Mbi artin e fjalimeve dhe etikën e të dëgjuarit

Mbresa nga Darka Vjetore e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, në New York

Nga Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Fjalimet e shqiptarëve

Politikanët shqiptarë, jo vetëm ata të Tiranës, ndonëse u bënë më shumë se dy dekada shkëmbimi me botën perëndimore, mbeten të paaftë për të fituar aftësinë e të shprehurit shkurt e përmbledhazi.
Nuk e di nëse kjo vjen për shkak se të shkruash shkurt e në mënyrë konçize është më e vështirë sesa të shkruash çfarë të të vijë në kokë. Apo ngaqë mendojnë se po të flasësh shkurt, nuk ke gjëra për të thënë. Mund të jetë edhe se u duket se bota rrotullohet rreth tyre dhe se nuk ka si të jetë përveçse kënaqësi për ne të tjerët të dëgjojmë mendime të stërzgjatura pa fund prej tyre.
Kjo darkë e KKSHA-së, nuk kishte ndonjë dallim.
Presidenti Bujar Nishani që ishte i pari në radhë njëfarësoj i bëri të gjithë të tjerët të dukeshin shumë më të përmbledhur, ndonëse kryeministri Rama bëri çmos që të mos mbetej mbrapa.
Është mungesë respekti për bashkëfolësit e mbrëmjes të sorrollatesh e të sorrollatesh me tema e paragrafe që ose janë konsumuar me pjesët e mëhershme të fjalimeve ose mund edhe të lihen për ndonjë rast tjetër.
Marrëdhënia e politikanëve shqiptarë me mikrofonin është e ngjashme me atë të karrigeve të pushtetit. Nuk e lëshojnë lehtë nëse ua jep në dorëzim.
Një tjetër problem që kanë politikanët shqiptarë është paaftësia e tyre për t’ia përshtatur fjalimin në moment situatës. Edhe politikanët amerikanë ndodhen papritmas duke mbajtur një fjalim më të gjatë sesa e lejojnë rrethanat. Po ata ia p¨rshtasin situatës, e cila mund të gjykohet lehtë duke matur reagimin e sallës apo duke i hedhur një sy programit të mbrëmjes. Mungesa e elasticitetit është edhe ajo simbolike dhe e ngjashme me qendrimet e tyre politike.
Një rast më pozitiv ka qenë njëherë Fatos Nano gjatë një konference me investitorë në New York. Të mos keqkuptohem, fjalimet e Nanos, kanë qenë zakonisht “më të tmerrshme” se ato të Ramës, madje edhe të Nishanit, po rasti në fjalë ka të bëjë më shumë me elasticitetin e momentit.
Ndërsa kryeministri Nano fliste, mikrofoni dukej se nuk po funksiononte mirë. Kam parë politikanë shqiptarë që kanë vazhduar pa problem duke torturuar me këmbëngulje ta habitshme publikun, pavarësisht nga gërvishtjet e mikrofonit. Nano të paktën futi në mes të fjalimit përgjumës një shprehje të tillë si “me ndihmën tuaj, po sidomos me ndihmën e këtij mikrofoni do ta rimëkëmbim ekonominë e Shqipërisë”. Salla e mbushur kryesisht me biznesmenë amerikanë e të huaj shpërtheu në të qeshura. Mëkati i “bezdise” u harrua, ai i mungesës së teknikës së parshtatshme u kthye nga negative në simpati. Vetë Nano gjeti një rast të mirë për t’i rënë shkurt, një stërhollimi të panevojshëm. Biznesmenët duan shifra e të dhëna më shumë se “fjalë të bukura” e premtime.

Nuk duhet shumë për të korrigjuar veten në këtë drejtim. Politikanët shqiptarë ose ata që shkruajnë fjalimet e tyre duhet të mësojnë nga kolegët e tyre në Perëndim. Pikat kryesore, nënvizime, ndonjë batutë me pak humor. Pak tallje me veten.
Problemi me politikanët e me shqiptarët në tërësi është se e marrin veten shumë seriozisht. Kjo në vend që t’i paraqesë seriozë në botë i bën qesharakë.

Leshi i politikanëve dhe fjalimet “lesh e li”

