Marrja e green card-ës nëpërmjet punësimit në SHBA

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Ligjet e emigracionit u ofrojnë të huajve një larmi mënyrash për t’u bërë rezidentë të ligjshëm të përhershëm (për të marrë green card) nëpërmjet punësimit në SHBA. Individët që gjenden në SHBA mund të aplikojnë për statusin e rezidentit të ligjshëm të përhershëm në kategoritë EB-1, EB-2 dhe EB-3. Diçka e tillë quhet “ndreqje statusi”. 

Kategoritë e “emigrantit që preferohet” të cilat kanë për bazë punësimin bazohen tek aftësitë apo mjeshtëria e veçantë e punëtorit. Secila kategori punësimi paraqet disa kërkesa të veçanta që duhen përmbushur.  Këto kërkesa mund t’i gjeni në faqen në internet të USCIS-it në adresën https://www.uscis.gov/green-card/green-card-eligibility/green-card-for-employment-based-immigrants Që një aplikim të ketë sukses nevojitet që të dëshmoni që i përmbushni kërkesat.  

Të jesh një punëtor i kategorisë së parë preferenciale nënkupton që: 

  • Keni aftësi të jashtëzakonshme në fushat e shkencës, artit, arsimimit, biznesit apo atletikës ose që jeni një profesor apo studiues i shquar, ose  
  • Jeni manaxher apo keni postin e një drejtuesi egzekutiv në një shoqëri shumëkombëshe dhe përmbushni disa kritere të caktuara.   

Të jesh punëtor i kategorisë së dytë preferenciale nënkupton që:  

  • Ushtroni një profesion të caktuar për të cilin kërkohet një gradë e lartë shkencore, ose  
  • Keni aftësi të jashtëzakonshme në fushat e shkencës, të artit apo biznesit; ose  
  • Po kërkoni status si dikush punësimi i të cilit është në interesin kombëtar dhe si i tillë duhet përjashtuar nga nevoja për të kaluar nëpër hapa të caktuar të procesit.   

Të jesh punëtor i kategorisë së tretë preferenciale nënkupton që:  

  • Jeni punëtor i kualifikuar (që do të thotë që në vendin tuaj të punës nevojitet një minimum dy vjeçar trajnimi ose përvoje në punë), ose 
  • Jeni një profesionist (që nënkupton që për punën tuaj kërkohet të paktën një diplomë universitare amerikane apo ekuivalentja e saj në vendin e huaj dhe që jeni ushtrues i profesionit), ose   
  • Jeni punëtor i pakualifikuar (që nënkupton që do të kryeni punë të pakualifikuar për të cilën kërkohet më pak se dy vjet trajnim apo përvojë pune)  

Një kategori e katërt preferenciale është rezervuar për “emigrantët e veçantë” dhe në të përfshihen punonjës të caktuar në sferën fetare, punonjës në postet e huaja të shërbimit të SHBA-së, punonjës të organizatave ndërkombëtare tashmë në pension, të mitur të huaj (jo nënshtetas amerikanë) të cilët gjykatat e SHBA-së i kanë caktuar të jenë nën kujdestari si dhe klasa të tjera nënshtetasish të huaj.

Punëtorët me Aftësi të Jashtëzakonshme mund të aplikojnë vetë, pa qenë nevoja të kenë një ofertë pune, duke paraqitur një formular I-140, Petition for Alien Worker. Profesorët apo studiuesit e shquar si dhe manaxherët apo drejtuesit egzekutivë të shoqërive shumëkombëshe duhet të paraqesin formularin I-140 nëpërmjet punëdhënësit të tyre amerikan. Peticionet për kategoritë e dyta dhe të treta preferenciale zakonisht duhet të shoqërohen me një aplikim për çertifikatë punësimi të përhershëm (Application for Permanent Employment Certification) të aprovuar më parë nga departamenti i punës në formularin ETA 9089. Në rastin e këtyre kategorive preferenciale vizash emigruese kërkohet që të keni një punëdhënës në SHBA. Ky punëdhënës konsiderohet sponsori juaj. Për disa kategori vizash, punëdhënësi përpara se të paraqesë peticionin emigrues pranë USCIS-it, duhet të sigurojë nga Departamenti i Punës së SHBA-së (DOL) aprovimin e atij procesi që quhet “labor certification”. Procesi i quajtur “labor certification” me të cilin merret DOL-ja vërteton sa më poshtë:

  • Nuk ka në dispozicion një numër të mjaftueshëm punëtorësh amerikanë të gatshëm dhe të kualifikuar për të zënë vendin e punës që po ofrohet me rrogën përkatëse.   
  • Punësimi i një punëtori të huaj nuk do të ndikojë negativisht në rrogën apo kushtet e punës të punëtorëve amerikanë që janë punësuar për të kryer një punë të ngjashme.  

Ka disa përjashtime në kategoritë e mësipërme kur nuk kërkohet të bëhet “labor certification”.  

Kategori të tjera punëtorësh emigrantë përfshijnë mjekë punësimi i të cilëve është në interesin kombëtar (Physician National Interest waiver). Në këtë rast bëhet fjalë për një mjek që ka rënë dakort të punojë me kohë të plotë, për një periudhë të caktuar kohe në një klinikë te një zonë ku ka mangësi shërbimi mjekësor si dhe është mjek që përmbush dhe kriteret e tjera për t’u kualifikuar.

Kategoria e pestë preferenciale e emigrantit investitor është për emigrantët që kanë investuar apo janë në proces e sipër investimi të të paktën $1 milionë (ose $500,000 në zona që quhen targeted employment area (zakonisht këto janë zona rurale ose zona me papunësi të lartë) në një sipërmarrje tregtare në SHBA e cila do të krijojë vende pune me kohë të plotë për të paktën 10 punëtorë që përmbushin kriteret e kualifikimit.  

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]