Major Hidri: Ndalëm flakët që kërcënonin Llogaranë

Zjarret e shkaktuara nga temperaturat e larta ose qëllimisht nga shtetas për përfitimin e kullotave përhapen prej erës në Shqipëri. Por, zyrtarët thonë se vetëm 7 vatra zjarri janë aktive dhe se gjendja është nën kontroll

Knid Ndrenika

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se në tërë Shqipërinë janë aktive gjashtë vatra të zjarreve, por shqetësuese mbetet gjendja në gadishullin e Karaburunit në Vlorë ku për shkak të erës u ndërprenë përkohësisht operacionet për shuarjen e flakëve.

Dy vatra zjarri janë shuar ndërsa 1 tjetër është izoluar në operacionet me ndihmën e më shumë se 500 trupave të ushtrisë, mjeteve të Forcave të Armatosura, Emergjencave Civile, pushtetit vendor dhe banorëve të zonave.

Vetëm në Karaburun të Vlorës janë angazhuar 319 forca ushtarake, 31 mjete, 4 autoambulanca, 21 zjarrfikës dhe 3 helikopterë.

Zjarret e shkaktuara nga temperaturat e larta ose qëllimisht nga shtetas për përfitimin e kullotave janë përhapur prej erës thuajse në tërë vendin, që nga Shkodra, Shëngjini, Puka, Dibra, Fushë-Arrëzi, Kurbini në veri, deri në Vlorë, Sarandë, Gjirokastër e Fier në jug.

Kryeministri Edi Rama me një postim në fejsbuk falenderoi ata që i quajti “heronj të forcave ushtarake dhe civile”.

Zoti Rama postoi videon e zëvendëskomandantit të Forcave “Komando” të Shqipërisë, major Pëllumb Hidri:

“Jemi në lartësinë 1350 metra. Kemi ndaluar zjarrin. Vatër shumë e rrezikshme, që për 20 metra do të na hynte në pyllin e Llogarasë, i cili ishte e pamundur pastaj për t’u kontrolluar. Por, na ndihmuan edhe helikopterët me ujë nga sipër”.

Për zjarrvënie të qëllimshme janë shoqëruar apo arrestuar nga policia të paktën pesë shtetas.