Marrëdhëniet Shqipëri-SHBA-NATO, “Një histori dashurie ushtarake”

Frank SHKRELI

Stërvitjet ushtarake shumëkombëshe “Defender Europe 21” të NATO-s, të drejtuara nga ushtria amerikane, do të zhvillohen edhe në Shqipëri.

Në fillim të këtij muaji, në portin e Durrësit arritën një numër i madh kontenjerësh dhe kamionësh të mëdhej, në prag të stërvitjeve të forcave të NATO-s në Shqipëri dhe në rajon.  Zyrtarët amerikanë e cilësuan këtë përqendrim të mjeteve ushtarake amerikane dhe të NATO-s si më të madhin që është parë në bregdetin e Shqipërisë që prej Luftës së Dytë Botërore. Sipas zëdhënsve amerikanë, këto stërvitje ushtarake (nga 17 maji deri më 2 qershor) kanë për qëllim parandalimin e agresionit dhe ruajtjen e gatishmërisë operacionale të Aleancës Perëndimore të NATO-s. Në stërvitjet “Defender Europe 21” po marrin pjesë gjithsejt 26 vende, me 28. 000 ushtarë të forcës shumëkombëshe t٥ NATO-s dhe të aleatëve e partnerëve.

“Shqipëria është një partner i vlefshëm. Ushtarakët tanë përfitojnë duke u trajnuar së bashku, duke rritur ndërveprimin, duke ndërtuar gatishmërinë operacionale dhe duke forcuar marrëdhëniet.Të gjitha këto mundësojnë aftësinë tonë për t’iu përgjigjur çdo krize, në çdo kohë, së bashku me aleatët dhe me partnerët tanë,” citon VOA-shqip zëdhënësen e kontingjentit të ushtrisë amerikane për Evropën dhe Afrikën, me qendër në Gjermani, Tammy Muckenfuss.

Është mirë që me këtë rast të kujtojmë se si erdhi deri tek ky moment historik në marrëdhëniet ushtarake të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara, fillimisht, dhe pastaj si anëtare e NATO-s.  Me gjithë rrëmujën politike të kësaj klase politike gjatë tranzicionit të tejzgjatur neo-komunist në Shqipëri prej tri dekadash, fatbardhësisht, kanë qenë dhe janë lidhjet ushtarake dhe antarësimi i Shqipërisë në NATO ato që, të pakën simbolikisht, e kanë mbajtur Shqipërinë të ankoruar në limanin e Perëndimit, shpesh edhe përballë kërcënimeve të udhëheqësve politikë shqiptarë se Shqipëria ka edhe “alternativa të tjera”, duke lenë të nënkuptohen aleancat “historike” të Shqipërisë komuniste enveriste me Rusinë, me Kinën dhe shtete të tjera autoritare, të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat që i mbron NATO-ja, anëtare e të cilës është Shqipëria sot. 

Merita për këtë moment historik të stërvitjeve “Defender Europe 21” nuk u shkon politikanëve aktualë dhe neokomunistëve shqiptarë, por as të tjerëve që me “photo opps” nga platformat e anijeve ushtarake amerikane në Durrës, me dylbi në dorë sikur të ishin turistë, duan ta tregojnë veten si protagonistë kryesorë të këtij momenti historik në marrëdhëniet ushtarake shqiptaro-amerikane.  Jo. Merita për këtë moment në histori, siç tha me 3 maj zëdhënësi i Pentagonit, Z. Xhon Kirby, u shkon atyre “burrave dhe grave në uniformë dhe punës së tyre të shkëlqyeshme nga dita në ditë në rajon – veçanërisht në Ballkan dhe në zonën e Detit të Zi, si edhe në zonat operacionale të caktuara të Evropës dhe Afrikës”. Unë do të shtoja se meritë për ketë ditë të shënuar në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane kanë edhe ushtarakët shqiptarë, të cilët, krah për krah me forcat ushtarake amerikane dhe të NATO-s, janë të përkushtuar të mbrojnë sigurinë kombëtare dhe vlerat e përbashkëta perëndimore, si ushtarë të një vendi anëtar të NATO-s.

Prandaj, në euforinë e këtij momenti historic, ndoshta edhe tëi justifikueshëm deri diku, ia vlen të sjellim në kujtesë se si erdhi deri tek ky moment historik që stërvitjet historike “Defender Europe 21” të zhvillohet në Shqipëri, ky moment krenarie për të gjithë, sidomos për komunitetin shqiptaro-amerikan.

