Mbi 2.300 viktima nga tërmetet në Turqi dhe në Siri

Ankara / Damask, 6 shkurt 2023 – Më shumë se 2.300 njerëz kanë humbur jetën në Turqi dhe Siri nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.8 ballësh të Rihterit, i cili i goditi të dyja vendet mëngjesin e hershëm të së hënës dhe lëkundjet tjera pas tij.

Qindra persona besohet se ende janë të ngujuar nën rrënoja dhe numri i viktimave pritet të rritet. Punonjësit e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet mes rrënojave nëpër qytete dhe në vendbanimet në të gjithë zonën.

Numri i të vdekurve në jug të Turqisë u rrit në 1.498, ndërsa i të lënduarve në 7.634 , tha një zyrtar nga Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).

Kreu i departamentit të AFAD-it për trajtimin e rreziqeve nga tërmetet, Orhan Tatar, tha në një konferencë për media se 2.834 ndërtesa janë shkatërruar nga tërmeti dhe lëkundjet pasuese të përqendruara në provincën Kahramanmaras, duke theksuar se janë regjistruar edhe 120 lëkundje të tjera pas tërmetit.

Ndërkaq, Siria raportoi për 810 të vdekur.

Agjencia për menaxhimin e emergjencave raportoi se të hënën u regjistrua edhe një tërmet i ri prej 7.6 ballësh, afër epiqendrës së tërmetit paraprak vdekjeprurës, duke shkaktuar dridhje të tjera të tokës.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha më herët se 5.400 persona janë lënduar, ndërkaq 2.470 të tjerë janë nxjerrë nga rrënojat.

Afër 3.000 ndërtesa janë rrëzuar nga tërmeti, tha ai.

“Për shkak se heqja e rrënojave po vazhdon në shumë ndërtesa që gjenden në zonën e tërmetit, ne nuk e dimë se sa do të rritet numri i të vrarëve dhe të lënduarve”, tha Erdogan.

Ai tha se ka pranuar ndihmë nga rreth 45 shtete të botës.

Afër 9.000 persona po marrin pjesë në operacionet e shpëtimit.

Edhe zyrtarët në Siri kanë raportuar, po ashtu, për mijëra persona të lënduar.

Sipas autoriteteve të Turqisë, dhjetë qytete turke janë prekur nga tërmeti. Ato janë: Gaziantepi, Kahramanmarashi, Hatai, Osmanije, Adijamana, Malatia, Shanliurfa, Adana, Dijarbakiri dhe Kilisi.

Në Siri, sipas autoriteteve të atjeshme, nga tërmeti janë goditur provincat Alepo, Latakia, Hama dhe Tartus.

Epiqendra e tërmetit të së hënës ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.

Në të dy shtetet po zhvillohen operacione për të shpëtuar njerëzit e bllokuar nën rrënoja pas rrëzimit të ndërtesave.

(REL)