Me e rëndë si kriza e kanabisit, mosbesimi te institucionet

Pse rrëzimi i Tahirit nuk është edhe aq lajm i mirë për opozitën

Nga Ruben Avxhiu

Nëse akuzat për përfshirjen e ish-ministrit të Rendit në trafikimin e drogës dalin të vërteta, kjo do të jetë një humbje e madhe për Shqipërinë.
Ngjarja do të shënonte një sukses të jashtëzakonshëm për krimin e organizuar, që do të ketë kapur veç të tjerash kokën e Rendit Publik të vendit, duke dëshmuar se shteti shqiptar jo vetëm që është i pafuqishëm për të fituar betejën me krimin, po ka përfunduar pjesë e tij.
Dëmi më i madh këtu do të jetë humbja e besimit te institucionet e rendit.
Edhe kështu shqiptarët besojnë se politkanët janë të korruptuar, policët janë shpesh pjesë e krimit etj. Mirëpo, shkalla e mosbesimit ka kufizimet e veta. Ne ende njoftojmë policinë kur shohim diçka që na tremb e shqetëson, ende urojmë e shpresojmë që vrasës e hajdutë të plasen në burg, ende paguajmë taksat me shpresën se ato do të paguajnë për mbrojtjen tonë.
Policia nuk mund të mbrojë rendin pa ndihmën e popullit. Populli nuk mund të ketë një jetë të qetë e të sigurt pa ndihmën e policisë. Është një binom i domosdoshëm në një shoqëri normle. Njerëzit ia dorëzojnë mjetet e dhunës institucioneve të caktuara me besimin se do të përdoren në mënyrë të ligjshme e legjitime. Kur humbet besimi, njerëzit priren t’i marrin mbrapsh mjetet e dhunës dhe të drejtën për t’i përdorur. Kjo shpesh çon në anarki që është më e tmerrshmja e të gjitha gjendjeve të një shoqërie.
Një shije të përkohshme të saj, Shqipëria e provoi në vitin 1997, sidomos në gjysmën jugore të vendit. Askush nuk ka mall për ato ditë.
Nëse vërtetohet se njeriu në kupolën e sistemit të ruajtjes së rendit ka qenë përfitues i kultivimit dhe trafikimit të drogës pasojat do të jenë të rënda pikërisht në thyerjen e thellë të besimit mes popullit dhe forcave të rendit.
Çdo njeri i arsyeshëm duhet të urojë e shpresojë te ndonjë mrekulli të rastësisë. Shqipëria është e mbushur me njerëz që e kanë emrin Saimir.
E kuptoj që nga pikëvështrimi i opozitës një vërtetim i akuzës shihet si një goditje mbase fatale për shumicën qeverisëse, një vërtetim i akuzave të saj të vjetra, si dhe një justifikim se humbja në zgjedhjet e fundit ishte një pasojë e aleancës së politikës me drogën.
Në një farë mënyrë, shumica socialiste e meriton shokun dhe hutimin që ka sjellë lajmi i akuzave mbi Saimir Tahirin.
Kriza e kanabisit ka shpërthyer në këto vite në mbarë Shqipërinë në një masë të pajustifikueshme. Është e vështirë për një qeveri që të vendosë ligjin nëse mijëra qytetarë anembanë vendit ndonëse të palidhur me krimin janë të vendosur që të bashkëpunojnë me të. Por, qeveria shqiptare ka qenë më së paku e ngathët dhe e çinteresuar dhe në rastin më të keq, me bashkëpunëtorë të krimit në shumë nivele të administratës dhe forcave të rendit.
Edhe sikur vetë Rama e Tahiri të mos jenë të përzjerë siç akuzon opozita, ata janë fajtorë të drejtpërdrejtë për suksesin e kultivimit dhe shpërndarjes të paligjshme në vend. Edhe në rastin më të mirë, Rama ka vendosur besnikërinë politike mbi suksesin e punës.
Sot, pas më shumë se katër vitesh në pushtet, Rama është përgjegjës për dështimin e vendit në këtë drejtim dhe më së paku duhet të imagjinojë se si do të vepronte ai vetë po të ishte ende në opozitë dhe Bashës kryeministër t’i kishte plasur kjo bombë akuzash në dorë për njeriun e tij të rendit.
