Mali i Zi rrezikon t’i pezullohen negociatat për anëtarësim në BE

Podgoricë, 17 janar 2023 – Paralajmërimi se kriza politike dhe kushtetuese në Mal të Zi do të diskutohet në seancat e janarit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian dhe më pas të Këshillit Evropian, do të thotë se është kuptuar serioziteti i situatës, thotë për Radion Evropa e Lirë profesoresha Gordana Gjuroviq, ish-ministre e Integrimeve Evropiane e Malit të Zi.

“Komisioni Evropian ose një e treta e anëtarëve të BE-së mund të rekomandojnë pezullimin e negociatave me Malin e Zi, ose të propozojnë kushte për vazhdimin e tyre”, thotë ajo.

Gjatë një vizite në Mal të Zi, më 15 janar, ministrja e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, tha se ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë më 23 janar në Bruksel për masat e mundshme që mund t’i marrë blloku, nëse Mali i Zi nuk e zhbllokon Gjykatën Kushtetuese me zgjedhjen e gjyqtarëve që i mungojnë.

Gjuroviq, megjithatë, shpreson se do të arrihet marrëveshje për konstituimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Për mua, paralajmërimi i BE-së është shumë i qartë, i pritshëm dhe shumë serioz. Mali i Zi kurrë nuk ka qenë kaq i bllokuar, nuk ka qenë kurrë nën kërcënimin e një bllokade të tillë, siç po ndodh në fillim të vitit 2023, pas një dekade negociatash [për anëtarësim në BE]”, thotë Gjuroviq.

Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi është e bllokuar që nga shtatori i vitit të kaluar, kur ka mbetur me vetëm tre gjyqtarë nga shtatë sa duhet t’i ketë. Për shkak të mungesës së kuorumit, ajo nuk mund të marrë vendime për ankesat kushtetuese, të cilat lidhen edhe me proceset zgjedhore. Pa vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të formohet asnjë qeveri e re pas zgjedhjeve.

Partnerët perëndimorë dhe BE-ja, tash e sa muaj, u kërkojnë subjekteve politike në Mal të Zi të arrijnë marrëveshje për zhbllokimin e Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që vendi të ketë stabilitet institucional dhe politik.

Hapat e anëtarësimit në BE përcaktohen nga shtetet anëtare të BE-së

I pyetur se si e komenton mundësinë që Mali i Zi të përballet me ndërprerjen e negociatave për anëtarësim në BE, një zyrtar evropian i tha shkurt REL-it se Mali i Zi është ende në procesin e anëtarësimit, ku të gjithë hapat përcaktohen nga shtetet anëtare, së bashku me institucionet e BE-së.

“Ato angazhohen për ta ndihmuar Malin e Zi që të përparojë drejt BE-së”, tha zyrtari, duke kujtuar se, më 21 dhjetor, krerët e diplomacisë së Austrisë dhe të Sllovenisë, në emër të përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, kanë kërkuar nga Podgorica që të rikthejë urgjentisht stabilitetin dhe funksionalitetin e institucioneve demokratike.

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Malin e Zi, Tonino Picula, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas paralajmërimeve të fundit nga BE-ja, Parlamenti i Malit të Zi ka mundësi të pastrojë një pjesë të rrëmujës dhe të krijojë rrethana që do t’i jepnin fund krizës së rëndë institucionale.

“…duke arritur marrëveshje për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, pastaj duke mundësuar shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme”, thotë Picula dhe shton se koha për marrëveshje po ikën.

Sipas tij, ka kohë që është bërë e qartë se përbërja aktuale e Kuvendit të Malit të Zi nuk është në gjendje të krijojë një qeveri të qëndrueshme.

“…e cila do të kishte një mbështetje të tillë politike, por edhe një vullnet të fortë për të zbatuar reformat e pashmangshme, në mënyrë që Podgorica të mund të kapë hapin në negociatat e paraanëtarësimit [në BE]”, thotë Picula.

Çfarë mund t’i bllokojë BE-ja Malit të Zi?

Sipas profesoreshës Gjuroviq, përveç ndërprerjes së procesit të negociatave, BE-ja ka një sërë mekanizmash shtesë, me të cilët mund ta kufizojë Malin e Zi.

“Mund të ngrihen disa fonde të BE-së – gjë që thuhet edhe në metodologjinë e re të negociatave. Komisioni Evropian, gjithashtu, ka një mekanizëm shumë të shpejtë dhe të fuqishëm për ndërprerjen e regjimit të liberalizimit të vizave”, thotë Gjuroviq.

E pyetur se a do të ndikojë paralajmërimi nga BE-ja në arritjen e një marrëveshjeje mes partive politike në Mal të Zi, Gjuroviq përgjigjet:

“Na është dhënë mundësia që edhe një herë të përpiqemi t’i stabilizojmë gjërat, afatet janë shumë të shkurtra, gjithçka është shumë dinamike. Do të shohim se si do të reagojnë elitat tona politike ndaj këtij qëndrimi shumë të qartë dhe specifik të Komisionit Evropian, d.m.th. BE-së”.

