Maqedoni: Të ndryshohet Kushtetuta, shqiptarët shtetëformues

Një tryeze të rrumbullakët e organizuar nga SIOFA, për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit – Zëvendëskryeministri, Musa Xhaferri nuk përjashton kërkesën e ekspertëve për ndryshime të reja kushtetuese me qëllim avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni, duke shtuar se asnjë Kushtetutë nuk është e ngurtë dhe ato duhet reformuar sipas nevojës

Zejnulla Veseli

SHKUP, 24 qershor – Kushtetuta nuk është e ngurtë, ajo mund të reformohet dhe pasurohet. Me këto fjalë e vlerësoi mundësinë e ndryshimeve kushtetuese zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferri gjatë një debati dedikuar pikërisht implementimit të këtij dokumenti në aspekt kuantitativ që u zhvillua të hënën në Shkup.
“Së pari, unë mendoj se çdo Kushtetutë nuk është e ngurtë, nëse kemi parasysh edhe kushtetutat e shteteve tjera, të cilat reformohen dhe pasurohen në bazë të praktikave që kërkon publiku. Profesorët apo analistët kanë të drejtë të shprehin mendimet e tyre dhe ajo është interes i kësaj tryeze se si duhet të rregullohen çështjet të cilat kanë të bëjnë me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit në aspektin kushtetues, ligjor apo mekanizma të tjerë”, tha Xhaferri. Ai këto komente i bëri pas vlerësimeve të ekspertëve se nevojiten ndryshime të reja kushtetuese, me qëllim të përshpejtimit të implementimit të MO-së dhe avancimit të pozitës së shqiptarëve në Maqedoni.
Sipas analistit Imer Ismaili, implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, jo vetëm që shkon vështirë, por deri tani as nuk jep rezultatet e duhura. Implementimi i MO-së, thotë ai, është ndërprerë në vitin 2006 dhe prej atëherë, deri tani kemi vetëm interpretim të asaj që është bërë deri më 2006. Profesori universitarë Imer Ismaili, ishte një ndër ekspertët, pjesëmarrës në tryezën e rrumbullakët që poashtu shprehi nevojën për ndryshime të reja kushtetuese.
“Rikujtoj opinionin se një ndër elementet kryesore që eliminoi konfliktin e armatosur në Maqedoni, në Marrëveshjen e Ohrit ka qenë decentralizimi komplet në të cilin shqiptarët do të kishin realizimin e të drejtave të tyre, që Maqedonia të mos bëhet shtet federal. Tani rrugët çojnë atje, se Maqedonia nuk bën decentralizim as fiskal, as të pushtetit lokal. Tani realisht kemi dekoncentrim të pushtetit e jo decentralizim, dhe ja edhe sot u dëgjua se Maqedonia duhet të mendoj për një rrugë të hapur për ndryshime kushtetuese ku Maqedonia do të behët shtet i dy kombeve. Në mënyrën se si funksionon deri tani, nuk kanë dalë rezultatet e duhura, sepse nga kjo – të gjitha palët janë të pakënaqura – edhe maqedonasit, edhe shqiptarët edhe BE-ja, që do të thotë se në këtë Marrëveshje, diçka nuk funksionon, ku qëndron djalli duhet gjithsesi bashkë ta gjejmë”, thotë Ismaili.
Analisti Mersim Maksuti tha se me Marrëveshjen e Ohrit, shqiptarët e Maqedonisë kanë bërë tre kompromise. E para, vetë MO, nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, ishte kompromis, sepse shqiptarët nuk fituan të drejtën e tyre që të jenë element konstituiv në përbërjen e këtij shteti. Kompromisi i dytë, theksoi Maksuti, u bë nëpërmjet nxjerrjes së ligjeve, pakos së implementimit nëpërmjet ligjeve të MO-së, pasi ato nuk ishin plotësisht në përputhje me Marrëveshjen. Kompromisi i tretë dhe pak më i dhimbshëm se këta tjerat, sipas Maksutit, është vetë implementimi i deritashëm i MO-së, i cili nuk ka qenë në nivelin e duhur dhe kjo ka nxit edhe më shumë arsyen që të hapet vërtet çështja serioze se si duhet shtruar problemi i zgjidhjes së shqiptarëve në Maqedoni. Ai, gjatë debatit hodhi dy teza për ndryshime të reja ligjore dhe kushtetuese.
“Duhet të ridefinohet apo rishikohet statusi juridik i shqiptarëve në raport me pushtetin qendror dhe lokal. Çka kërkojmë më saktë, në raport me pushtetin lokal të rriten kompetencat e pushtetit lokal edhe atë në disa drejtime, si në çështje të sigurisë, arsim dhe shëndetësi, do të thotë të rriten ingerencat e komunave në Maqedoni dhe kjo deri diku, do të zbuste statusin e shqiptarëve në Maqedoni. Çështja tjetër në raport me pushtetin qendror, ne duhet të jemi të vetëdijshëm se realiteti që ndodhet në Maqedoni, patjetër po çon në atë që të hapet çështja e ndryshimeve kushtetuese në vend, për arsye se ne de fakto kemi ndryshim faktit të kushtetutës në vend, ne realisht po ndryshojmë Kushtetutën e këtij vendi në mënyrën e realizmit praktik dhe funksionimit të gjërave në këtë shtet”, vlerëson Maksuti.
Sipas ish-kryeministrit Vllado Buçkovski, Maqedonia fitoi statusin kandidat për anëtarësim në BE pikërisht falë implementimit të Marrëveshjes së Ohrit gjatë katër viteve të para, në kohën kur pjesërisht ai ka udhëhequr me Qeverinë e Maqedonisë. Pas kësaj periudhe, thotë Buçkovski, gjërat u kthyen mbrapshtë dhe kjo, sipas tij, u vërejt gjatë zgjedhjeve lokale në Strugë dhe Kërçovë ku shqiptarët dhe maqedonasit u ndanë në tabore etnike duke shkelur kështu një nga parimet bazë të MO-së.
“Mendoj se MO realizoi qëllimin e saj primar – solli paqe dhe stabilitet në vend, dhe Maqedonia duke implementuar suksesshëm në katër vitet e para MO-në, fitoi statusin e kandidatit për anëtarësim në BE dhe kaq. Më tutje vazhdojmë të mbesim në vend, prandaj më pëlqejnë diskutimet. Modeli i Marrëveshjes së Ohrit parasheh që duke respektuar dallimet, mund të bëhet një shoqëri multietnike, multikonfesionale, e cila duhet të jetë e integruar. Në zgjedhjet e fundit lokale, në shembullin e Strugës dhe Kërçovës nuk fitoi modeli i MO-së, por përkundrazi – kishim një homogjenizim etnik ku nuk ishte me rëndësi cilësia, por përkatësia etnike. Kështu nuk paramendohej para 12 viteve kur përpilohej MO, ishte me rëndësi cilësia, nëse X kandidati është më cilësor prej kandidatëve tjerë, do të votojmë për atë, pa marr parasysh se a është turk, shqiptar apo maqedonas”, vlerësoi Buçkovski.