Maqedonia e Veriut e vlerëson mbështetjen e SHBA-së në procesin e integrimeve

Shkup, 6 dhjetor 2021 – Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, sot ka takuar zëvendësndihmës sekretarin amerikan për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, ku kanë shkëmbyer mendime për marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale mes dy shteteve, si dhe për gjendjen në rajon.

Në takim, Pendarovski, siç njoftojnë nga zyra e tij, ka thënë se të dyja vendet në vazhdimësi e nxisin dialog produktiv politik dhe shprehu besimin se marrëdhëniet bilaterale do të vazhdojnë të zhvillohen me ritëm edhe më të fortë.

Pendarovski gjithashtu theksoi rëndësinë e mbështetjes së fuqishme dhe të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara në arritjen e qëllimeve strategjike të Maqedonisë, që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot.

Lidhur me aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Pendarovski rikonfirmoi pritjet për fillimin e shpejtë të negociatave për anëtarësim, duke theksuar se zhbllokimi i procesit integrues do të ndikojë pozitivisht në stabilitetin dhe zhvillimin e përgjithshëm të rajonit.

Në këtë kontekst, Pendarovski falënderoi administratën amerikane dhe personalisht zëvendësndihmës sekretarin e Shtetit, Escobar, për mbështetjen e tyre në adresimin e nevojës për përparim rajonal drejt BE-së.

Në takim, Pendarovski theksoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut, si anëtare më e re e NATO-s, për të kontribuar në sigurinë kolektive dhe mbrojtjen e vlerave të bashkësisë euroatlantike.

Pendarovski falënderoi edhe për ftesën për të marrë pjesë në Samitin virtual për Demokraci, organizuar nga presidenti amerikan Joe Biden, i cili do të mbahet më 9 dhe 10 dhjetor të vitit 2021.

(r.m.)