Marrëveshja Kosovë – Serbi nuk e bind Listën Serbe të marrë pjesë në zgjedhjet lokale

Prishtinë, 20 mars 2023 – Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës, pavarësisht marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Krerët e Listës Serbe ia kanë deklaruar këtë qëndrim ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, të hënën.

Lista Serbe, e cila kontrollohet nga Beogradi zyrtar, përmes një komunikate për media, ka thënë se këtë qëndrim do ta mbajë derisa të plotësohen dy kushtet e shtruara prej saj: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tërheqja e të gjitha njësive të policisë speciale nga veriu i Kosovës.

Zgjedhjet lokale në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe duhet të mbaheshin më 18 dhjetor të vitit të kaluar, por ato u shtynë për 23 prill, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.

Afati i fundit për aplikim në Komisionin Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për pjesëmarrje në zgjedhje është 22 marsi. Sipas KQZ-së, deri më tani janë të certifikuar 11 kandidatë për të marrë pjesë në këto proces zgjedhor.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok do të mbahen për shkak të dorëheqjeve të kryetarëve të tyre, në nëntor të vitit të kaluar. Dorëheqjet e tyre, sikurse edhe dorëheqjet kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës, kanë ndodhur në shenjë proteste kundër  vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe dhe pajisjen e tyre me targat legaler të Republikës së Kosovës, RKS.

(r.m.)