Më në fund Shërbimi i Emigracionit po merret me vonesat në dhënien e lejeve të punës

Çështje të Emigracionit: Kieran Both

Avokati Kieran Both

Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS-i) njoftoi daljen e një urdhërese të re të përkohshme sipas së cilës shtyhet edhe me tej, deri në 540 ditë, afati i skadimit të lejes së punës dhe dokumentave që lidhen me të për aplikantë të kategorive të caktuara. Nëse keni bërë siç duhet aplikimin për leje pune dhe/ose e keni paraqitur përpara skadimit të lejes që keni aktualisht si dhe nëse jeni aplikant i një kategorie të caktuar, kualifikoheni për të përfituar nga shtyrja e lartpërmendur e afatit. Shtyrja në fjalë që hyri në fuqi më 4 maj, 2022 do të ndihmojë në mbylljen e hendekut kohor të krijuar për ata persona të huaj të cilëve u kanë skaduar lejet e punës dhe janë në pritje të aprovimit të kërkesës për rinovim të tyre si dhe do të stabilizojë vazhdimësinë e aktiviteteve të punëdhënësve amerikanë.    

USCIS-i ka në dorë një numër shumë të madh aplikimesh që janë në pritje për t’u shqyrtuar dhe ka arritur në konkluzionin që nuk është e mjaftueshme shtyrja automatike e afateve të skadimit të lejes së punës për vetëm 180 ditë. Sipas USCIS-it urdhëresa e re e përkohshmë do t’u mundësojë nënshtetasve të huaj që përfitojnë nga shtyrja automatike të vazhdojnë të punojnë pa ndërprerje gjë që nënkupton të kenë mundësi të mbajnë ekonomikisht familjet e tyre si dhe do të shmangë çoroditjen e aktivitetit të punëdhënësve amerikanë. Për vite me radhë, USCIS-i ka patur një gjendje jo të sigurt financiare gjë që ka dëmtuar efikasitetin e punës. Në vitin 2020, pandemia e COVID-19-ës e përkeqësoi edhe më shumë situatën. Ndërprerja e marrjes në punë të më shumë punonjësve dhe rreziku i pushimeve të përkohshme nga puna çuan në tkurrje të fuqisë punëtore dhe në ulje të kapacitetit për punë. Në vitin 2021, përpara se USCIS-i të merrte veten nga pasojat fiskale dhe operacionale, numri i kërkesave për leje punë nga aplikantë të rinj si dhe i kërkesave për rinovim të lejeve aktuale shënoi një rritje kritike. 

Urdhëresa që vlen vetëm për kategori të caktuara të aplikimeve për leje pune  (siç do t’i shihni më poshtë) të cilat përfitonin tashmë nga shtyrja automatike prej 180 ditësh, do t’u garantojë një shtyrje shtesë prej 360 ditësh (540 ditë në total) atyre aplikantëve që kanë paraqitur në kohë aplikimin për leje pune dhe do të jenë në pritje të një vendimi gjatë periudhës 18 mujore që pason datën 4 maj, 2022 ndërkohë që USCIS-i vazhdon punën me çështjet e prapambetura që presin vendim,  numri i të cilave u shtua dhe më shumë gjatë periudhës së pandemisë. Shpresojmë që kjo periudhë kohore do t’i mundësojë USCIS-it të merret me problemet e shkurtimeve të personelit, me implementimin e masave për rritjen e efikasitetit si dhe me përmbushjen e synimit për  të kryer brenda një cikli tremujor proçesimin e aplikimeve për leje pune, brenda vitit fiskal 2023. 

