Macron: Dialogu Kosovë-Serbi duket shumë kompleks

Bërdo (Slloveni), 6 tetor 2021 – Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e ka cilësuar si “shumë kompleks” dialogun Kosovë -Serbi.

“Situata mes Serbisë dhe Kosovës, dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, duket shumë kompleks. Bashkë mekancelaren kemi kaluar disa momente me drejtuesit e dy vendeve”, ka thënë Macron,  në përfundim të samitit BE – Ballkani Perëndimor në Bërdo të Sllovenisë.

Macron e  kacilësuar sishumë të mirë diskutimin në samitin BE- Ballkani Perëndimor, kurse situatën në rajon ekacilësuar si “shumë të komplikuar”.

“Sot, patëm një diskutim shumë të mirë për Ballkanin dhe për perspektivën e integrimit. Situata sot paraqitet shumë e komplikuar mes shumë vendeve të Evropës”, është shprehur ai.

“Siç e dini, sot kemi diskutuar edhe për situatën mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Duhet të përparojmë në këtë temë. Qëllimi ynë është të përpiqemi të rihapim një perspektivë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat janë në Evropë”, ka shtuar presidenti francez.

Macron ka shprehur keqardhje që Ballkani, siç është shprehur, “sot përballet me njëfarë rikthimi prapa në historinë e tensionevr të mëdha”.

“Ne duhet t’u përgjigjemi me angazhim politik dhe me më shumë vëmendje, për të mundësuar integrim më të madh tregtar dhe njerëzor në rajon dhe duhet të kemi një politikë dhe një qasje të përbashkët për trajtimin e minoriteteve që është një temë që i përket gjithë rajonit”, ka thënë ai.

(r.m.)