Macron bisedon me Putinin për krizën në Ukrainë

Moskë, 7 shtator 2022 – Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka nisur takimin në Moskë me homologun e tij rus, Vladimir Putin, takim që ka për qëllim të ulë tensionet pas grumbullimit të trupave ruse në afërsi të Ukrainës.

Macron i tha Putinit se ai shpreson që bisedimet do të çojnë në uljen e tensioneve.

“Këto diskutime mund të shënojnë fillimin e një drejtimi në të cilin ne duhet të shkojmë, që është drejt shtensionimit”, tha Macron më 7 janar, para nisjes së takimit me Putinin. Ai shtoi se shpreson që të “shmanget lufta” dhe “të ndërtohen elemente të besimit, stabilitetit dhe dukshmërisë për të gjithë”.

Putini përshëndeti rolin e Francës në formësimin e sigurisë evropiane dhe theksoi se bisedimet po zhvillohen në 30-vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes për miqësi.

“E kuptoj se ne ndajmë shqetësime lidhur me atë se çfarë po ndodh në Evropë, në sferën e sigurisë”, i tha Putin Macronit, duke shtuar se ai i vlerëson përpjekjet e presidentit francez për të ndihmuar që të ketë “një siguri të barabartë në Evropë” dhe për përpjekjet e tij që të ndihmojë në zgjidhjen e krizës ukrainase.

Para takimit, Kremlini u mundua që të ulte pritshmërinë nga bisedimet Macron-Putin, teksa zëdhënësi i presidentit rus, Dmitry Peskov tha se nuk pritet ndonjë përparim i madh.

“Situata është shumë komplekse që të presim ndonjë rezultat në një takim”, u tha Peskov gazetarëve, pavarësisht se i cilësoi bisedimet si “shumë të rëndësishme”.

Macron më 6 shkurt zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin amerikan, Joe Biden.

Shtëpia e Bardhë tha se dy liderët kanë diskutuar për “përpjekjet diplomatike në përgjigje të grumbullimit të vazhdueshëm ushtarak të Rusisë në kufijtë e Ukrainës”.

Perëndimi thotë se Rusia ka grumbulluar mbi 100,000 trupa në kufi dhe dyshon se Moska mund të jetë duke u përgatitur që ta pushtojë Ukrainën.

Rusia mohon se ka plane që ta pushtojë Ukrainën, por kërkon që t’i plotësohen një sërë kërkesash të sigurisë, përfshirë edhe që NATO-ja të mos e pranojë kurrë Ukrainën.

(REL)

Comment

*