MASHTI shpreson që më 13 shtator të nisë mësimi në shkolla

Prishtinë, 3 shtator 2021 – Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) shpreson që situata epidemiologjike në Kosovë do të përmirësohet deri më 13 shtator dhe viti i ri shkollor do të mund të fillojë me prezencë fizike në shkolla.

Qeveria e Kosovës ka vendosur ta shtyjë deri më 13 shtator fillimin e vitit shkollor 2021/2022, për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike në vend.

Zëvendësministri i Ministrisë së Arsimit, Shkëncës, Teknologjisë dhe Inovacionigt, Dukagjin Pupovci ka thënë se Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe UNICEF-i kanë rekomanduar që shkollat të mbahen të hapura, por ka theksuar se kjo bëhet e mundur me vaksinimin e mësimdhënësve kundër COVID-19.

 “Sa i përket vaksinimit të mësimdhënësve, sipas informatave që kemi, nga 19 komuna ku punojnë dy të tretat e punonjësve të arsimit, shkalla e vaksinimit është 77 për qind, që është për 5 për qind më e lartë se javën e kaluar”, ka thënë Pupovci, në një konferencë për media, të premten.

Ai ka informuar se sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, deri më tani janë vaksinuar 2.369 nxënës dhe 54.438 studentë.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që pas 13 shtatorit, të gjithë punonjësit e sektorit publik që shkojnë në punë duhet të paraqesin dëshminë e vaksinimit apo testin negativ kundër koronavirusit më të ri se 72 orë.

Pupovci ka thënë se kjo masë vlen edhe për mësimdhënësit, andaj u ka bërë thirrje atyre që të vaksinohen sa më parë. Ai ka paralajmëruar se çdo mungesë në punë pa një arsye të qëndrueshme do të sanksionohet në bazë të ligjeve në fuqi,

(r.m.)