Mali i Zi, rritet numri i të infektuarve me COVID-19

Podgoricë,14 gusht 2021 – Në Mal të Zi, ditëve të fundit, është regjistruar një numër i lartë i të infektuarve me COVID-19.

Instituti i Shëndetit Publik të Malit të Zi njoftoi se të shtunën janë regjistruar 394 raste të reja dhe dy persona kanë vdekur si pasojë e koronavirusit. Një numër i theksuar i të infektuarve janë turistë, të cilët vizitojnë bregdetin e Malit të Zi.

Në qytetin e Ulqinit, ku po qëndron një numër i madh i turistëve nga rajoni e sidomos nga Kosova, vërehet një rritje e dukshme e të infektuarve. Në këtë komunë bregdetare janë mbi 400 raste aktive, kurse 20 persona janë shtruar në spitalin e Tivarit si raste të rënda me COVID-19.

Në Mal të Zi aktualisht janë 3833 raste aktive të të infektuarve, kurse nga fillimi i pandemisë numri i të infektuarve po arrinë gati 106 mijë. Si pasojë e COVID-19 në Mal të Zi kanë humbur jetën 1642 persona.

(Ali Salaj, Zëri i Amerikës)