Pas bisedimeve me ministren Fajon, zyrtarët më të lartë shtetërorë të Malit të Zi thanë se ka vullnet për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e gjyqtarëve të munguar të Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, tha se është e domosdoshme që të shmangen ngadalësimet dhe vonesat e Malit të Zi në rrugën evropiane.

Kryeministri Dritan Abazoviq tha se përzgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese mund të përfundojë në fillim të shkurtit, ndërsa kryetarja e Kuvendit, Danijella Gjuroviq, tha se të gjithë aktorët politikë duhet të tregojnë përgjegjësi maksimale dhe të kontribuojnë që vendi të dalë nga kriza politike dhe institucionale.

Skepticizmi i Abazoviqit ndaj ndërprerjes së negociatave

Abazoviq, megjithatë, u shpreh skeptik ndaj paralajmërimit të ministres së Jashtme sllovene, Tanja Fajon, se në Bruksel do të diskutohet për masa që përfshijnë ndërprerjen e negociatave me Malin e Zi.

Në deklaratën e tij të parë pas takimit me Fajonin, ai tha se nuk ka dëgjuar asnjë lajm negativ për negociatat me BE-në.

Një ditë më vonë, më 16 janar, ai u pyet nga gazetarët për deklaratën e Fajonit dhe tha se nuk beson në një skenar të tillë.

“Një gjë është të thuash se ka rrezik [për ndërprerjen e negociatave] dhe tjetër është të thuash se kjo do të ndodhë. Kushdo që dëshiron të besojë në këtë, le të urdhërojë.

Është keq që ne nuk e konstituojmë Gjykatën Kushtetuese dhe apeli im është që gjyqtarët të zgjidhen”, tha Abazoviq.

Procedura e zgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese

Në zhvillim e sipër është përpjekja e gjashtë për zgjedhjen e gjyqtarëve të munguar të Gjykatës Kushtetuese në Mal të Zi.

Pas konkursit të shpallur për postin më të lartë gjyqësor, kanë aplikuar 26 kandidatë, me të cilët Komisioni Parlamentar do të zhvillojë intervista. Pas kësaj, Komisioni do t’i zgjedhë kandidatët për të cilët do të vendosë plenumi.

Për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese kërkohet një shumicë e kualifikuar prej dy të tretash – përkatësisht 54 deputetë nga 81 sa i ka Kuvendi i Malit të Zi duhet ta mbështesin kandidatin në rundin e parë.

Kjo do të thotë se përveç partive të shumicës parlamentare, të cilat kanë 41 deputetë, kandidati duhet të mbështetet edhe nga 13 deputetë të tjerë të opozitës.

Nëse në rundin e parë nuk zgjidhet asnjë kandidat, pas një muaji zhvillohet rundi i dytë i votimit, kur do të nevojitet një shumicë prej tri të pestave, ose 49 deputetë.

Zgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese nënkupton arritjen e një marrëveshjeje politike mes shumicës dhe partive opozitare.

Marrëveshja për kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese duhet të arrihet nga shumica parlamentare e udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-rus dhe opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit.

Në pesë ciklet e mëparshme të përpjekjeve për zgjedhjen e gjyqtarëve, nuk është arritur një marrëveshje e tillë.

Profesoresha Gjuroviq thotë se i frikësohet tregtisë së mundshme politike në garën për vende në Gjykatën Kushtetuese.

“Gjendemi në një situatë ku këta kandidatë, të cilët duhet të njihen si të pavarur dhe profesionistë, po njihen gjithnjë e më shumë si njerëz që janë më afër ose më larg programeve apo partive të caktuara politike. Kjo është ajo tregtia e zhveshur politike që kemi gjetur në këtë cikël të gjashtë të zgjedhjes së gjyqtarëve”, thotë Gjuroviq.

Paralajmërimet e mëparshme të BE-së për ndërprerjen e negociatave

Kjo nuk është hera e parë që Bashkimi Evropian paralajmëron ndërprerjen e negociatave me një vend kandidat. Gjuroviq kujton se ka pasur raste të ngrirjes së negociatave, por jo gjithmonë kanë qenë shumë formale.

“Këso përvojash kishte edhe në Sllovaki, e të cilat ishin tipike edhe për Maltën midis viteve 1996 dhe 1998. Ato lidheshin me ndryshimet në koalicionet qeverisëse, të cilat më pas e ndryshuan qëndrimin e tyre…”, thotë Gjuroviq.

Mali i Zi ka filluar procesin e negociatave për anëtarësim në BE në vitin 2012. Deri më tani, të 33 kapitujt e negociatave janë hapur dhe vetëm tre prej tyre janë mbyllur përkohësisht.

Komisioni Evropian ka theksuar vazhdimisht se për kompletimin e kapitujve të negociatave, janë të domosdoshme rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe reformat në drejtësi.

Është bërë e ditur se asnjë kapitull nuk mund të mbyllet para se të përmbushen standardet e përkohshme në fushën e sundimit të ligjit.

(REL)

Comment

*