Llalla kërkon shtyrjen e zbatimit të vendimit për burg për shkak shëndetësor

Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla u shpall në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria e Posaçme, SPAK

Knid Ndrenika

Ish-Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla i kërkoi gjykatës që t’ia shtyjë ekzekutimin e vendimit për dënimin me 2 vjet burg dhe pesë vjet heqje të së drejtës për ushtrimin e profesionit.

Kërkesa e zotit Llalla është dorëzuar në sekretarinë e gjykatës më 6 tetor 2021 nga avokati i Sokol Hazizaj.

Avokati Hazizaj është figurë shumë e rëndësishme penaliste në Shqipëri, dy herë ish-deputet dhe ish-nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, struktura më e lartë e sistemit deri në vitin 2017.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla u shpall në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria e Posaçme, SPAK.

Shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të gjykatës zoti Llalla e mbështet te neni 476/c i Kodit të Procedurës Penale me arsyen shëndetësore pasi vuan nga një sëmundje e pakthyeshme.

Ky nen parasheh që vendimi penal të shtyhet kur vuajtja në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP, burg), sjell pasoja jete për të dënuarin.

Ish-Kryeprokurori sipas avokatit zotit Hazizaj ndodhet në spital, ndërkohë që kërkesa po shqyrtohet nga gjyqtari i Gjykatës së Posaçme, Erjon Çela.

Zoti Llalla u deklarua “fajtor” nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin numër 24 më 22 shtator 2021.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Llalla është larguar jashtë Shqipërisë pak ditë përpara vendimit të gjykatës.

Akuza ndaj ish-Kryeprokurorit ishte për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a, paragrafi 2 i Kodit Penal, 3 (tre) herë, dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim si dhe në bazë të nenit 35 të Kodit Penal heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Adriatik Llalla për një periudhë 5 (pesë) vjeçare.

Zotit Llalla iu vendos sekuestrim dhe konfiskim i pasurive, përkatësisht apartament me sipërfaqe 67.2 m2, në Durrës dhe tokë arë, 4 (katër) me sipërfaqe gjithsej 22.300 m2 në Tiranë.