MBI KOMANDIMIN NË LUFTË DHE KU JEMI E Ç’DUHET TË BËJMË NE?

VERI TALUSHLLARI, Kapiten (P)

Autori, në vitin 1999.

Pak ditë më parë në një shkrim në këtë gazetë përmenda John Keegan,(1934-2012), mbase historiani më i shquar ushtarak i shekullit të kaluar dhe librin e tij të famshëm “Maska e Komandimit”,një trajtesë për thelbin e udhëheqjes ushtarake. Faqet e librit janë një leksion i mrekullueshëm për komandantët,së pari për ata të nivelit të lartë, për të kuptuar natyrën e Luftës, dhe për të bërë dallimin e një lufte nga një tjetër, sepse çdo shoqëri zhvillon luftën e saj,dhe përpos të përbashkëtave,luftrat kanë dallimet dhe veçoritë e tyre.

 Duke ndjekur atë çka po ndodh sot në Ukrainë, në një betejë që i ngjan asaj të Davidit me Goliathin, dhe sidomos daljen në dritë të dështimit të madh në zinxhirin komandues të Ushtrisë ruse,dhe posaçërisht faktit që disa Gjeneralë,- 6 apo 7- janë vrarë në vijën e frontit, nuk ka si të mos mendosh rreth pyetjes që Keegan provon t’i japë përgjigje: Ku është vendi i Komandantit në Luftë? Në Front? Sa në Font në Prapavijë? Në Prapavijë?

 Një analizë e një ish atasheu ushtarak perëndimor në Beograd e trajtonte këtë problem në lidhje me ushtrinë serbe, duke u qarë hallin atyre se kishin mbetur në praktikat e ushtrisë ruse të Doktrinës së Komandimit të Përqëndruar/ Ekzekutimit të Përqëndruar, e në ballafaqim me Forcat e Sigurisë së Kosovës, ishin inferiorë, pasi këto të fundit ishin trajnuar nga KFORi, dmth nga Garda Kombëtare e ShBAve, duke praktikuar Doktrinën Perëndimore të NATOs, të Komandës së Përqëndruar/ Ekzekutimit të Decetralizuar.

 Natyrisht, mua nuk më ha fare meraku për Ushtrinë serbe e aq më pak për Gjeneralët e saj, dhe jam shumë i lumtur të dëgjoj nga po ai atashé që luftëtarët shqiptarë të FSKs “dinë tê luftojnë” dhe janë ndoshta më të mirë se ata serbë.

 Por dëshirat mbeten dëshira,peceptimet mbeten perceptime, sado dashamirëse të jenë ato, derisa të mos provohen në fushën e stërvitjes më parë dhe në fushën e betejës nëse do të duhet.

  Pasi  ajo që po shohim në Ukrainë, është si një ëndërre keqe, me krime të llahtarshme të kryera nga një Ushtri e drejtuar me dorë të hekurt. Dhe kuptohet që krimet, dmth vrasjet e fëmijëve, grave, njerëzve të paarmatosur, djegiet dhe shkatërrimet e banesave, spitaleve, kishave, kryhen nga ushtarët, të drejtuar me dorë të hekurt nga komandantë të lidhur sipas një zinxhiri me hallka të kapura fort.

Mund të hamendësojmë se Vanja apo Olegu, ata ushtarët e rangut të fundit që lidhin duart e atyre civilëve në Bucha dhe pastaj i qëllojnë prapa kokës,  kanë prapa veshit të tyre një pistoletë për të bërë veprime që dhe ata vetë i llahtarisin dhe do t’i ndjekin në gjumë dhe zgjuar gjithë jetën- në paçin fatin të dalin të gjallë nga ai ferr- por dhe ai që u ka vënë pistoletën prapa kokës ka një pistoletë me kalibër më të madh pas kokës e kështu me radhë e kështu shkallë shkallë, deri te ata Gjeneralët që vajtën në vijën e Frontit dhe lanë eshtrat atje nën kërcënimin e pistoletës së Gerasimov-it, Shoigu-it, e këta të vetë Putin-it.

 E përshkrova këtë skenë që nuk është dhe aq fantazi, jo vetëm se ne shqiptarët i kemi pasur  këto monstra në vatër jo më larg se dy dekada më parë në Reçak, Prekaz e gjetkë, pa harruar Borovën, Tiranën etj., kohë më parë, por për të përforcuar idenë e atij atasheut perëndimor në Beograd, se një armik sa potencial aq dhe real, me të njëjtat tipare dhe me të njëjtën metodë komandimi, ne e kemi te dera e shtëpisë.

