Mbeten vetëm pak ditë për të aplikuar për lotarinë amerikane (DV-2023)

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Pyetje:

A ka ende kohë për të aplikuar?

Periudha e regjistrimit elektronik për programin DV-2023 filloi të mërkurën, më 6 tetor, 2020 në mesditë, sipas Eastern Daylight Time (EDT) (GMT-4) dhe përfundon të martën, më 9 nëntor, 2020 po në mesditë, sipas Eastern Standard Time (EST) (GMT-5).  

Nga ta marr vesh nëse jam përzgjedhur?

Për të kontrolluar statusin e aplikimit për vizën e shumëllojshmërisë tek “Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve” (Entrant Status Check) në faqen zyrtare në internet të E-DV-së, në dvprogram.state.gov, vënë në dispozicion për këtë qëllim nga 8 maji, 2022 deri më 30 shtator, 2023, duhet të përdorni numrin e konfirmimit i cili ju është dhënë kur kryet regjistrimin. Entrant Status Check është mënyra e vetme përmes së cilës Departamenti i Shtetit do t’ju informojë nëse jeni përzgjedhur apo jo, do t’ju japë udhëzime të mëtejshme që kanë të bëjnë me aplikimin për vizë që keni paraqitur si dhe do t’ju njoftojë lidhur me datën dhe orën e takimit për t’u paraqitur për intervistë. Që të sigurohet se i ka përdorur të gjitha vizat që disponon, Departamenti i Shtetit mund të përdorë Kontrollin e Statusit të të Regjistruarve për të njoftuar të përzgjedhurit ekstra edhe pas datës 8 maj, 2022. Ruajeni numrin e konfirmimit deri pas datës 30 shtator, 2023 pasi mund t’ju hyjë në punë në rast se ka ndonjë përditësim. E vetmja faqe interneti e autorizuar nga Departamenti i Shtetit për të bërë regjistrimin elektronik në programin e shumëllojshmërisë së vizave (DV) si dhe për të kontrolluar statusin e regjistrimit në fjalë është dvprogram.state.gov. Departamenti i Shtetit nuk do t’ju kontaktojë për t’ju bërë të ditur nëse jeni përzgjedhur ose jo.

Nga ta marr vesh nëse nuk jam përzgjedhur? Do të më njoftojë njeri?

Departamenti i Shtetit nuk do t’ju njoftojë në mënyrë të drejtëpërdrejtë nëse nuk jeni përzgjedhur. Për të mësuar nëse jeni përzgjedhur ose jo duhet të futeni tek “Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve” siç u përmend më lart. Mund të kontrolloni statusin e regjistrimit për DV-2023 në faqen e internetit të E-DV-së, nga data 8 maj, 2022 deri më 30 shtator, 2023. Ruajeni numrin e konfirmimit të paktën deri më 30 shtator, 2023. 

A do të më njoftojë Departamenti i Shtetit nëpërmjet postës elektronike apo asaj të zakonshme?

Departamenti i Shtetit nuk do t’ju çojë letër për t’ju njoftuar. Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk ka dërguar asnjëherë ndonjë e-mail për të njoftuar nëse dikush është përzgjedhur ose jo dhe nuk ka në plan të përdorë për këtë qëllim e-mail-in, as për programin DV-2023. Nëse jeni përzgjedhur, komunikimi përmes e-mail-it do të bëhet vetëm për pjesën që i takon takimit që ju është caktuar për vizë, gjithnjë pasi t’i jeni përgjigjur udhëzimeve të njoftimit në faqen e Kontrollit të Statusit të të Regjistruarve. Kjo ndodh kur të jetë krijuar mundësia për intervistën për vizë emigruese. Këto e-mail-ë nuk përmbajnë informacion lidhur me ditën dhe orën e takimit në fjalë; ato thjesht ju thonë që për detajet e nevojshme duhet të shkoni në faqen e internetit të Kontrollit të Statusit të të Regjistruarve. Departamenti i Shtetit mund të dërgojë e-mail-ë për t’u kujtuar aplikantëve të programit të shumëllojshmërisë që të kontrollojnë statusin e aplikimit të tyre tek Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve. Megjithatë, këto e-mail-ë nuk tregojnë asnjëherë nëse aplikanti në fjalë është përzgjedhur ose jo.

