M.e Jashtme tregon ndryshimet e rregullave për udhëtim në BE prej Koronavirusit

Sipas rekomandimeve nga BE, shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të udhëtojnë drejt Belgjikës duke plotësuar disa kritere

Knid Ndrenika

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë thotë se janë ndryshuar disa procedura për udhëtimet nga Shqipëria drejt disa vendeve të Bashkimit Europian.

Ndryshimet sipas ministrisë janë bërë pas rekomandimeve të Bashkimit Europian të disa ditëve më parë për regjimin e ri të lëvizjes mes shteteve, në kuadër të masave kundër COVID-19, raporton korrespondenti i RTK-së Knid Denion Ndrenika.

Sipas këtyre rekomandimeve, qeveria e Belgjikës ka rikthyer kufizimet për udhëtimet jo esenciale nga vendet e Ballkanit Perëndimor, ku përfshihen Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi.

Po sipas rekomandimeve, shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të udhëtojnë drejt Belgjikës duke plotësuar kriteret:

– Kur janë të pajisur me certifikatën e vaksinimit. Pas mbërritjes në Belgjikë i nënshtrohen testimit ditën e parë ose të dytë dhe të shtatë. Nëse në ditën 7 përgjigja është prapë negative, shtetasi del nga karantina.
– Në rastet e udhëtimeve esenciale, duhet të kenë konfirmimin për udhëtimin nga ambasada e Belgjikës në Bullgari (nga ky vend bëhet mbulimi për vendet e Ballkanit Perëndimor). Aplikimi për PLF (Passenger Location Form), bëhet online, duke ia drejtuar kërkesën ambasadës në adresën: [email protected]
– Shtetasit mbi 12 vjeç duhet të jenë të pajisur me test PCR të 72 orëve të fundit dhe pas mbërritjes në Belgjikë do t’i nënshtrohen karantinës.

Ministria gjithashtu vë në dispozicion adresën https://reopen.europa.eu/en/ për më shumë informacion mbi rekomandimet përkatëse.