Nëse më ose pas datës 4 maj, 2022 paraqisni Formularin I-765 për të rinovuar lejen e punës, USCIS-i do t’ju dërgojë një njoftim Formulari I-797C Notice of Action që përmban informacion lidhur me shtyrjen automatike 540 ditore. Nëse kualifikoheni për të përfituar nga kjo shtyrje, ky njoftim së bashku me lejen e punës (EAD) që ju ka skaduar si dhe formularin ende të vlefshëm I-94 (për H-4, E apo L-2 bashkëshorti/ja që është në varësinë tuaj) do të shërbejnë dhe pranohen si provë që keni leje për të punuar dhe kjo leje është e vlefshme për të gjithë periudhën prej 540 ditësh të shtyrjes automatike të afatit.

Duke filluar nga data 27 tetor, 2023, shtyrjet automatike për lejet e punës dhe dokumentat e punës do të rikthehen në 180 ditë siç kanë qenë më parë për të gjithë ata aplikantë që kualifikohen dhe që kanë paraqitur në kohë aplikimet përkatëse. Nënshtetasve të huaj që janë në pritje të një vendimi për rinovim të aplikimit për EAD (dokumente pune), të cilëve u ka kaluar afati prej 180 ditësh shtyrje automatike si dhe u ka skaduar EAD-ja, do t’u shtyhet afati i vlefshmërisë së lejes së punës për 540 ditë nga data e skadimit, duke filluar nga 4 maji, 2022. Kjo do t’u lejojë aplikantëve të vazhdojnë të punojnë në mënyrë të ligjshme, gjithnjë nëse kualifikohen dhe nëse janë ende brenda periudhës 540 ditore të shtyrjes automatike. Nënshtetasve të huaj që janë në pritje të një vendimi për aplikimin për rinovim të EAD-së dhe janë ende të “mbrojtur” nga periudha 180 ditore e shtyrjes automatike, do t’u jepet një shtesë ekstra prej 360 ditësh, (540 ditë në total nga data e skadimit të lejes së punës që kanë aktualisht). Nënshtetasve të huaj që kanë paraqitur aplikim për rinovim dhe 4 maji, 2022 i ka gjetur me leje pune të vlefshme ose atyre që kanë paraqitur në kohë aplikimin për rinovim të lejes së punës, përpara 27 tetorit, 2023, do t’u jepet një shtyrje automatike prej 540 ditësh në rast se leja e punës që kanë skadon përpara se t’u shqyrtohet aplikimi për rinovim.

Periudha e shtyrjes automatike mbaron në momentin që merret vendim përfundimtar për aplikimin për rinovim ose në momentin që mbaron periudha 540 ditore (dmth 540 ditë pas datës së skadimit së dokumentit me fotografi të lejes së punë) – momenti që merret për bazë është më i hershmi nga të dy.

Nënshtetas të huaj të caktuar që gjenden në Shtetet e Bashkuara mund të paraqesin pranë USCIS-it formularin I-765, Application for Employment Authorization për të kërkuar leje për të punuar dhe dokumenta për punë. Nënshtetatasit e huaj që kanë një status që u lejon të punojnë në Shtetet e Bashkuara pa asnjë lloj kufizimi mund të përdorin gjithashtu formularin I-765 për të aplikuar për dokument pune që dëshmon këtë lloj autorizimi.

Në kategoritë që kualifikohen për shtyrjet e lartpërmendura përfshihen:

(a)(3) Refugee, (a)(5) Asylee, (a)(10) Withholding of Deportation or Removal Granted, (a)(17) Spouse of principal E nonimmigrant, (a)(18) Spouse of principal L-1 Nonimmigrant, (c)(8) Asylum Application Pending, (c)(9) Pending Adjustment of Status, (c)(10) Suspension of Deportation Applicants (i paraqitur përpara 1 prillit,1997) Cancellation of Removal Applicants Special Rule Cancellation of Removal Applicants Under NACARA, (c)(26) Spouses of certain H-1B principal nonimmigrants, (c)(31) VAWA Self-Petitioners.  Për një listë më të plotë të kategorive që kualifikohen shihni faqen e internetit https://www.uscis.gov/eadautoextend

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]