Manifestim në mbështetje të Ukrainës në Tiranë

Tiranë, 8 prill 2022 – Në mbështetje të qëndresës heroike të popullit ukrainas kundër agresionit rus, komuniteti ukrainas në Shqipëri organizoi të premten në Tiranë një manifestim solidariteti me popullin e Ukrainës, ku morën pjesë disa mijëra qytetarë shqiptarë. Manifestuesve iu bashkuan edhe përfaqësues të trupit diplomatiktë akredituar në Tiranë, zyrtarë të partive politike dhe anëtarë të shoqërisë civile.

Rinia e Tiranës, pjesëmarrëse në manifestim, e shpalosi një flamur të Ukrainës të përmasave shumë të mëdha.

Manifestimi nisi në sheshin “Skëndërbej”, në formën e një marshimi të heshtur, vazhdoi përgjatë bulevardit ”Dëshmorët e Kombit”dhe u ndal para ambasadën së Ukrainës në Tiranë. Në rrugën”Ukraina e lirë” manifestuesit hodhën parulla kundër agresionit rus në Ukrainë .

Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitshko, përshëndeti manifestuesit përmes një video-mesazhi të shfaqur në një ekran të madh. Ai falenderoi shqiptarët dhe Shqipërinë për ndihmën dhe mbështetjen ndaj kauzës së Ukrainës.

“Ne po shikojmë se kush janë miëqtë e Ukrainës dhe nuk do t’i harrojmë kurrë. Ne duam ta ndalojmë këtë luftë të pakuptimtë,” theksoi ai në video-mesazhin e tij.

Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shukrov, i përshëndeti manifestuesit dhe e falënderoi popullin shqiptar për solidaritetin e shprehur me popullin e Ukrainës. Ai i bëri thirrje botës së qytetëruar që “të bëjë gjithçka që është e mundur për të

transferuar në Ukrainë armët e nevojshme, për të vendosur sanksionet më të rënda të mundshme siç janë embargoja e energjisë, transportit dhe ajo ekonomike”.

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, në fjalën e saj para manifestuesve, tha se “e gjithë bota ka parë çfarë ka bërë ushtria e Vladimir Putinit që nisi pushtimin e paramenduar, të pajustifikuar dhe brutal të Ukrainës”.

“Siç ka thënë presidenti Biden, Putini i kishte bërë keq llogaritë. Ai u ndesh me një mur të fortë, u ndesh me popullin ukrainas”, theksoi ambasadorja Kim.

Kryetari bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se me këtë manifestim Tirana u bashkohet qyteteve të mëdha të Europës që ngrenë zërin kundër agresionit rus në Ukrainë. Ai e  citoi Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili ka thënë: “Na ndihmoni me gjithçka të mundeni, vetëm me heshtje mos na ndihmoni, sepse heshtja nuk e ndihmon asnjeri”.

(Sipas DW.de)

Comment

*