Kongresisti Engel foli vetëm pak. Shumë shqiptarë amerikanë e dinë tani që kongresisti i tyre i preferuar nuk lë dot pa pëmendur historinë se si miku i tij, aktivisti i njohur në SHBA, Harry Bajraktari i trokiti në derë në 1989 dhe e ftoi për herë të parë në “botën shqiptare”.
Po në ato pak fjalë që tha, kongresisti gjeti mundësinë të bëjë pak humor. Duke marrë Urdhërin Gjergj Kastriot Skënderbeu, me të cilin e nderoi Presidenti Nishani, Engel pyeti sallën nëse këtë çmim Nishani po ia bënte ngaqë të dy kishin mustaqe.
Salla qeshi dhe puna duket se u harrua, derisa foli Zv-Asistenti i Sekretarit të Shtetit, Phillip Reeker. Numri 3 i Departamentit të Shtetit që mbulon rajonin tonë, e merr veten e tij më njerëzisht sesa kapadainjtë e politikës lilipute shqiptare.
“I shoh me admirim Presidentin Nishani dhe Kongresistin Engel me mustaqet e tyre”, tha ai. “Kur fillova punë në Ballkan, në vitin 1997, e kisha kokën plot me flokë”. Reeker që nuk ka asnjë fije floku në kokën e tij e shkundi edhe njëherë me të qeshura sallën e zhytur në letargjinë e natyrshme të darkave me fjalime.
Mbaj mend në një rast tjetër, pasi një numër shumë i madh shqiptarësh u çuan dhe folën fjalë pa fund lavdërimi për kongresistin Engel, ky i fundit, u çua në fund dhe tha: “Faleminderit për gjithë këto fjalë. Po të kishte qenë nëna ime sot këtu me ne, do t’i besonte të gjitha. Po të kisha ardhur me gruan do të më pyeste se për kë po flasin?”
Sigurisht që humori nuk është e vetmja mënyrë komunikimi. Po nga pak gjithmonë ndihmon.
Një tjetër mënyrë edukimi për politikanët shqiptarë është edhe mënyra sesi flasin disa nga shqiptarët e Amerikës të edukuar këtu, të cilët kanë mësuar të folurin e përmbledhur dhe ekonomik. Harry Bajraktari prezantoi dje diplomatin Reeker. Brenda pesë minutash, ai dha jetëshkrimin e diplomatit të njohur, tregoi lidhjet e tij me Kosovën, njohjen personale si dhe i dha kontekst rëndësisë së Çmimit “Duart e Shpresës”.
Nuk duhet të jetë vështirë.

Nobelist hesapi

Mohamed Younis përveçse është laureat i Çmimit Nobel dhe një nga njerëzit më të dëgjuar të botës, është duke ndhmuar konkretisht shqiptarët.
Mirëpo, pasi heshtën me respekt apo durim gjatë fjalës së politikanëve shqiptarë, pjesëmarrësit e darkës vendosën mesa duket t’ia fillonin bisedave pikërisht kur u çua folësi që kishte më shumë se kushdo tjetër për të treguar diçka interesante.
Vizioni i tij për t’u dhënë hua të vogla prodhuesve të vegjël në Shqipëri, sidomos në zonat fshatare, grave nga familje të varfra që prodhojnë por nuk dinë sesi të shfrytëzojnë tregun, ka sjellë ndryshime konkrete në ketën e njerëzve dhe për rrjedhim në ekonominë shqiptare.
Të gjithë flasim për nevojën e investimeve në Shqipëri dhe nuk e dimë se çfarë gjigandi industrial imagjinojmë që do të zhvendoset aty. Po në fakt, kjo mënyra inteligjente e ripaketimit, emërtimit dhe nxjerrjen profesionale në treg të prodhimeve ekzistuese shqiptare është një ide gjeniale që mund dhe duhet ndihmuar më shumë. Shumë janë ata që mund të imvestojnë me sukses në të gjithashtu.
Me aftësinë për të riadaptuar fjalimin e tij, edhe Younis iu përshtat sallës. Ai foli gjithësesi pak për ata që deshën të dëgjonin apo që bënë sikur.
Duke bërë paqe me gumëzhimën e paturpshme të mikrobisedave, nobelisti i famshëm i mikrohuave, tha: “Nuk ka gjë. Vazhdoni flisni. Po flas edhe unë ndërkohë. Flasim së bashku”, dhe buzëqeshi.
Shumë nga patriotët biletablerës që kishin ardhur për të nderuar ata që punojnë për Shqipërinë nuk nderuan për pak minuta një nga njerëzit e paktë në atë sallë që po bën diçka konkrete për të ndihmuar shqiptarët në Kosovë e Shqipëri, e që duket se ka një simpati të sinqertë për shqiptarët.
Të shkon mendja se sado mirë të bëjë për ne, një burrë i shkurtër e që flet me zë të ulët, që ka lëkurën pak me ngjyrë, është nga Bangladeshi dhe vishet me veshje që ngjan si fustan, nuk do të gëzojë dot kurrë respektin e disa shqiptarëve edhe sikur të fillojë t’u gjuajë nga podiumi me çeqe milionadollarëshe. Sidomos pjesës që nëse nuk je duke sharë dikë, ndonjë kundërshtar politik ose ndonjë fqinj të poshtër që po na e punon, atëhere nuk ka arsye të dëgjosh fjalimin. Sidomos nëse fjalitë nuk mbarojnë me theks që sinjalizojnë momentin kur duhet brohoritur në këmbë në mënyrë frenetike. Mikromendjet në mes nesh.