Mbi 80 për qind e pacientëve me COVID-19 janë në oksigjenoterapi

Prishtinë, 1 prill 2021 – Numri i madh i rasteve të reja pozitive me COVID-19 dhe rritja e numrit të të infektuarve që kanë nevojë për trajtim spitalor e kanë rënduar shumë sistemin shëndetësor të Kosovës.

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë se kapacitetet spitalore publike janë pothuajse në limitet e tyre.

“Ky numër është jashtëzakonisht i madh dhe shumë shqetësues, kur kemi parasysh kapacitetet e sistemit tonë shëndetësor”, ka thënë Krasniqi për Radio Evropa e Lirë.

“Ne, si Shërbim Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, informojmë me kohë lidhur me kapacitetet tona dhe mundësitë tona. Një nga indikatorët ose treguesit më të mirë të situatës me pandeminë është numri i të shtrirëve në spitale dhe numri i atyre që kanë forma të rënda të sëmundjes”, ka shtuar ai.

Krasniqi ka thënë se mbi 80 për qind e personave të hospitalizuar nga COVID-19 janë në oksigjenoterapi, gjë që tregon se sa shqetësuese është situate në spitale.

“Se sa e rëndë është situate dëshmon numri i madh i pacientëve të shtruar në spitale dhe gjendja e rënduar e tyre. Pothuajse mbi 80 për qind e të hospitalizuarve po kërkojnë oksigjenoterapi dhe janë në oksigjenoterapi të vazhdueshme”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se respektimi i masave dhe rekomandimeve të ekspertëve është mënyra më e lehtë e frenimit të përhapjes së mëtejshme të epidemisë.

(r.m.)