Marrëveshja e Ohrit ishte në qendër të debatit për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Nju Jork, 27 prill 2023 – Këshilli i Sigurimit (KS) i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) diskutoi të enjten mbi raportin e misionit të OKB-së, UNMIK, për situatën në Kosovë në periudhën e fundit gjashtëmujore.

Të dyja palët e kritikuan raportin duke e cilësuar si jo të plotë, por shprehën qëndrime të ndryshme për misionin e UNMIK-ut. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se ky mision, i cili është krijuar në bazë të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së duhet të vazhdojë të funksionojë në Kosovë, ndërsa ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se UNMIK-u duhet të  mbyllet, pasi nuk i shërben qëndrueshmërisë dhe paqes në Kosovë.

Duke folur për periudhën e përfshirë në raportin e UNMIK-ut, ministri serb tha se Kosova vazhdon të jetë një mjedis “frike dhe trysnie mbi serbët” dhe kërkoi që ndaj Kosovës të ushtrohet presion për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ky është mekanizmi i vetëm i mundshëm për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurinë e komunitetit serb në Kosovë”, tha ai.

Daçiq e akuzoi Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, se nuk do ta përmbushë detyrimin që buron nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013.

“Jemi të sigurt se Kurti nuk do ta përmbushë marrëveshjen, sepse qëllim i tij është dëbimi i serbëve”, tha ai.

Daçiq tha se janë shtuar incidentet kundër serbëve në Kosovë, ndërsa kthimi i serbëve të shpërngulur nga Kosova pas luftës është shumë i ulët.

Ministri i Jashtëm i Serbisë e kritikoi Perëndimin që e mbështeti mbajtjen e zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore të Kosovës, më 23 prill, të cilat u bojkotuan nga votuesit serbë.

Daçiq bëri të qartë se Serbia nuk do t’i zbatojë të gjitha pikat e marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.  

“Serbia “nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës dhe nuk do të mbështesë anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara”, theksoi ai.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se Serbia po përpiqet të bllokojë integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Është e qartë që Serbia nuk do marrëveshje në bisedime. Përkundrazi dëshiron ta pengojë çfarëdo marrëveshje sepse Serbia e vitit 2023 nuk dëshiron më të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”, tha ajo.

Ministrja Gërvalla tha se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, janë bashkëfajtorë për luftërat dhe krimet e regjimit të Sllobodan Millosheviqit në Ballkan në fund të shekullit të kaluar. 

“Presidenti (Aleksandar) Vuçiq ishte ministër i propagandës i Presidentit (Slobodan) Millsheviq dhe ai ende po vepron si ministër i propagandës dhe jo si president. Dora e djathtë e ‘kasapit të Ballkanit’ që ishte përgjegjës për luftërat e Ballkanit, është personi që sapo foli para nesh”, tha ajo.

Gërvalla theksoi se ministri Daçiq “është përgjegjës për vrasje masive, përdhunime dhe krime lufte” edhe në Kosovë.

Ajo tha se, megjithatë, Kosova është e gatshme të bisedojë me Serbinë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, në mënyrë që të sigurohet paqe e qëndrueshme në rajon, por Serbia, siç e tha ministri Daçiq edhe këtu, nuk është e gatshme të zbatojë marrëveshjen e dakorduar në Bruksel, muajin e kaluar.  

Ministrja Gërvalla tha se Serbia vazhdon të jetë portë e hapur për Rusinë në Ballkan, gjë që përbën kërcënin për paqen dhe sigurinë në rajon.

“Serbia është kërcënimi më i madh për paqen në Ballkan”, theksoi ajo.

Shumica e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit u bënë thirrje të dyja palëve që të zbatojnë marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatojnë marrëveshjet e mëhershme, duke vënë theksin te Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Marrëveshja e mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.

Javën që vjen udhëheqësit e të dyja vendeve do të takohen në Bruksel për të diskutuar zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, shkroi se ka biseduar me presidentin serb Vuçiq për paparimin në procesin e bisedimeve dhe posaçërisht urgjencën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Presim një takim konstruktiv më 2 maj”, ka shkruar ai.

(r.m.)