Malaj dhe Prifti, dy të pavarurit që sfidojnë Ramën dhe Berishën

Nga Dardan Malaj

Në një kohë kur sistemi zgjedhor në Shqipëri nuk favorizon aspak konkurimin e partive jashtë koalicioneve, elementi më interesant është se dy prej ish deputetëve të legjislaturës së kaluar kanë vendosur të garojnë si të pavarur.
Arben Malaj dhe Dritan Prifti e kanë pasur të lehtë të regjistrohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve duke shfrytëzuar edhe një klauzolë që nuk jua bënte të nevojshme mbledhjen e firmave paraprake nga zgjedhësit. Malaj është regjistruar si kandidat i pavarur në Qarkun e Vlorës ndërsa Prifti si kandidat në Qarkun e Fierit.
Prifti u vu në qendër të vëmendjes së opinionit publik në vitin 2011 kur dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për të denoncuar disa kohë më pas përmes një kasete filmike ato çka i cilësonte skandale të qeverisjes dhe në të cilat ishte i përfshirë ish kreu i partisë së tij Ilir Meta.
Videoja Meta-Prifti në të cilën u pretendua se i pari po bënte shantazh duke kërkuar të ndërhyjë në tenderë dhe në emërime në administratë u pasua me një proces të gjatë ligjor ku që të dy u shpallën të pafajshëm nga Gjykata e Lartë.
Prifti u pozicionua në kampin opozitar por që prej muajit prill kur Ilir Meta kaloi në opozitë pozicioni i tij u kushtëzua dhe u mbajt jashtë listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste. Prifti kërkon votën e qytetarëve të majtë të Fierit me premtimin se do ta përdorë votën e tij për të sjellë në pushtet të majtën por insiston se nuk do të votojë një qeveri me Ilir Metën kryeministër.
Më e ndërlikuar ishte trajektorja e ndjekur nga ish ministri socialist i financave Arben Malaj i cili deri në ditën e fundit kur hartoheshin listat e kandidatëve për deputetë pritej të ishte pjesë e ekipit të Partisë Socialiste. Gjatë mbledhjes së Kryesisë atij ju komunikua se ishte lënë jashtë listës e më pas menjëherë depozitoi në KQZ kërkesën për regjistrim si i pavarur në Qarkun e Vlorës.
Malaj njihej si një ndër kundërshtarët dhe kritikët e Ramës brenda selisë rozë, i angazhuar në Lëvizjen për Mendimin Ndryshe dhe disa herë kandidat i përfolur si rival potencial për kreun e partisë.
Arben Malaj kërkon votën e të majtëve ndërsa njësoj si Prifti premton se do ta përdorë mandatin vetëm në të mirë të së majtës dhe për rotacionin politik. Malaj ka insistuar se nuk do të pranojë ta votojë për kryeministër Edi Ramën çka e bën të ndërlikuar qëndrimin e tij paszgjedhor.
Kreu i socialistëve Edi Rama i pyetur për këta dy kandidatë për deputetë insistoi se efekti i tyre do të jetë zero dhe ftoi të gjithë të majtët të mos e çojnë votën dëm. Në vlerësimin e Ramës çdo votë e dhënë jashtë koalicionit opozitar ndihmon Partinë Demokratike dhe kryeministrin aktual Sali Berisha.
Në një kohë kur Dritan Prifti synon të çajë votat e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Fierit për të përfituar një mandat ligjvënësi, Arben Malaj kërkon të sfidojë drejtpërdrejtë Edi Ramën pasi ky i fundit kryeson listën e socialistëve në Qarkun e Vlorës.
Sistemi zgjedhor e vështirëson marrjen e mandatit nga kandidatët e pavarur pasi pragu për këto dy qarqe është relativisht i lartë por edhe në rast se nuk rezultojnë fitues, Malaj e Prifti mund të jenë ndëshkues dhe ndikues në bilancin e këtyre dy qarqeve.