LLAMBA E NDËRGJEGJES

(Dëshmi besimi 4)

Prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika

Të tre besimet fetare monoteiste: Judaizmi, Krishtërimi dhe Islamizmi mbështetur te shembulli i Abrahamit/Ibrahimit, te dhjetë urdhëresat që Zoti i dha Moisiut/Musait, te mësimet e urta të Mbretit Solomon dhe predikimet e Jezusit/Isës, përpiqen të edukojnë besimtarët me idenë e dashurisë ndaj Zotit dhe të bindjes ndaj udhëresave të tij.

Kur njeriu i merr këto mësime në fëmijëri përmes leximit të Biblës e Kuranit dhe predikimeve që dëgjon në kishë, xhami, ose sinagogë, i krijohet një vatër frenimi në tru, e cila funksionon si një llambë që ndizet sa herë ai ndodhet para një tundimi djallëzor për të bërë keq. Llamba ndizet në ndërgjegjen e tij për ta paralajmëruar se nuk duhet të gënjejë, nuk duhet të kurvërojë, nuk duhet të jepet pas lakmisë, lavdisë, krenarisë së tepruar, etj, se një ditë do të përgjigjet para Zotit. Sa më mirë të jetë përvetësuar kjo edukatë morale e fetare, aq më fort ndit llampa në ndërgjegjen e tij.

Një proces i tillë ndodh dhe te ndërgjegja e njerëzve jo besimtarë, por që janë edukuar prej prindërve të ndershëm që të jenë të bindur ndaj rregullave morale e ligjeve të shtetit. Edhe këtyre u ndizet llamba e ndërgjegjes për t’u kujtuar se nuk duhet të shkelin normat morale dhe ligjet, se një ditë do të përgjigjen para shoqërisë dhe ligjit.

Mirëpo fakti që sot shumica e pushtetarëve dhe politikanëve tanë janë dhënë pas pasurimit të shfrenuar, korrupsionit, shthurrjes morale, etj, më ka krijuar idenë se këta njerëz nuk kanë qenë thjesht kominstë, por kanë qenë shërbëtorë qorrë të regjimit gjakatar komunist, ose bij të tyre, të cilët llampën e ndërgjegjes e kishin zëvendësuar me bindjet qorre ndaj urdhërave të diktatorit e të diktaturës. Tani që diktatori nuk ekziston më dhe diktatura është shkërmoqur, ata nuk orientohen dot dhe në vend që t’u binden normave morale të shoqërisë dhe ligjeve të shtetit, luftojnë për t’u pasuruar sa më shumë me të gjitha mënyrat. Mungesa e llambës në ndërgjegjen e tyre i bën ata të mos kuptojnë se një ditë do të përgjigjen para ligjit. Për turpin e tyre luftojnë pa pushim për të justifikuar gabimet e krimet që kanë bërë e që vijojnë të bëjnë.

Të tillë njerëz janë pak në shoqërinë shqiptare, nuk përbëjnë as 3% të popullit, por meqënëse kanë dalë sipër dhe kanë lidhje midis tyre, duken sikur janë shumica e popullit dhe i japin tonin moralit shqiptar. Shumë shpejt shqiptarët do të mësojnë vlerën e votës dhe nuk do t’i votojnë më të tillë njerëz që u mungon llamba e ndërgjegjes…