Maliqi: Kosova kërkon të nënshkruhet marrëveshja, Serbia e refuzon

Prishtinë, 18 mars 2023 – Në Ohër vazhdojnë bisedimet e filluara para gjashtë orësh të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në praninë e ndërmjetësve të Bashkimit Evropian, Josep Borrell e Mirosllav Lajçak.

Kohëzgjatja kaq e madhe e bisedimeve është tregues i qartë se palët kanë dallime të mëdha lidhur me aneksin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian, e cila ishte pranuar nga të dy palët në takimin e tyre të 27 shkurtit, në Bruksel.

Sipas analistit politik Agon Maliqi, mospajtimet kanë të bëjnë me nënshkrimin ose mosnënshkrimin e marrëveshjes, përfshirë edhe aneksin e saj.

Në një postim në Twitter, Maliqi ka shkruar se pala kosovare po kërkon të nënshkruhet si dokument obligues për të dy palët, ndërsa pala serbe kërkon që marrëveshja të jetë dokument i BE-së, të cilin mund ta përdorë për t’i mbajtur përgjegjëse dy palët.

“Ngecja në Ohër thuhet se ka të bëjë me nënshkrimet. Palët bien dakord për përmbajtjen e marrëveshjes, por Kosova dëshiron që ajo të nënshkruhet nga të dyja palët, kurse Serbia preferon që marrveshja të jetë një dokument të cilin BE-ja do ta përdorte për t’i mbajtur palët përgjegjëse. Si mund të quhet diçka marrëveshje nëse nuk është nënshkruar?”, ka shkruar Maliqi.

(r.m.)