të shpjegoj dhe njëherë se pse po e bëjmë të gjithë këtë e kë presim.

Ne kemi pikëpamje të ndryshme lidhur me Kosovën. Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut kanë pikëpamje të ndryshme në raport me këtë çështje. Natyrisht, Beogradi e Prishtina kanë pikëpamje të ndryshme, por kjo nuk është arsye që ne të mos flasim e kjo nuk është arsye që dikush të mos jetë pjesë e Ballkanit të Hapur. Ne mund të përmendim pikat e kalimit kufitar në Jarinjë dhe midis Kosovës dhe Serbisë apo drejt luginës së Preshevës apo Serbisë qendrore siç e themi ne, megjithatë le të flasim për thelbin. A do të jetë më e lehtë për shqiptarët dhe serbët nëse nuk do të kishte të tillë kufij apo radhë që njerëzit të lëviznin lirisht? Pra këto krijojnë probleme të pafundme. A do të ishte më e lehtë po të mos ishin? Besoj që po. Nuk besoj që ka njeri, qoftë në Prishtinë, qoftë në Mitrovicë, në Beograd apo Tiranë, që nuk do të binte dakord me këtë që po them unë. Nuk mendoj që është produktive për mua që t’i ftoj sepse në momentin që ftoj dikë nga Prishtina, do të thonë që meqë e bën ai ftesën, ne nuk do të vijmë, por nëse më pyesni, nëse do të kisha problem që ata të shfaqeshin apo nëse do të zgjidhnim statusin e çështjes politike, kjo është në juridiksionin e dialogut në Bruksel, por sa u takon çështjeve ekonomike dhe lirive të lëvizjes së mallrave, të kapitalit, të njerëzve, jemi gati të punojmë sëbashku në kuadër të Ballkanit të Hapur e nuk kemi asnjë problem për këtë.

Po ia bëj këtë ftesë dhe Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës sepse mendoj që është e rëndësishme që dhe njerëzit e tyre të dëgjojnë këtë gjë. Për njerëzit që nuk e pranojnë këtë nismë do të përsëris atë që tha Edi, thjeshtë do të humbasin kohë ata që nuk do të bashkohen në kohë do të humbasin kohë. Nuk ka nevojë t’i lutemi askujt sepse në fakt, ka vetëm përfitime nga kjo nismë.

Kjo është thjesht një gjë që lidhet me disa intriga të vogla politike apo me teori konspirative. Dje këshilltarët e mi zyrtarë më thanë që do të kthehemi, kemi zgjedhje në tre muaj dhe më thonin për shembull që nuk duhet të shkoj në Shqipëri sepse pati probleme me flamurin. Megjithatë të tjerë njerëz e bënë këtë gjë dhe Rama erdhi në Beograd. Edhe nëse me krenari vendosëm krah për krah flamujt e Maqedonisë së veriut, malit të Zi e kështu me radhë, si është e mundur që ne të mos tolerojmë, pra nëse çështja është se kush djeg më shumë flamuj, jemi kundër kësaj tërësisht. Jemi këtu për të ndërtuar ura, jemi këtu për të ndërtuar të ardhmen e për të krijuar bashkëpunim e ju garantoj që edhe njerëzit në Shqipëri do të jenë të lumtur me këtë bashkëpunim, ashtu si dhe njerëzit në Serbi do të jenë të lumtur me këtë bashkëpunim. Po kështu dhe njerëzit në Maqedoninë e Veriut do të jenë të lumtur e të kënaqur sepse do të jetojnë më mirë. Miliona fusha bashkëpunimi shtrihen përpara nesh, miliona fusha, por duhet treguar përgjegjësi, seriozitet e të mos patronizojmë politikën e përditshme apo kapriçot politike të përditshme të askujt.