Në një shkrim me rastin e 9-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, “Frank Shkreli: Shqipëria, vendi i parë ish-komunist që ka nënshkruar marrëveshje ushtarake me Shtetet e Bashkuara” botuar te Gazeta Telegraf me 10 gusht 2018, kisha shënuar një historik të shkurtër për fillimin e marrëdhënive ushtarake amerikano-shqiptare. Pjesë nga ai shkrim:

Megjithëse njerëzit mund të kenë harruar, e vërteta është se ky interesim, në fusha të ndryshme nga ana e Shteteve të Bashkuara për Shqipërisë dhe për shqiptarët është pasqyruar dhe theksuar që në vitet menjëherë pas shembjes së komunizmit në Shqipëri. Marrëdhëniet ushtarake midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë kanë parë vetëm rritje gjatë pothuaj 30-viteve të fundit, pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë në Mars të vitit 1991, marrëdhënie këto që falë historisë, ishin të natyrshme midis dy kombeve, pas rënies së diktaturës komuniste në Shqipëri. Shtetet e Bashkuara kanë qenë vendi më entuziast në mbështetje të Shqipërisë për anëtarësimin e saj në NATO, ç’prej fillimit. Ishte ky një proces i gjatë dhe i ngadalshëm në zhvillimin e marrëdhënieve ushtarake midis dy vendeve, kryesisht, për arsye të problemeve të brendshme politike në Shqipëri, por që në të vërtetë procesi ka filluar me vizitën e parë të delegacionit të forcave të armatosura të Shqipërisë në fillim të 1990-ave, një proces ky që zgjati, por që më në fund kulmoi në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në vitin 2009.

 

Zyrtarë të lartë amerikanë gjatë viteve kanë thënë se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Shqipërinë si një shtet partner dhe vend mik, marrëdhëniet me të cilin, Ëashingtoni i ka vlerësuar shumë. Që prej rivendosjes së marrëdhënieve midis dy vendeve tona më 15 mars, 1991 — pas një ndërprerjeje prej një gjysmë shekulli nga regjimi komunist — edhe Shqipëria, brenda mundësive të saja, e ka dalluar veten me fjalë dhe me vepra, si një prej aleatëve më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara, jo vetëm në marrëdhëniet dypalëshe, por edhe me bashkëpunimin e saj në arenën ndërkombëtare.

Vizita e parë në Washington e një ministri të Mbrojtjes të Shqipërisë ishte vizita e Safet Zhulalit dhe delegacionit të tij ushtarak, në fillim të viteve ’90. Unë kam marrë pjesë si përkthyes në takimin e parë zyrtar midis delegacionit të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë dhe zyrtarëve të lartë të Pentagonit ku të dy palët biseduan në hollësi mbi gjendjen e atëhershme të forcave të armatosura të Shqipërisë, si dhe për marrëdhëniet e ardhshme dhe për bashkëpunimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes. 

Ishte tetori i vitit 1993 kur Washingtoni nënshkroi një marrëveshje ushtarake me Shqipërinë, vendi i parë ish-komunist me të cilin Shtetet e Bashkuara kishin nënshkruar një marrëveshje të tillë. Si diçka e jashtëzakonshme, duke marrë parasysh mos ekzistencën e marrëdhënieve deri atëherë midis Tiranës dhe Ëashingtonit — në atë kohë ky lajm bëri bujë duke u pasqyruar në organet më të njohura të shtypit amerikan, si Nju Jork Tajms dhe Uashington Post. “Marrëveshja e parë e këtij lloji e Shteteve të Bashkuara me një shtet ish-komunist”, shkruante gazeta Nju Jork Tajms, “është nënshkruar më 8 Tetor nga Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Les Aspin dhe më 14 tetor në Tiranë është nënshkruar nga ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Safet Zhulali”, njoftonte në atë kohë gazeta e njohur e Nju Jorkut. Në marrëveshjen ushtarake shprehej “gatishmëria e të dy palëve për të zgjeruar marrëdhëniet mbrojtëse dhe ushtarake midis dy vendeve”.  Koloneli Adem Çopani, këshilltari ushtarak i Presidentit të atëhershëm, Sali Berisha, gjendej ato ditë në Washington për të biseduar mbi hollësitë e marrëveshjes.

