Matthew Palmer realizon një “vizitë virtuale” në Shqipëri

Tiranë, 6 prill 2021 – Ambasada amerikane në Tiranë njofton se Zëvendës-ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA, Matthew Palmer, do të zhvillojë sot (e martë) një “vizitë virtuale” në Shqipëri.

Në njoftim thuhet se në fokus të vizitës do të jenë zgjedhjet parlamentare të 25 prillit dhe Reforma në Drejtësi.

Gjatë kësaj vizite, Zoti Palmer do të takohet me Presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe me ata që ambasada i cilëson “kampionët e reformës në drejtësi”.

Në përfundim të vizitës, zoti Palmer do të marrë pjesë në një tryezë të rrumbullakët me gazetarë që kanë marrë pjesë në programet e shkëmbimit dhe trajnimit të SHBA.

Njoftimi i ambasadës së SHBA:

Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA Matthew Palmer do të zhvillojë sot një “vizitë virtuale” në Shqipëri. Ai do të takohet me Presidentin Meta, Kryeministrin Rama dhe Kryetarin e Partisë Demokratike Basha, për të diskutuar mbi përparësitë e Shteteve të Bashkuara, përfshirë pritshmëritë për zgjedhjet e 25 prillit.

Zv.Ndihmës Sekretari Palmer do të takohet gjithashtu me kampionët e reformës në drejtësi.

Ai do ta përfundojë vizitën e tij me një tryezë të rrumbullakët me gazetarë, të cilët kanë marrë pjesë në programet e shkëmbimit dhe trajnimit të SHBA.

https://www.facebook.com/usembassytirana/photos/a.446371155837/10158169552900838/?type=3

(r.m.)