Majlinda Kelmendi pensionohet nga sporti aktiv, dekorohet me urdhrin “Shotë Galica”

Prishtinë, 6 dhjetor 2021 – Ish-kampionia botërore në xhudo, Majlinda Kelmendi, është pensionuar nga sporti aktiv, në një ceremoni shtetërore, të organizuar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Kam punuar shumë që mos të zhgënjej Kosovën e ta bëj vendin krenar”, tha Kelmendi, duke i falënderuar të gjithë qytetarët e Kosovës për përkrahjen që i kanë dhënë gjatë karrierës së saj brilante.

Presidentja Osmani e ka dekoruar Majlinda Kelmendin me urdhrin “Shotë Galica”.

“Ajo me të drejtë cilësohet si legjendë e sportit të xhudos, heroinë e Kosovës. Në tri dekadat e jetës së saj, ajo u bë fytyra e Kosovës së sotme”, ka thënë  Presidentja Osmani.

Ajo I ka falënderuar përlartësimin e shtetit të Kosovës edhe trajnerin e Majlindës, Driton Kukën, dhe ryetarin e Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kukën.

Trajneri Kuka e ka cilësuar Majlindën si simbol të lirisë së fituar me shumë sakrifica.

“Majlinda u bë personazhi që u jepte shpresa njerëzve që të vazhdojnë të jetojnë në Kosovë”, ka thënë ai.

Majlinda Kelmendi konsiderohet si një nga sportistet më të mëdha të xhudos dhe të sportit në Kosovë në përgjithësi. Ajo e shënoi suksesin më të madh në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, ku e fitoi medaljen e artë të Olimpike, e cila ishte e para medalje e artë për Kosovën.

Majlinda Kelmendi ishte dy herë kampione e botës dhe katër herë kampione e Evropës. Gjatë karrierës së saj, ajo ishte fituese e katër garave Grand Slam në Paris. Në vitin 2017 u shpall xhudistja më e mirë në botë.

Dy vitet e fundit ajo përball me lëndime e probleme të shumta fizike, të cilat ia pamundësuan të fitonte medalje nsë Lojërat Olimpike të këtij viti, në Tokio.

Pas përfundimit të Olimpiadës, ajo njoftoi se do të tërhiqej nga sporti aktiv.

Tash e tutje, Majlinda Kelmendi do të vazhdojë të punojë si trajnere e xhudos, përkrah mentorit të saj, Driton Kuka.

(r.m.)

Comment

*