Maas: Tani priten rezultate konkrete në dialogun Kosovë – Serbi

Beograd, 23 prill 2021 – “Nuk pres që dialogu të vazhdojë vetëm për hir të dialogut. Tani priten edhe disa rezultate konkrete“, u shpreh shefi i diplomacisë gjermane, Heiko Maas, pas takimit me zyrtarët serbë, në Beograd.

Maas tha se Gjermania është e vetëdijshme se çështja e Kosovës është një çështje e vështirë për Serbinë, por theksoi se arritja e marrëveshjes do të ketë rëndësi ekonomike për Serbinë dhe për rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian.

Sikurse edhe në Prishtinë, një ditë mëparë, Mass tha se Gjermania e mbështet dialogun, Bashkimin  Evropian si lehtësues të dialogut dhe të dërguarin special të Brukselit, Miroslav Lajcak.

Ministri i Jashtëm gjerman mori pjesë edhe në ceremoninë e hapjes së ndërtesës së re të Ambasadës së Gjermanisë në Beograd.

Maas tha se ndërtesa moderne e ambasadës është simbol i marrëdhënieve mes dy vendeve, Ai tha se Gjermania është partneri më i madh tregtar i Serbisë dhe se kompanitë gjermane kanë investuar shuma të mëdha në Serbi. Sipas tij në Serbi janë investuar dy miliardë euro nga Gjermania

Shefi i diplomacisë gjermane tha se vendi i tij e mbështet integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Unë jam i bindur se integrimi evropian mund të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor në aspiratat e tyre për paqe dhe prosperitet. Prandaj, Gjermania është në anën e Serbisë, si një partner i besueshëm në procesin e afrimit me BE”, tha Heiko Maas, citon DW.

 (r.m.)