Sa vetë do të përzgjidhen për programin e vizave të shumëllojshmërisë DV-2023?

Janë vënë në dispozicion 55,000 viza shumëllojshmërie. Intervistat për programin e vizave të shumëllojshmërisë DV-2023 do të fillojnë në tetor të vitit 2022 për të përzgjedhurit që kanë paraqitur të gjithë dokumentacionin përpara intervistës si dhe çdo lloj informacioni tjetër sic e kërkojnë udhëzimet që përmban njoftimi. Të përzgjedhurit, aplikimet e të cilëve janë proçesuar plotësisht dhe të cilëve u është caktuar takimi për intervistën për vizë, do të njoftohen për të marrë detajet e mëtejshme përmes Kontrollit të Statusit të të Regjistruarve në faqen e internetit të E-DV-së katër deri në gjashtë javë përpara intervistave të caktuara me zyrtarët e konsullatës së Shteteve të Bashkuara jashtë SHBA-së. Programi mbaron në momentin kur jepen të 55,000 vizat e shumëllojshmërisë. Numri i vizave në dispozicion mund të mbarojë përpara datës 30 shtator, 2023. Aplikantët e përzgjedhur që duan të aplikojnë për vizë duhet të jenë të përgatitur që të veprojnë menjëherë. Të përzgjidhesh nuk përbën garanci që do të marrësh vizë, madje nuk të garanton as mundësinë për të bërë aplikimin për vizë apo për të caktuar intervistën për vizë. Përzgjedhja nënkupton thjesht që kualifikohesh për të aplikuar për vizë shumëllojshmërie. Nëse numri juaj rendor kualifikohet për fazën finale të proçesimit, atëherë mund të keni mundësinë të bëni aplikimin dhe sipas të gjitha gjasave, më pas, t’ju jepet viza e shumëllojshmërisë. 

Gjendem në Shtetet e Bashkuara. Nëse përzgjidhem, a mund ta marr green card-ën nëpërmjet USCIS-it pa qenë nevoja të largohem nga Shtetet e Bashkuara?

Po, gjithnjë nëse kualifikoheni për ndreqje statusi në përputhje me atë që parashikon seksioni 245 i ligjeve të Emigracionit të SHBA-së (INA), mund të aplikoni pranë USCIS-it për ndreqje të statusit në banor të përhershëm. Duhet të siguroheni paraprakisht që USCIS-i do të jetë në gjendje ta kryejë plotësisht punën në rastin tuaj, përfshirë këtu dhe proçesimin e aplikimeve jashtë SHBA-së për bashkëshorten/in ose fëmijët nën moshën 21 vjeç, përpara datës 30 shtator, 2023, data kur kualifikimit tuaj për programin DV-2023 i kalon afati. Departamenti i Shtetit nuk do të aprovojë asnjë numër vizash apo ndreqje statusi për programin DV-2023 pas mesnatës (sipas EDT-së) së 30 shtatorit, 2023.

Nëse përzgjidhem, për sa kohë kam të drejtë të aplikoj për vizë shumëllojshmërie?

Nëse përzgjidheni për programin DV-2023, keni të drejtë të aplikoni për vizë nga 1 tetori, 2022 deri më 30 shtator, 2023. Në momentin që numrave të tyre rendorë u vjen radha, të përzgjedhurit duhet të aplikojnë për vizë sa më shpejt të jetë e mundur. Të gjithë aplikantët e përzgjedhur që kualifikohen duhet të marrin vizë apo të ndreqin statusin deri më 30 shtator 2023. Të drejtën për marrje të vizës së shumëllojshmërisë nuk mund ta mbartësh për vitin në vijim. Po ashtu, bashkëshortët dhe fëmijët që e marrin statusin indirekt nga dikush që është regjistruar për DV-2023-shin mund të marrin vizë në kategorinë DV në periudhën nga 1 tetori, 2022 deri më 30 shtator, 2023. Personat që aplikojnë jashtë SHBA-së do të marrin njoftimin për takim nga Departamenti i Shtetit nëpërmjet Kontrollit të Statusit të të Regjistruarve, në faqen e internetit të E-DV-së katër deri në gjashtë javë përpara ditës kur është caktuar takimi. 

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]