Manjati ukrainasi grurit vritet në sulmin raketor të forcave ruse në Mykolaiv

Kiev, 31 korrik 2022 – Një nga biznesmenët më të pasur të Ukrainës dhe gruaja e tij janë vrarë gjatë natës së kaluar nga bombardimet masive të forcave ruse në qytetin jugor Ukrainës, Mykolaiv.

Oleksiy Vadatursky, 74 vjeç, dhe gruaja e tij, Raisa, kanë qenë në shtëpinë e tyre, e cila është goditur nga një raketë e forcave ruse, raporton BBC.

Kryetari i qytetit të Mykolaivit, Oleksandër Senkevych, ka thënë se ky ishte bombardimi më i rëndë i këtij qyteti nga forcat ruse.

Qyteti Mykolaiv gjendet në rrugën kryesore për në Odesa, portin kryesor të Ukrainës, i cili është goditur vazhdimisht nga forcat ruse qyzsh prej fillimit të luftës.

Vadatursky zotëronte kompaninë “Nibulon”, e cila merrej me eksportet e drithërave të Ukrainës. Kjo  kompani ka ndërtuar shumë depo dhe infrastrukturë për eksportimin e drithërave.

Vadatursky ishte nderuar me çmimin “Hero i Ukrainës” për kontributet e tij për zhvillimin e vendit.

 “Z. Vadatursky kishte bërë shumë për Mykolaivin, e shumë për Ukrainën”, ka thënë lideri i rajonit, Vitaliy Kim.

“Kontributi i tij për zhvillimin e agrikulturës dhe industrisë së ndërtimit të anijeve, për zhvillimin e rajonit, është i paçmuar”, ka thënë ai.

Ukraina dhe Rusia janë eksportues të mëdhenj të grurit dhe të drithërave tjera. Agresioni rus ndaj Ukrainës ka shkaktuar ndërprerje të eksporteve të drithërave nga Ukraina, gjë që ka shkaktuar ngritje të çmimeve të drithërave në mbarë botën.

Javën e kaluar, dy vendet e nënshkruan në Stamboll, në Turqi, një marrëveshje për vazhdimin e eksporteve të drithërave nga Ukraina. Por, eksportet nuk kanë filluar ende, pasi Ukraina po e pret sinjalin e sponzorit të marrëveshjes, OKB-së, për eksporte të sigurta. 

Ukraina i ka akuzuar Rusinë se ka vjedhur dridhëra të bujqve ukrainas në territoret e okupuara dhe ato i ka eksportuar përmes Krimesë, por Rusia i ka mohuar këto pretendime.

(r.m.)