Shpëton Qeveria e Malit të Zi. Abazoviq e Gjukanoviq i tejkalojnë mosmarrëveshjet

Podgoricë, 19 korrik 2022 – Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, dhe kryeministri, Dritan Abazoviq, kapërcyen mosmarrëveshjet që do të çonin në rënien e qeverisë së këtij vendi.

Në një deklaratë përbashkët të Gjukanoviqit e Abazoviqit thuhet se ata i kanë tejkaluar mosmarrëveshjet në interes të stabilitetit politik dhe funksionimit të institucioneve shetërore.

“Bashkërisht u vlerësua se është në interes të Malit të Zi dhe të ardhmes evropiane ruajtja e stabilitetit politik dhe përmirësimi i funksionalitetit të institucioneve të sistemit, në mënyrë që vendi kandidat për anëtarësim në BE, në një kohë sa më të shkurtër, të përmbushë detyrimet që dalin nga agjenda evropiane”, thuhet në deklaratë.

Sipas deklaratës, Gjukanoviq e Abazoviq janë marrë vesh që teksti i marrëveshjes së Qeverisë së Malit të Zi me Kishën Ortodokse Serbe të diskutohet dhe analizohet me ekspertë dhe me shoqërinë civile.

“Në këtë kontekst u pa e dobishme ideja që para vazhdimit të procedurave të mëtejshme lidhur me Marrëveshjen, publiku profesional dhe shkencor i Malit të Zi, përkatësisht përfaqësues të Universitetit dhe të shoqërisë civile me kompetenca në çështjet juridike, të shqyrtojnë edhe një herë tekstin e Marrëveshjes”, thuhet në deklaratë.

Gjukanoviq dhe Abazoviq thanë se kanë rënë dakord që zgjidhja të kërkohet përmes dialogut brenda institucioneve, pavarësisht prej dallimeve politike apo të tjera që ekzistojnë në shoqëri.

Para disa ditësh, kabineti qeveritar i Abazoviqit e miratoi me shumicë votash tekstin e marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe. Marrëveshja si e  tillë shkaktoi reagime të mëdha te Partia Demokratike e Socialistëve e Presidentit Gjukanoviq, e cila vendosi për tërheqjen e mbështetetjes për qeverinë e Abazoviqit, në qoftë se ajo do ta nënshkruante marrëveshjen me  Kishën Ortodokse Serbe.

Qeveria e Abazoviqit është qeveri e pakicës. Ajo mbeti në detyrë me mbështetjen e Gjukanoviqit.

(r.m.)