Kjo, jo vetëm që ishte marrëveshja e parë ushtarake e Washingtonit me një prej vendeve ish-komuniste më të egra, por Shqipëria ishte gjithashtu vendi i parë ish-komunist që kishte kërkuar të anëtarësohej në NATO. Ka qenë Presidenti Sali Berisha ai që ka bërë lutje për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por, fatkeqësisht, u desh të pritej deri në vitin 2009 që Shqipëria, më në fund, të anëtarësohej zyrtarisht në Aleancën e Atlantikut Verior, NATO, duke finalizuar kështu përpjekjet prej pothuaj dy dekadash dhe duke realizuar aspiratat mbarëshqiptare për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën më të fuqishme që ka njohur bpta ndonjëherë.

Pak më vonë, gazeta e kryeqytetit amerikan, Washington Post, i kishte cilësuar marrëdhëniet ushtarake shqiptaro-amerikane, marrëdhëniet midis ushtrisë më të pasur dhe më të fuqishme në botë dhe një ushtrie të vogël e të varfër, si një “lidhje dashurie ushtarake” (a military love affair), duke e cituar një oficer ushtarak amerikan. I pyetur për zhvillimin e shpejtë të lidhjeve ushtarake me një vend ish-komunist, ai citohej të ketë thënë: “Jemi prekur thellë nga ‘sindroma shqiptare’, nga një dëshirë e madhe për t’i ndihmuar këta njerëz”, është shprehur oficeri i lartë amerikan.

Washington Post theksonte gatishmërinë e Shqipërisë për këto marrëdhënie, duke shkruar se Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, kishte vënë në dispozicion të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s të gjitha bazave ushtarake të Shqipërisë. “Ne i mirëpresim Amerikanët. Ata janë çelësi i sigurimit tonë”, citonte gazeta amerikane ish-Presidentin shqiptar, Sali Berisha.

Ndërsa gjatë një vizite në Tiranë, në vitin 1995, ka raportuar gazeta Washington Post, Kryetari i Shtatmadhorisë së Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, Gjenerali Xhon Shalikashvili, ua ka kujtuar shqiptarëve se interesimi i Shteteve të Bashkuara për fatin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve e ka zanafillën tek Presidenti Woodrow Wilson, i cili, në mbarim të Luftës së Parë Botërore, ndërhyri për të shpëtuar Shqipërinë. “Sa i kënaqur do të ishte Wilsoni po të kishte mundësi ta vizitonte sot Shqipërinë dhe të shikonte realizimin e gjallë të ëndrrës, duke parë ushtarakët e rinj amerikanë krah për krah me shokët e tyre shqiptarë, duke ndërtuar një të ardhme besimi, miqësie dhe partneriteti midis dy vendeve tona”, është shprehur ish-ushtaraku i lartë amerikan, para zyrtarëve më të lartë ushtarakë të Shqipërisë, në vizitën e tij në Tiranë, në vitin 1995.

Besoj se Wilsoni do të ishte shumë i kënaqur edhe sot me njoftimin se Këshilli i Atlantikut të Veriut ka miratuar vendimin për të ndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor (në Kuçovë) ku ushtarakët amerikanë e shqiptarë do të punojnë se bashku në mbrojtje të paqes e begatisë në Shqipëri dhe më gjerë.  Por, jo vetëm Wilsoni do të ishte i kënaqur për këtë zhvillim, por të gjithë ata shqiptarë dhe amerikanë që ua duan të mirën marrëdhënieve midis dy vendeve, të cilët kanë punuar për një kohë të gjatë për forcimin e marrëdhënieve të ngushta dhe miqësore shqiptaro-amerikane, si në fushën ushtarake ashtu edhe në fushën diplomatike dhe politike.  Janë këto përpjekje që kanë ndihmuar që kombi shqiptar ta zë vendin që i takon, jo vetëm në radhën e kombeve evropiane, por edhe për forcimin e rolit të Shqipërisë në arenën ushtarak e diplomatike ndërkombëtare. Shpresojmë që baza ushtarake që do të ndërtohet në Kuçovë, baza e parë ajrore e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, do të jetë vetëm fillimi i zhvillimeve të mëtejshme në forcimin dhe zgjerimin e këtyre marrëdhënieve.

