Mbërriti avioni i tretë me 59 afganë, gjithsej 275 brenda 24 orëve

Kryeministri Edi Rama ishte në Rinas për të pritur afganët, bashkë me ministren e Jashtme, Olta Xhaçka dhe ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Juri Kim

Knid Ndrenika

Në pistën e aeroportit të Rinasit rreth orës 2 e 30 të mëngjesit u ul avioni i dytë me afganë të larguar nga vendi i tyre pas rikthimit në pushtet talebanëve për herë të parë që nga viti 2001.

59 afganë ishin në këtë avion, i dyti që pas mesnatës dhe i treti brenda 24 orëve.

Gjithsej në këtë ditënatë në Shqipëri kanë ardhur 275 afganë, përfshi shumë fëmijë, foshnje dhe gra.

95 afganë të tjerë mbërritën thuajse 30 minuta rreth mesnatës në zonën ushtarake të aeroportit të Rinasit me fluturimin e dytë me avion drejtpërdrejtë nga Kabuli.

Ata kanë qenë bashkëpunëtorë ose familjarëe të tyre të angazhuar me organizatat amerikane dhe perëndimore gjatë qëndrimit të aleatëve kundër terrorizmit në Afganistan.

Kryeministri Edi Rama ishte në Rinas për të pritur afganët, bashkë me ministren e Jashtme, Olta Xhaçka dhe ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Juri Kim.

Zoti Rama në një video të publikuar më pas, shkruante:

“Mirëmëngjes pa u gdhirë nga Rinasi ku deri sot kanë mbërritur 275 të arratisur nga Afganistani fatkeq, ndër të cilët edhe gra aktiviste të shoqërisë civile, pedagogë, punonjës institucionesh, gazetarë, së bashku me familjet e tyre, ju uroj një fundjavë të qetë”.

Ministrja Xhaçka tha se një pjesë e afganëve të ardhur janë nga shoqëria civile, përgjithësisht “gra shumë të zëshme për të drejtat e grave në Afganistan dhe një kategori që janë shumë të rrezikuar nga talibanët sot”.

“Nuk ka qenë e lehtë që t’i sillnim deri këtu. Kanë kaluar vërtet ditë të vështira”-tha Xhaçka, e cila shtoi se në të dy avionët e ardhur brenda pak orëve ka shumë studentë.

Qeveria socialiste e Shqipërisë miratoi një vendim që lejon strehimin për 1 vit të afganëve që largohen nga vendi i tyre pas rikthimit në pushtet të talebanëve për herë të parë që nga viti 2001.

Vendimi thotë se dhënia e mbrojtjes së përkohshme shtetasve afganë dhe personave pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Afganistanit bëhet për arsye të luftës, situatës së ngjashme, dhunës së përgjithshme dhe konfliktit të brendshëm, të karakterizuara nga shkelje të të drejtave të njeriut dhe që kërkojnë mbrojtje nga Shqipëria.