Macron: Javën e ardhshme presim vendime të qarta për situatën në veri të Kosovës

Kishinjev (Moldavi), 1 qershor 2023 – Presidenti francez Emmanuel Macron tha të enjten se Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë që të organizojnë zgjedhje të reja në veri të Kosovës, sa më parë që është e mundur.

Presidenti Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz u takuan me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, në kuadër të takimit të Komunitetit Politik Evropian, në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinjev.

Macron, në konferencën për medie, tha se nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë kërkuan “vendime të qarta” për situatën në veri të Kosovës, në javët në vijim.

“Ajo që kërkuam nga të dyja palët është shumë e thjeshtë: organizimi sa më parë i zgjedhjeve të reja në këto katër komuna si angazhim nga ana e Kosovës, pjesëmarrje e qartë e partive serbe në këto zgjedhje dhe zgjidhje të shpejtë të çështjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nga ana e Kosovës”, tha presidenti Macron.

Ai tha se “secila palë do të këshillohet dhe do të kthehen me përgjigje të qarta javën e ardhshme”.

(r.m.)