Këto ishin disa hollësi nga një shkrim i botuar tre vjet më parë, i cili ofron një “background” historik se si u arrit deri tek stërvitjet aktuale të NATO-s “Defender Europe 21” në Shqipëri, këtij momenti historik në marrëdhëniet dypalëshe, si një pasqyrim i përpjekjeve prej tri dekadash, të cilat kanë ndihmuar që kombi shqiptar të zë vendin që u takon, jo vetëm në radhët e kombeve evropiane, por edhe në përforcimin e rolit të Shqipërisë në arenën ushtarako-diplomatike ndërkombëtare. Për këtë, të gjithë duhet të jemi krenarë dhe mirënjohës të thellë ndaj sakrificave që burrat dhe grate, amerikanë dhe shqiptarë në uniformë, bëjnë për të gjithë ne nga dita në ditë, për sigurinë tonë dhe për lirinë dhe demokracinë në rajon dhe në botë.

Sidoqoftë, stërvitjet “Defender Europe 21” janë me të vërtetë një moment historik për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët, besoj pa dallim, ishin të kënaqur kur pamë anijet dhe zbarkimin e mjeteve ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Durrës. Për mua nuk ka pasur — gjatë këtyre 30-viteve të një tranzicioni të pa fund — një moment më historik se ky, me përjashtim të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri (mars 1991) dhe antarësimit të Shqipërisë në NATO (në vitin 2009). Kjo është një ngjarje pozitive për Shqipërinë megjithë problemet me zgjedhjet e 25 Prillit dhe pa marrë parasysh se kush e pret sot NATO-n në portet e Shqipërisë.  Si përfundim, unë besoj se ndonse me dhimbje dhe vonesë, Shqipëria do të bëhet – eventualisht — edhe pa politikanët shqiptarë aktualë, të cilët edhe sot 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit refuzojnë të distancohen nga komunizmi – një ideologji armiqësore kjo ndaj lirisë dhe demokracisë – e për të cilën u themelua, pikërisht, aleanca ushtarake NATO me qëllim që të përmbante përhapjen e komunizmit!  Nuk jam i sigurt nëse pritja e anijeve të NATO-s në Durrës – si pjesë e stërvitjeve “Defender Europe 21”, nga nostalgjikë të komunizmit shqiptar mund të quhet hipokrizi e rastit a po aksident historik! Kam drojë se do të nevojitet një brez tjetër politikanësh shqiptarë, por Shqipëria e lirë dhe demokratike, ashtu si e gjithë Evropa — e vlerave perëndimore të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara — do të bëhet edhe pa ta, megjith procesin e gjatë dhe shanset e shumta të humbura gjatë këtyre 30-viteve të tranzicionit politik! Edhe lidhjet ushtarake të Shqipërisë me SHBA dhe NATO-n jo vetëm do të mbijetojnë por do të forcohen mëtej dhe miqësia e veçant dhe historike midis popullit amerikan dhe shqiptarëve do të vazhdojë të rritet e të lulëzojë megjithë dredhitë dhe akrobacitë politike të politikanëve shqiptarë!

One Response to “Marrëdhëniet Shqipëri-SHBA-NATO, “Një histori dashurie ushtarake””

Read below or add a comment...

  1. Sali Bollati-Çam Shqiptaro Amerikan says:

    INTELEKTUALIN ATDHETAR AMERIKANO SHQIPTAR Z.FRANK SHKRELI SI NJOHES DHE PJESEMARRES AKTIV NE ZHVILLIMIN E MAREDHANIEVE STRATEGJIKE MIQESORE MIDIS USA DHE SHQIPERISE E FALENDEROJME PERZEMERSISHT ME URIME TE SINQERTA EDHE PER MIREMBAJTJEN E SHENDETIT.
    P.S Ne fotografine e mesiperme jam PERMALLUR duke pare FIGUREN E MINISTRIT TE PARE E TE VETEM TE TIRANES ZYRTARE Z I NDERUAR ALFRED SEREQI -I VETMI(Do Zoti jo i fundit); MINISTER I JASHTEM SHQIPTAR QE KA NGRITUR NE OKB- PROBLEMIN E ÇAMERISE MARTIRE !
    SHUME FALEMINDERIT INTELEKTUALE ATDHETARE TE VERTETE Z.FRANK E Z. ALFRED SEREQI!