Mbledhje e kotë e dykuvendarëve frikamanë

Denion Ndrenika, Nju Xhersi

Zhvillimi i mbledhjes së përbashkët të Kuvendeve të dy shteteve në territoret etnike të Shqipërisë nuk ka ndonjë të dhënë se do të japë rezultat apo se për çfarë mund të japë rezultat.
Madje, as në figuracionet e mbledhjeve folkloristike ndërqeveritare nuk mbërrin krahasimisht.
Le të them çka mendoj nisur nga vëzhgimi shumëvjeçar me njohje bajagi fort bukur të mirë të zhvillimit dyshtetnor të Shqipërisë londineze me Shqipërinë pjesërisht jashtëlondineze, pra Kosovën.
Aradha e deputetëve të të dy anëve vetëm në një rast ka përfaqësuar shprehjen e vendimeve vullnetëplotë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 10 Qershor 1878 dhe Kuvendit të Vlorës 28 Nëntor 1912. Dhe, ka qenë në 2002 kur një deputet i Lëvizjes Popullore te Kosovës paraqiti propozimin zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë për krijimin e Unionit Shqipëri-Kosovë, pra për ecjen drejt bashkimit sipas Prizrenit dhe Vlorës.
Kësisoj pyes se, çfarë kanë bërë deputetët që krekosen në këtë mbledhje apo ata përpara tyre për të vetmen gjë që na duhet sipas Prizrenit dhe Vlorës?
Asgjë! Shkurt e trup, sen’ nuk kanë bërë!
Në mos po kanë qenë të frigur, të patrimni, të pafuqi, servilë të shefave, të mangët, të paditur për të hedhur ndonjë copëz hapi për të mbërritur Prizren-Vlorën.
Çfarë nisme ligjore, në cilën lëmi (fushë), kanë ndërmarrë ata?
E po mirë se për 1878-1912 nuk kanë në dorë, po për njehsimin e ligjeve, veprimtaritë e njejta, çfarë kanë bërë në Kuvend?
Cila nga partitë e mëdha apo të vogla i ka shkuar nga pas propozimit të LPK-së?
Padyshim as që kam ndonjë merak për LPK-në, mirëpo zyrtarisht vetmi zgjëdhuri i saj asokohe Hasan Meta i parashtroi kryekuvendarit Nexhat Daci propozim (i mbështetur nga 7 deputetë), me 4 pika për Unionin dhe bashkimin.
Ky propozim u shoqërua me takime në Tiranë të nismëtarit rreth vitit 2003, me kryetarë partish kuvendare apo shefa të grupeve të deputetëve.
Po nëse ma thotë dikush që kam harruar apo nuk shenjoj me qëllim ndonjë nismë a veprim ligjor për Prizren-Vlorën nga moria e të zgjedhurve pa takat, unë e lypi ndjesën kur e quaj krejt të kotë mbledhjen e dy Kuvendeve.