Manastirliu: 12 gra të vrara në 2021, denonconi çdo rast dhune

Dhuna në familje ka shkaktuar 17 viktima gjatë vitit të fundit ndërkohë që 12 prej tyre janë gra. Në kuadër të ditës botërore kundër dhunës me bazë gjinore, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bëri apel nga foltorja e parlamentit për denoncimin e çdo rasti në mënyrë që të parandalohen pasojat.

12 gra kanë humbur jetën këtë vit nga dhuna në familje, dhe mijëra të tjera kanë denoncuar në policinë e shtetit se janë keqtrajtuar.

Në ditën ndërkombëtare të dhunës me bazë gjinore, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dha alarmin për këtë situatë nga foltorja e Kuvendit.

 “Kjo dhunë i ka marrë jetën 17 qytetarëve këtë vit, 12 prej të cilëve janë gra. Në këto 10 muaj, rreth 4 mijë denoncime janë referuar në policinë e shtetit për raportimin e dhunës në familje. 2965 gra dhe vajza janë dëmtuar nga dhuna në familje në këto 10 muaj, ndër to, 1432 janë bashkëshorte. Rritja e denoncimeve është një kambanë alarmi por padyshim është tregues i besimit të shtuar tek institucione dhe kjo na vë akoma më shumë përpara përgjegjësisë për të rritur fuqinë reaguese, për të parandaluar çdo akt dhune, çdo ngjarje të dhimbshme që mund të sjellë ajo. Puna jonë nuk ka ndalur në forcimin e instrumenteve ligjore, përmes forcimit të mekanizmave të denoncimit të dhunës në çdo bashki, përmirësimi i legjislacionit që mbron gratë e dhunuara, apo tek mbështetja për shërbime në territor dhe deri fuqizimi dhe riintegrimi në shoqëri i vajzave dhe grave”.

Për parandalimin e dhunës, dhe për trajtimin e rasteve, Manastirliu theksoi se është i nevojshmë arsimimi dhe edukimi, ndërsa nga institucionet shtetërore nuk do të mungojë mbështetja financiare e viktimave të abuzimit.

“Me buxhetin 2022 do të rritet mbështetja për gratë viktima të dhunës, duke trefishuar masën e mbështetjes për gratë që janë viktima të dhunës dhe gratë e trafikuara”.

 “Bëje botën Portokalli” është nisma e cila do të zgjasë 16 ditë dhe synon të sensibilizojë çdo person për të denoncuar rastet e dhunës në institucione.OraNews