“Mallkimi” i Çamërisë helmon politikën greke

Nga Ruben Avxhiu

Pamje nga nga një protestë e Rrënjëve Shqiptare përpara Konsullatës së Greqisë në New York.

Mosdenoncimi i krimeve të të kaluarës nuk të shpëton prej tyre. Përkundrazi. Historia ka këtë ves të keq që i detyron njerëzit ta rijetojnë kur nuk mësojnë prej saj.

Krimet e të kaluarës nëse harrohen apo injorohen, nuk zhduken. Ato brendësohen, normalizohen dhe mbeten në ndërgjegjen e shoqërisë si një virus i heshtur në trup, që gjen momentin e dobësisë për të shpërthyer në mënyrë fatale.

Shqipëria e di mirë këtë, se pavendosmëria për t’u përballur me krimet e komunizmit e ka lënë shoqërinë sot të paaftë për të prodhuar një demokraci të shëndetshme e një moral publik mbizotërues.

Rajoni ynë është i mbushur me fantazma krimesh të të kaluarës që nuk flenë dot gjumin e madh se shoqëritë nuk gjejnë dot forcën për t’i denoncuar e varrosur nga frika politike se humbasin veglën e dashur shekullore të vetëviktimizimit.

Greqia nuk bën dot përjashtim, ashtu si në shumë aspekte të tjera, ndonëse ka qenë pjesë e Bashkimit Europian që nga vitet 1980 e me një përvojë demokratike shumë më të gjatë se pjesa tjetër e Ballkanit.

Edhe zgjedhjet e fundit politike dëshmuan të njëjtin problem.

Ato u përshëndetën gjerësisht si një fitore kundër populizmit të SYRIZAs dhe rikthim te partitë qendrore tradicioanle. Si ngjarja më e gëzuar u festua zhdukja nga parlamenti i Agimit të Artë.

Po këto reagime nuk shohin realitetin në sy. Problemi kryesor i Greqisë nuk ka qenë populizmi e as majtizmi ekstreme, po nacionalizmi i shfrenuar që helmon çdo filozofi politike duke krijuar përzjere të rrezikshme. Infeksioni i neonazizmit grek mbetet në trupin e shoqërisë. Pasi shtrydhën jashtë Agimin e Artë, u ka dalë partia që doli si rezistencë ndaj Marrëveshjes së Prespës me Maqedoninë. Myslimanët thonin jo Ali Hoxha, po Hoxhë Alia. E thënë copë, grekët kanë po aq fashistë në parlamentin e vitit 2019 sa kishin edhe në atë përpara zgjedhjeve të fundit.

Po nuk fillon e mbaron aty. Nuk do të vinte dot Demokracia e Re në pushtet nëse SYRIZA nuk do të shihej si pamjaftueshmërisht nacionaliste në sytë e votuesve grekë. Po edhe më parë, ajo që e solli në pushtet SYRIZA-n ishte një shpërthim i nacionalizmit grek kundër Gjermanisë, BE-së, institucioneve ndërkombëtare financiare etj. Një mentalitet se grekët po diskriminoheshin se ishin grekë dhe jo se nuk po paguanin borxhet apo përshkak të korrupsionit të thellë, politikave të gabuara dhe të papërgjegjshme financiare e ekonomike etj. Sigurisht, mania e tyre për vetëviktimizim u ndihmua edhe nga një tufë shkrimesh e reagimesh paragjykuese në median perëndimore, po këto nuk dallojnë shumë nga çfarë rrjedh në median greke rregullisht për shqiptarët e fqinjë të tjerë, madje edhe ndaj perëndimorëve.

Kur kërkojmë që të njihen krimet ndaj Çamërisë sepse kjo do të ndihmojë edhe vetë Greqinë, nuk është një nga ato parrullat boshe që i bëjmë për të zbukuruar patriotizmin tonë e luftën për të drejta historike e njerëzore. Ka një realitet të thellë në të që buron nga vetë tragjedia jonë nën një regjim komunist dhe mënyra se si dështuam në periudhën tonë paskomuniste.

Nëse mban kriminelë në piedestale si heronj, nëse fsheh krimet duke i paraqitur si heroizma në librat e historisë, nëse detyrohesh të përbaltësh fëmijë e civilë si fashistë për të justifikuar krimet e një gjenerali që vrau, shkatërroi e dëboi dhjetëra mijëra qyetarë të vendit tënd vetëm se kishin kombësinë apo fenë “e gabuar”, je duke bërë një padrejtësi të madhe ndaj viktimave dhe historisë, po je duke sabotuar edhe të ardhmen tënde.

Këta kriminelë si Zervasi me shokë nuk do të mbeten vetëm në statuja e në faqe librash historikë. Ata do të gjejnë ditën e krizën e duhur për të zbritur tinëzisht, me një tjetër emër, me një tjetër flamur, e pseudo-ideologji për të gjetur “armikun” e radhës, për të bërë krimin e radhës. Krimi sjell krimin e tragjedia tragjedinë. Mjafton të kujtosh diktaturën e oficerëve në vitet 1960-70 të Greqisë për të kujtuar se historia nuk fal.

Njëfarësoj, Greqinë e zë “mallkimi” i Çamërisë, jehona e injoruar dhe e vrarë e klithmave të dhjetëra mijëra nënave që lëngonin udhës së gjatë të dënimit, mes kalvarit të vrasjeve, përdhunimeve, rrahjeve, shtyrjeve, dëbimeve, bastisjeve dhe vjedhjeve. E më pas heshtja e historisë. Kjo tragjedi që i rikthehet mbi kokë Greqisë nuk është ngushëllim për çamët apo mbarë shqiptarët. Ajo nuk i rikthen të humburit, nuk e vendos drejtësinë në vend, nuk e zgjidh krizën që përsëritet. Më keq akoma. Tragjedia shpesh nuk njeh kufij dhe është ngjitëse. Shqiptarët dhe grekët janë të dënuar apo të bekuar të jetojnë së bashku në një rajon. Çamët meritojnë që t’u njihet vuajtja e sakrifica, në mos si shqiptarë, si ish-qytetarë të Greqisë, si qenie humane e të mbijetuar të mëdhenj. Greqia duhet të pranojë dhe dënojë spastrimin etnik ndaj tyre, përpjekje për genocid dhe politikat naziste shfaosëse që kopjuan prej pushtuesve të tyre. Të mos e bëjnë për ne. Ta bëjnë për vete, për fëmijët e tyre, për të mposhtur dhe vrarë përgjithmonë, krimin që ende gjallon në gjirin e tyre.