Mbi autorësinë e romaneve “Martesa e Leilës” dhe “Sotiri e Mitka”

Romanet që janë konsideruar gabimisht të Faik Konicës

Sevdai Kastrati

(Vijon nga https://www.illyria.com/mbi-autoresine-e-romaneve-martesa-e-leiles-dhe-sotiri-e-mitka-2/)

4. A janë romanet të porositur?

Një nga hipotezat e Fotaq Andreas (e cila është e veçantë në historinë e letërsisë shqipe) është hipoteza për romanet e porositur. Edhe pse nuk kemi asnjë dëshmi të shkruar  për këtë hipotezë, ajo u përhap dhe u pranua nga studiuesi Thanas Gjika dhe botuesi Krenar Zejno. Th. Gjika është i mendimit se Konica i ka shitur Aladro Kastriotit romanet për të siguruar parat për botimin e revistës Albania¹. Ai nuk jep kurrfarë reference të burimit që e ka shfrytëzuar. Më pas ai do të pohojë se Konica nuk do t’i përmendë asnjëherë romanet, duke hamendësuar se nuk do të dinte fatin e tyre pas dorëzimit të dorëshkrimeve.

Lind natyrshëm pyetja: sa është bindës Th. Gjika për hipotezën se romanet janë shitur për botimin e Albanisë?

A mund ta besojmë se Faik Konica i kishte harruar romanet?

Për t’i përgjigjur këtyre pyetjeve do të duhej të shqyrtojmë rrethanat në të cilat  jetoi Faiku ynë.

Është fakt se Konica ka bërë përpjekje disa herë për botimin e të përkohshmes “Albania” në Amerikë. Të dhënat e para i kemi me 4 dhjetor 1910, kur në kryeqytetin e Missouri-t, Saint Louis, Faik Konica mban një konferencë për të mbledhur ndihmat e nevojshme për botimin e revistës Albania. Ai siguron në këtë qytet për vazhdimin e botimit të revistës “Albania” 500 dollarë. Saint Louis-i  (qyteti i katërt për nga numri i banorëve në Amerikë) do të jetë vendi  ku do të fillojë botimi i revistës Albania. Në këtë qytet jetonin rreth 2000 shqiptarë. Ai² mendonte ta botonte revistën “Albania” thjesht letrare e historike, kurse për të përhapur mendimet politike mendonte ta botojë “Albanien e vogël” me një emër tjetër dhe me faqen e katërt në anglisht. Në pamundësi për të filluar botimin e përkohshmes “Albania” Konica nisi të botojë gazetën “Trumbeta e Krujës” më 20 mars 1911, por pas tre numrash u ndërpre.

 Në të vërtetë përpjekjen e parë për botimin e revistës “Albania” Konica e bën me të ardhur në Boston. Shoqëria “Besa-Besë” i kishte premtuar se do të botonte revistën në shtypshkronjën e “Diellit” me një çmim të volitshëm. Ishte një premtim kot, sepse nuk kishte asnjë mundësi derisa në arkën e saj kishte gjithsej 62 dollarë dhe kishte vetëm 90 anëtarë. Edhe pse Konica boton në gazetën “Dielli” më 10 nëntor 1909 një adresë të veçantë për pajtimarët dhe artikujt e “Albaniës” nga nr. 32 deri në 51 kur dorëhiqet nga redaktimi i gazetës, ndërsa kur riktheht në drejtimin e gazetës më 6 maj 1910 (nr. 58) adresa e veçantë për pajtimtarët dhe artikujt e Albanisë zëvendësohet me librin Kondili i kuq.

Përpjekjen e fundit të Faik Konicës për botimin e Albanisë në Amerikë  e kemi me 2 shkurt 1912 kur i drejtohet autoriteteve austriake.  Edhe me këtë rast përpjekjet e Faik Konicës për botimin e Albanisë në Amerikë dështuan.

Sa i përket pyetjes së dytë se ‘Faik Konica i kishte harruar romanet’ një pohim i tillë nga një studiues i njohur siç është Th. Gjika duket pa kurrfarë baze shkencore. Së pari, Faik Konica nuk ishte në moshë të thyer që të ngatërrojë ngjarje e fakte. Së dyti, ai ka qenë një personalitet që i ka mahnitur të tjerët për dijen dhe kulturën që kishte. Nuk është quajtur kot nga miku i tij i shtrenjtë, Gijom Apolineri  një “enciklopedi lëvizëse”.

Faik Konica

Me gjithë dëshirën e mirë të Thans Gjikës për t’i njohur Faik Konicës autorsinë e romaneve  “Martesa e Leilës” dhe “Sotiri e Mitka” me qëllim që të mos ndryshohet mendimi se nuk ka lënë as një vepër të përfunduar, për fat të keq (siç e kam thënë edhe një herë më parë² në ExLibris) romanet nuk janë në autorsinë e tij.