Është puna e të treve ne që të drejtojmë vendet tona. Nesër do të ketë një treshe tjetër, tri udhëheqës të tjerë, por na duhet të drejtojmë vendet tona së pari, duke ruajtur paqen, por për ta bërë këtë duhet të arrijmë një paqe kohëgjatë, ashtu siç BE-ja ishte projekti më i gjatë i paqes, po kështu dhe Ballkani i Hapur do të jetë nxitës. Ky është një projekt paqeje pikë së pari e së dyti është një projekt i zhvillimi të përshpejtuar ekonomik. Së treti, njerëzit po njihen me njëri-tjetrin. Në Sarajevë, ku kam bërë shërbimin ushtarak, nuk njihja shqiptar. Sot kam njohur njerëz të shkëlqyer, kam takuar në Ohër, në Beograd, por duhet që të krijojmë këtë lloj mundësie të rinjve, që të shohin që mund të jetojnë krah për kreh e me njëri tjetrin, të jetojnë më mirë. Nuk na duhet që ta duam njëri-tjetrin, por ta respektojmë njëri-tjetrin e këtë thashë që në fillim, që unë respektoj çdo familje shqiptare, të Maqedonisë së Veriut, çdo njeri. E kjo që po bëjmë, Edi e bën për Shqipërinë, unë e bëj për Serbinë, por në fund të fundit e bëjmë këtë për shkak të të gjithë neve, ashtu siç Zoran e bën për Maqedoninë e Veriut.

Ne do të vazhdojmë me këtë nismë sepse kjo është një nismë e jashtëzakonshme, shumë e madhe, jemi shumë krenar për këtë. Kemi investuar shumë energji, kemi investuar shumë përpjekje e do të kemi rezultate të shkëlqyera për vendet tona. Megjithatë do të shihni që kur rezultatet do të jenë të dukshme, do të duken përkundër atyre që nuk janë bashkuar me ne.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev: Unë besoj që numrat do të rriten në kuadër të Ballkanit të hapur. Kjo është nismë e hapur e të gjithë biem dakord se tre është shumë më mirë se sa një. Kështu duket.

Sigurisht, jashtë është më mirë se sa tre, natyrisht, por do t’ju bëja thirrje të gjithëve që të mbeteni të fokusuar, të mbeteni të angazhuar, sepse Ballkani i Hapur nis të bëhet një nismë tërheqëse, do të bëhet një markë tërheqëse, sepse është natyrisht në shërbim të qytetarëve të të trija vendeve.

Kryeministri Edi Rama: Ky është fundi i konferencës së shtypit.

Një gjë dua të them në mbyllje, pasi kështu e kemi bërë gjithmonë me tre pyetje për të tre. Një gjë dua të them në mbyllje, sepse mendoj që është e rëndësishme të thuhet në fund.

Ne do të vazhdojmë me Ballkanin e Hapur njësoj siç secili prej nesh vazhdon rrugën për ta integruar vendin e vetë në Bashkimin Europian. Pavarësisht se çfarë thonë të tjerët, pavarësisht kur janë kundër Ballkani të Hapur, pavarësisht kur na nxjerrin pengesa në rrugën e integrimit europian, rëndësi ka që ne të bëjmë detyrën tonë dhe ka një fakt shumë ballkanik, që i thotë të gjitha. Në Serbi, akuza është që presidenti po punon për Shqipërinë e Madhe. Në Shqipëri, akuza është që unë po punoj për Serbinë e madhe. Në Maqedoni nuk e di për çfarë punojnë këta, Bullgarinë e madhe apo Maqedoninë e madhe se kjo është e paqartë, por ajo që është e vërteta është që secili prej nesh punon për një transformim të madh, në emër të paqes, të prosperitetit dhe të ardhmërisë së të gjithëve ne, por të fëmijëve tanë në radhë të parë. Shumë faleminderit dhe udhë të mbarë mbrapsht në vendet tuaja!

Do të shikohemi në fund të shkurtit në Maqedoninë e Veriut. Faleminderit!