Opozita e ka për detyrë të klithë në emër të shoqërisë shqiptare. Basha nganjëherë është treguar më alarmist se sa duhet për zhvillimet në vend, por si mund të mos shprehë ai tronditje kur nga hetimi i një vendi fqinj vijnë akuza që hedhin hije mbi figurat më të larta të vendit?
Pse të mos ketë hetime dhe ndjekje të tilla nga vetë Rendi dhe Drejtësia jonë? Pse duhet të vijnë zbulime të tilla nga Italia fqinje? Për çfarë përdoren milionat e dhëna nga Perëndimi për Rendin dhe Drejtësinë në Shqipëri?
Shpresa ime është nga ana tjetër që opozita, ashtu si unë, uron që lidhja të mos jetë e vërtetë. Opozita nuk duhet thjesht të kërkojë kthimin në pushtet. Ajo duhet të kërkojë gjithashtu që shteti që do të trashëgojë të mos jetë një shtet mafioz. Që ajo të mos jetë e detyruar ta nisë punën nga zeroja.
Nëse lidhja e Tahirit me mafien e drogës vërtetohet, opozita do të vuajë në pushtet mosbesimin nda institucioneve. Nëse Basha ,e shokë mendojnë se thjesht ndërrimi i partive në pushtet do të sjellë rikthimin e besimit te populli, ai gabohet rëndë. Ai duhet ta ketë kuptuar tashmë nivelin e apatisë popullore për kauzën e ndryshimit të partive në pushtet, gjatë krizës së protestës me çadra.
Është më e mundshme që reagimi popullor të jetë dëshira për ta rrëzuar mbarë klasën politike sesa ndryshimi i Ramës me Bashën në krye të vendit. Basha mund të mos ketë faj për krizën e kanabisit, po politika funksionon në atë mënyrë. Tavolina e frontit të partive është plot me parti që nuk gëzojnë besimin e popullit dhe nuk i shtojnë ndonjë gjë Partisë Demokratike.
Kryemadhi dhe LSI kanë qenë tashmë në pushtet për 8 vjet me radhë. Kanë qenë pjesë e qeverisjes së Berishës dhe e qeverisjes së Ramës. Nuk sjellin asnjë çlirim për ata që duan një fillim të ri në shoqërinë shqiptare.
Basha do të ishte në një pozitë më të mirë, nëse do të krijonte tryezë të “duarve të pastra”, me specialistë të papërlyer të rendit, me emra të rinj e fytyra të tjera në fushën e drejtësisë dhe nga shoqëria civile shqiptare. Jo me front politik, politikanë e plane partiake. Shqipëria ka nevojë të dëgjojë plane për zgjidhje konkrete, ka nevojë për shpresë dhe besim.
Opozita nuk duhet të kapet mbas komprometimit të Tahirit si fija e fundit e kashtës drejt pushtetit. Ajo duhet të ndërtojë një plan veprimi që do të funksiononte po njësoj edhe nëse Tahiri del i pafajshëm. Çdo proces gjyqësor në këtë drejtim do të zgjste shumë. Çështja do të zvarritej dhe banalizohej.
Shoqëria shqiptare nuk duhet të humbasë besimin te zbatimi i ligjit dhe institucionet që e realizojnë atë. Basha nuk duhet të mendojë thjesht kthimin në pushtet, por të ofrohet si shpëtues i bashkëpunimit në shoqëri për të një Shqipëri më të mirë.
Shteti shqiptar është më i rëndëishëm se Basha, Rama, e Tahiri. Politikanët që do të kenë modestinë e duhur për të kuptuar këtë e që do të dinë të harmonizojnë dëshirën e tyre për pushtet me nevojat afatgjata të shoqërisë do të nderohen e shpërblehen nga historia.
Të mbetesh në pushtet, apo të kthehesh në pushtet për të trashëguar një shtat rrangallë, të korruptuar dhe pa besim në shoqëri është një punë e kotë dhe pamend. Herët e vonë opozita do të marrë pushtetin. Ajo duhet të urojë që Rama, megjithë të metat, të lërë një Shqipëri, më të mirë se ajo e vitit 2013, që Partia Demokratike në pushtet ta çojë vendin akoma më përpara e jo të detyrohet t’ia nisë nga zeroja.
Kjo realizohet vetëm nëse Rama, Basha, Kryemadhi e të tjerët arrijnë ta kuptojë se janë vërtetë kundërshtarë të njëri-tjetrit, po edhe pjesë e të njëjtës klasë politike, e cila megjithë ambicjen e çdo partie në llogarinë e fundit, do të gjykohet së bashku, sado e padrejtë që të tingëllojë kjo.