Manja flet për hartën gjyqësore, mandatin e vetingut dhe reformën në Drejtësi

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja

-Zoti Manja, për hartën e re gjyqësore ka pasur një debat mes KLGJ-së dhe zonjës Gjonaj kur ishte ministre.

-Z.Ulsi Manja: “Ju e ndoqët edhe në fjalën time sot që miratimi i hartës së re gjyqësore si një mekanizëm efikas në organizimin e sistemit gjyqësor është një nga prioritetet e punës së ministrisë së Drejtësisë.
Natyrisht ne e kemi bërë të qartë që harta është prerogativë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, në dijeninë time dje
Dje ka patur rishikim të hartës, projektit të hartës së re gjyqësore në Këshillin e Lartë Gjyqësor nga grupi i punës i ngritur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor ku ministria e Drejtësisë ka përfaqësuesit e saj në nivelin më të lartë.
Dhe, shumë shpejt harta e re gjyqësore do të vijë në ministrinë e Drejtësisë pas rishikimit që është bërë dhe ne do të vijojmë më tej me hartën e re gjyqësore.

Zoti Manja, si ministër Drejtësie, pse paraardhësja juaj e mbajtur për një kohë të gjatë pa e miratuar këtë hartë, sepse është dorëzuar prej afro 11 muajsh nga Këshilli i Lartë Gjyqësor?

-Z.Ulsi Manja: “Sigurisht që miratimi i hartës së re gjyqësore nuk është proces i lehtë sepse ka të bëjë me riorganizimin e sistemit të gjykatave dhe përpos edhe të prokurorive, sepse prokuroritë funksionojnë pranë gjykatave.
Pra, është një proces që në fakt merr në konsideratë shumë faktorë të tjerë që kanë të bëjë me aksesin e shërbimeve të qytetarëve ndaj sistemit të drejtësisë.
Pra, le të themi që do të duhet të kemi një hartë të re gjyqësore që i vjen në ndihmë plotësimit të vakancave në sistemin gjyqësor, por pa cenuar aksesin e qytetarëve te shërbimet gjyqësore”.

-Zoti Manja, reduktohen ndjeshëm gjykatat dhe reduktohen në distancë të paktën kilometrike, qytetarët dhe gjykatat se normalisht duhet të shkojë gjykata te qytetari?

-Z.Ulsi Manja: “Duroni dhe prisni hartën re gjyqësore. Besoj javës tjetër do të keni informacionin e duhur ju si media për hartën e re gjyqësore.
Qëllimi im është të ofrojmë shërbime gjyqësore atje ku sot i kemi gjykatat. Pra thelbi i hartës për atë që jemi duke, diskutuar dhe me Këshillin e Lartë Gjyqësor është përqendrimi i trupës gjyqësore”.

-Qeveria dhe ju jeni për një Gjykatë Apeli, apo për tre, sepse ky ka qenë debati që e ka penguar hartën.

-Z.Ulsi Manja: “Unë e thashë që ne do të shkojmë drejt variantit që do të ofrojmë shërbime gjyqësore atje ku janë sot”.

-Pra me tre Apele?

-Z.Ulsi Manja: “Atje ku janë sot”.

-Po për mandatin e anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe dhe të Komisionerit Publik. A do të ofroni ju si ministër Drejtësie variante, ndryshime dhe zgjatje të mandatit të tyre përsa kohë që gjysma e magjistratëve nuk janë vetuar ende?

-Z.Ulsi Manja: “Sigurisht që qëndrimi ynë si mazhorancë është që ne do të propozojmë zgjatjen e afateve të komisioneve të vetingut dhe këtu i referohemi Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerëve Publikë.
Natyrisht është në proces që unë e kam, deklaruar edhe në Kuvend që kërkon ndërhyrje në Kushtetutë ku padiskutim është i nevojshëm edhe bashkëpunimi dhe konsensusi i opozitës.
Ai proces, pra procesi i vetingut do të duhet të përfundojë tek organet e vetingut.
Është e vërtetë që Kushtetuta ka parashikuar si mekanizëm që me mbarimin e afateve të komisioneve të vetingut funskionet e përhershme i marrin organet kushtetuese Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe SPAK-u.
Por, që ky proces tashmë i konsoliduar në organet e vetingut, do të duhet të përfundojë atje, aq më tepër që organet e rej të drejtësisë, janë në konsolidim e sipër”.

-Kanë nisur bisedat me opozitën?

-Ulsi Manja: “Sigurisht që kanë nisur. Jemi në konsultim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë që kanë asistuar reformën në Drejtësi që ditën e parë Shtetet e Bashkuara të Armerikës dhe Bashkimi Europian.
Ju edhe sot e patë qëndrimin e ambasadorit Soreka, kështu që në ditët në vijim do të kemi edhe materializimin e nismës konkrete në Kuvend”.