Përdallim nga Gjika e Zejno që mendonin se romanet janë të porositura, Moikom Zeqo është i mendimit se romanet janë të sponsorizuara, kurse Nasho Jorgaqi është i papërcaktueshëm për këtë njoftim të Andreas. Kështu, sipas Fotaq Andreas kemi:

«Nga ata lloj autorësh anonimë që kanë një vepër të gatshme për ta shitur te “prursi më i parë” apo, pse jo te porositësi i tyre. Përderisa Aladron shpesh e kemi parë si porositës tek piktori Theohar Gjini, përse të mos e shohim porositës edhe te shkrimtari Faik Konica? »

Më poshtë F. Andrea për ta shpeguar më mirë hipotezën e  romaneve të porositur vazhdon duke krijuar dialogje imagjinare që janë të denja për një vepër letare:

«Duke ia dorëzuar romanet në dorë Aladros kundrejt një pagese për punën e bërë, kujtimi i këtij gjesti është i qartë: “I dashur mik, ja ku i ke romanet, kam ngritur lart figurën tënde, tani bëj ç’të duash!” E me vete duke thënë: “Eh, i dashur mik, aty brenda më ke, s’më shmang dot, edhe sikur të duash!”

Po kështu edhe në pasthënie do të shkruajë kinse e ka zgjidhur çështjen e autorësisë së romaneve të shitura:

«Andaj, e çuditshmja, madje absurda à la Camus, në emër të ekzistenciales, shkon gjer aty sa Konica me një lloj moskokëçarje ia “dorëzon”, ia shet dhe atribuon një tjetri shkrimet e tij (të jetë vallë kjo vetëm hera e parë?!…) »

                                                                                                                        vijon

1Thanas Gjika, Mosdënimi i krimit është krim i ri, Botimet Omsca-1, Tiranë, 2016, f. 124.

²Faik Konica, Një udhëtim gjashtë javësh, “Dielli e flamuri”, Boston, 11 janar 1911, nr. 80, f. 1, 4; 20 janar 1911, nr. 81, f. 4.

³Shih Sevdai Kastrati, Një prozë e panjohur e Faik Konicës, “ExLibris”, 23 janar 2021, nr. 114, f. 8.

Erratum: Në numrin e kaluar te citimi nr. 35 është ngatërruar numri faqes 325 për 225.

One Response to “Mbi autorësinë e romaneve “Martesa e Leilës” dhe “Sotiri e Mitka””

Read below or add a comment...

  1. Thanas L. Gjika says:

    Zoti Sevdai po më çudisni me vijimin e sajimeve mbi bazën e imagjinatës suaj për të krijuar gjoja argumente për polemikë.
    Ju shkruani : “Një nga hipotezat e Fotaq Andreas (e cila është e veçantë në historinë e letërsisë shqipe) është hipoteza për romanet e porositur. Edhe pse nuk kemi asnjë dëshmi të shkruar për këtë hipotezë, ajo u përhap dhe u pranua nga studiuesi Thanas Gjika dhe botuesi Krenar Zejno. Th. Gjika është i mendimit se Konica i ka shitur Aladro Kastriotit romanet për të siguruar parat për botimin e revistës Albania¹. Ai nuk jep kurrfarë reference të burimit që e ka shfrytëzuar. Më pas ai do të pohojë se Konica nuk do t’i përmendë asnjëherë romanet, duke hamendësuar se nuk do të dinte fatin e tyre pas dorëzimit të dorëshkrimeve.

    Lind natyrshëm pyetja: sa është bindës Th. Gjika për hipotezën se romanet janë shitur për botimin e Albanisë?

    A mund ta besojmë se Faik Konica i kishte harruar romanet?”
    Dhe më poshtë vijoni: “Sa i përket pyetjes së dytë se ‘Faik Konica i kishte harruar romanet’ një pohim i tillë nga një studiues i njohur siç është Th. Gjika duket pa kurrfarë baze shkencore.”
    E hapa librin tim që citoni ju te shënimi 1 (“Mosdënimi i krimit është krim i ri” OMSCA-1 në f. 124) dhe lexova këto rreshta, ku nuk bëhet fjalë fare se unë kam hedhur hipotazën se F. Konica ia ka shitur romante princit Aladro Kastrioti, po e persëris këtë ide si të zbuluesit F. Andrea dhe së dyti nuk kam thënë se “F. Konica i kishte harruar romanet.
    Konkretisht, unë shkruaj te faqja që ju citoni në shënimi 1:
    “Studiuesi Fotaq Andrea ka zbuluar dy romane të panjohur të Faik Konicës, shkruar frëngjisht më 1908-1909, të cilët autori ia kishte shitur princit Aladro Kastrioti për të siguruar të ardhura për botimin e mëtejshëm të revistës “Albania” dhe për të vijuar jetën e tij si atdhetar. Këto dy romane Konica nuk i përmendi asnjëherë, ndoshta sepse nuk e dinte fatin e tyre pas dorëzimit të dorëshkrimeve dhe ardhjes në ShBA më 1909.”

    Të lutem ki kujdes se do të të tallin studiuesit që do të vijnë pas teje kur të lexojnë gjithë kët pretendim për polemikë pa bërë polemikë, po duke sajuar argumente nga fantazia jote.
    I lutem Z-injve Vehbi Bajrami dhe Ruben Avzxhiu, pronarit dhe editorit të gazetës “Illyria” para se t’i botojnë shkrimet “polemike” të z. Sevdai t’ua dërgojë personave që ai përmend e kritikon kot së koti, dhe pasi të marrin sqarime prej tyre mbi vërtetësinë e fakteve, t’i botojnë shkrimet, sepse po e kthejnë gazetën serioze në një gazetë thashethemesh pa bukë.