Me kapele në dorë, në derë të Europës

Nga Ruben Avxhiu

Një tregues është gati absolut në përshkrimin e një vendi. A është ky një vend në të cilin njerëzit duan të jetojnë apo është një vend nga i cili duan të ikin.

E mendoj këtë shpesh sa herë që debatohet për anëtarësimin në Bashkimin Europian të Shqipërisë e vendeve të tjera të Ballkanit, apo kur vjen fjala te njohjet e pavarësisë së Kosovës.

Suksesi diplomatik, trajtimi i barabartë në planin ndërkombëtar, marrëveshjet e ndershme tregëtare e të tjera janë të gjitha të rëndësishme e shqiptarët kanë të drejtë të gëzohen, të mërziten, të nervozohen, të zhgënjehen e çfarëdo reagimi tjetër që i mbërthen nga zhvillimet e ditës.

Mirëpo, në fund të fundit, ajo që harrojnë – harrojmë – shpesh është se gjithshka është në dorën tonë.

Çfarë vendi po ndërtojmë? Çfarë shoqërie? A është një vend ku individi trajtohet me dinjitet? A ka besim se nëse prodhon diçka, do të shpërblehet për frytet e tij, do t’ia mbrojë ligji suksesin dhe arritjet? Kapitalin që mbledhur, fituar apo huazuar a ia vlen ta investojë në këtë vend apo diku tjetër? Ku do që t’i rrisë e shkollojë fëmijët? Ku do që të jetojnë ata nëse bëhet me para? Nëse sëmuret ku ka besim se e shërojnë?

Po është e vërtetë se Shqipëria e vendet ku banojnë shqiptarët shpesh diskriminohen. Për shkak të historisë, për shkak të stereotipeve, për shkak të namit të keq, për shkak të fesë, për shkak të varfërisë, për shkak të keqkuptimeve të traditave dhe zakoneve, për shkak të disa “kokrrave të këqia”, për shkak të disa politikanëve të korruptuar, për shkak të disa armiqve shekullorë… Listat me fajtorë janë të gjata e me shumë ngjyra.

Por e vërteta është se një vendi të ndërtuar bukur, në një shoqëri të drejtë e të ndershme, ku e trajtojmë njëri-tjetrin ashtu si presim Europa e të huajt të na trajtojë ne, është një vend që nuk e ka vështirë të anëtarësohet kudo. Një vend të tillë e duan të gjithë. Nuk shpikin arsye e justifikime, nuk kanë frikë nga elektorati i tyre. Më e rëndësishmja, një vend i tillë nuk e ka shumë mendjen, e nuk vret shumë mendjen nësepo e pranojnë apo jo. Kur ke fituar respektin për veten të tjerat vijnë lehtë pas.

Nëse një ditë Zvicra vendos të aplikojë për në Bashkimin European, do ta tërheqin për leckash brenda pa trokitur mirë. Se nuk do të jetë një vend anëtar që kërkojë miliarda për çdo vit buxhetor që të mbyllë faturat e shtetit dhe të mbajë ekonominë në një nivel të caktuar. Nuk do të sjellë fuqi punëtore të papunë që do të shtojë tensionet e stërmunduara në tregun e punës. Se nuk do të importojë konflikte, telashe, e mëri të vjetra.

Siç e kam shkruar disa herë në këto 25 vjetët e fundit, shqiptarët kanë shpërdoruar shanse e kanë humbur kohë me një moskokëçarje e spërfillje të pafalshme. Vite të tëra kur ambasadorët e diplomatët e huaj që tani akuzohen për shkelje të sovranitetit na janë lutur që të bëjmë ato reforma të shkreta, që të gjejmë gjuhën mes njëri-tjetrit, që të përqendrohemi te detyrat praktike të përmirësimit të shoqërisë jo te lufta ndërpartiake, e egot e pashërueshme të katër-pesë liderëve të pashkulshëm nga jeta jonë politike.

Ne duhej të kapnim trenin e të hynim në BE me grupet e valët të anëtarësimit. Të paktën në një kohë me Bullgarinë dhe Rumaninë, përpara se Perëndimi të bëhej esëll. Përpara se peshorja ekonomike botërore të çakërdisej, përpara se të fillonte kriza e besimit te BE-ja, te vetë demokracia.

Tani do të mbetemi pre e konjukturave elektrorale, lypës të një të drejte që më shumë se e meritojmë duhet të na e njohin se ua kanë njohur edhe të tjerëve po aq meritorë sa ne.

Aq sa dua të nervozohem e të shfryj ndaj Bashkimit Europian dhe qeverive të vendeve të tjera që qartazi flasin me hipokrizi dhe përpiqen thjesht të dalin nga një situatë e sikletshme sesa vërtet të gjejnë zgjidhje, aq edhe më mbetet revolta në grykë kur shoh që flasin të revoltuar udhëheqësit e Serbisë dhe Shqipërisë që nga një anë rrinë me kapele në dorë duke pritur miliardat e taksapaguesve europianë për t’i marrë në vendet e tyre ku korrupsioni bën kërdinë e nga ana tjetër veprojnë si viktima të padrejtësive e bëjnë “karshillëk” BE-së.

Ne shqiptarët e Shqipërisë nuk kemi shumë çfarë të themi vërtet. Nëse shumë prej nesh mendojmë se qeveria shqiptare është diktatore e këtu nuk funksionon demokracia, atëhere pse presim që BE të na përparojë në procesin e integrimit. Po ashtu edhe nëse shumë nga ne duke folur nga pozitat e qeverisë e denoncojmë opozitën shqiptare si anti-amerikane, anti-perëndimore, si destruktive, apo “të vdekur”, përsëri nuk kemi të drejtë të ankohemi se pse nuk po na afron BE-ja. Një vend që ka qeveri diktatoriale e të korruptuar e kriminale si thotë opozita, apo një vend që ka një opozitë antiperëndimore, destruktive apo të vdekur, njësoj nuk e meriton BE-në.

Shqiptarët më së paku duhet të krijojnë një vend normal ku funksionon demokracia, ku sundon pushteti i ligjit, ku nuk të vjedhin e shkatërrojnë në gjykata, ku nuk të vdesin e të rrjepin në spitale, ku je njeri me dinjitet pavarësisht se çfarë pikëpamjesh politike ke, ku mund të konkurrosh në biznes pa frikë nga oligarkët, ku mund të provosh talentin pa frikë nga ndërhyrjet e padrejtësitë. Pa këto, si në BE, si jashtë saj, ky do të mbetet një vend nga njerëzit do të duan të ikin e ata që do të rrinë nuk do të gjëjnë kurrë qetësi. Tradhëtia në Bruksel është vetëm pasojë e tradhëtisë së premtimit e besimit mes nesh.