Manja dhe Kim: Pengesat e vogla s’do ta ndalin bashkëpunimin kundër krimit

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja priti ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim

Biseda ishte shumë konstruktive dhe ministri Manja me ambasadoren Kim shprehën gatishmërinë për bashkëpunim tërësor në mbështetje të zbatimit të reformës në Drejtësi dhe luftën kundër krimit dhe pandëshkueshmërisë.

Bashkëbiseduesit lanë të kuptohet sipas njoftimit zyrtar, kënaqësi dhe vlerësim për takimin dhe për nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara veçanërisht për drejtësinë.

Ministria raportoi se mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e paçmueshme për Shqipërinë.

“Me Ambasadoren znj.Yuri Kim biseduam dhe ndamë së bashku idetë dhe objektivat për të vijuar më tej punën pa kthim, për zbatimin e plotë të Reformës në Drejtësi në të gjithë përbërësit e saj”-citohet ministri.

Po ashtu u theksua se pengesat e vogla nga çdo anë të vijnë, as nuk do të pengojnë e as nuk do të ndalojnë bashkëpunimin tonë maksimal në luftën ndaj korrupsionit, krimit dhe pandëshkueshmërisë në Shqipëri.