 Për të qënë i saktë, nuk po përjashtoj njësitë e mbushura me kriminelë dhe urrejtës patologjikë të Ushtrisë serbe, përfshi Komandantin e tyre të Përgjithshëm, MM, Kryetarin e Parlamentit, e padyshim Korpusin e Gjeneralëve- antishqiptarë  të kulluar.

 Të vijmë te thelbi i çështjes; A është zinxhiri komandues i Ushtrisë shqiptare në të dy shtetet tona i përgatitur për të përballuar situata që vetëm dy tre muaj më parë i mendonim se ndodhnin në prodhimet e Holliwood-it apo të Cine Citta-s? Nuk duket fare kështu. Përgjigja zhgënjyese e Kryeministrit shqiptar se nuk na duhen raketa e avionë se jemi vend anëtar i NATOs, flet shumë dhe është alarmuese. Serbia në  Veri dhe Greqia në Jug po shpenzojnë miliarda për armatimin  e tyre. Ç’bëjmë ne?! Duke e pasur Ushtrinë të çarmatosur, ti nuk ke as nevojë të stërvitesh. Kështu edhe zinxhiri komandues është i panevojshëm. Kështu edhe pyetja e Keegan-it të ndjerë, nuk aplikohet fare për Komandantin e Përgjithshëm, Gjeneralët dhe Kolonelët tanë.

 Por ç’duhet bërë?

  Të mësosh në Luftë apo në kohë krize- sigurisht është e mundur, por çmimi do të jetë si ai i Ukrainës.Shikoni me sa përgjërim Presidenti Zelenskeey u drejtohet shteteve miq për armë, për raketa e avionë, pa folur për armë konvencionale. Gabimi katastrofik që qeveria ukrainase bëri duke dorëzuar arsenalin e vet bërthamor, solli këtë situatë. Por ata mund të thonë se ne u gënjyem nën garanci nga shtete të fuqishme etj., po ne?! Ne shkatërruam gjithçka në mënyrën më të papërgjegjshme dhe madje as armiqtë më të këqij nuk do t’na kishin bërë atë që i bëmë vetes. Dhe endé nuk ka një analizë shteruese pa lé më të flitet për përgjegjësi. Por ndërsa shpresojmë që ato dosje do të hapen një ditë, ajo që na duhet është të fillojmë modernizimin e Ushtrisë. E di, mbase do të më thoni që… por t’i lëmë shakatë me atë Ushtri që kemi, e të mendojmë për një Ushtri në lartësinë e kërkesave të kohës, të situatës, një Ushtri jo vetëm të denjë për të merituar emrin si Ushtri e NATOs, por në radhë të parë të aftë për misionin që Populli dhe Atdheu, Nderi dhe Detyra, kërkon nga Ushtria e vet, mbrojtjen e tyre.

 Aty do të bëhet e mundur jo vetëm aftësimi i trupës, por edhe i komandave të të gjitha niveleve.

Sigurisht, që të kesh komanda me organika të kompletuara, duhen hapur e  modernizuar Shkollat Ushtarake, duke ju kthyer traditës, nga Shkolla e Mesme Ushtarake “Skënderbej”, konsolidimi i Akademisë së sapohapur dhe kompletimi i saj edhe me ato shkolla që i kemi pasur, Aviacioni, Detaria, Kundërajrori,Tanket e me radhë, ngritja e nivelit të Akademisë së ShP,për të patur oficerë për të gjitha pozicionet e funksionet. Pa një organikë të kompletuar, pa një burim të bollshëm kuadrosh, të aftë për të bërë detyrën e tyre dhe po ashtu të aftë për të marë përgjegjësi një apo dy shkallë më lart, zinxhiri i komandimit këputet. E pra atëherë sejcili komandant do të dijë ku e ka vendin, detyrën, përgjegjësinë. Kështu zinxhiri i Komandimit do të jetë i plotë, i fortë, hallkat do të jenë të lidhura fort dhe zëri i Komandantit të Përgjithshëm, Shefit të Shtabit, Komandantëve të Armëve e  Shërbimeve, do të dëgjohen deri te ushtari i fundit, pavarësisht se ku vendoset  për të ndjekur situatën apo ku e ngre telefonin për të dhënë Urdhërin e Luftimit, në vijën e parë të Frontit, në VK e Përgjithshme, apo aty ku e gjykon se duhet të jetë.

                                                            New York, Prill 2022.